AktualitetPolitikëTë fundit

“Do ju çoj në SPAK”; Rama: 70% e tenderëve 2020-21 me probleme. Paketa e re e prokurimeve publike, rrit transparencën

Ministrat e qeverisë Rama morrën sot mesazhin nga kryeministrit se nëse do kishin abuzime me tenderat, ai vetë do i çojë në SPAK. 70% e tenderave të dhënë përgjatë periudhës 2020-2021 janë me probleme, tha Rama, por ajo që për të është një shqetësim më madhor është mosreagimi i institucioneve pas rekomandimeve të Agjensisë së Prokurimeve Publike.

Nisur nga kjo neglizhencë dhe mospërfillje, siç kreu i qeverisë i cilësoi, Rama u kërkoi në takim sot ministrave, drejtorëve të institucioneve, por edhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu që të reflektojnë, që të mos kenë të njëjtin fat si Fatos Tushe, kryebashkiakut të Lushnjes tashmë të arrestuar nga SPAK.

“E patolerueshme që rekomandimet e Agjensisë së Prokurimeve Publike të mos kenë asnjë përgjigje. Çdo rast i tillë do shkojë në SPAK nga kjo godinë. Indiferentët përkatës këtë çështje ta shpjegojnë duke marrë avokat me vete”, tha Rama ndër të tjera.

Kryeministri deklaroi se “nga analiza e të gjitha procedurave të zhvilluara nga institucionet në Sistemin e Prokurimit Elektronik, rezulton se nga 25 institucione, 21 prej tyre 30-50% të procedurave i kanë vetëm me një operator ekonomik, pavarësisht se procedura është e hapur”.

Në fjalën e tij gjatë prezantimit të paketës së re të prokurimit publik, Rama tha se “nga të dhënat e administruara dhe analizuara që lidhen me të gjitha ministritë dhe agjencitë e pushtetit ekzekutiv gjatë 2020 dhe periudhës së parë të 2021 në periudhën në fjalë, janë asistuar 936 procedura të publikuara në Sistemin e Prokurimit Elektronik(SPE) nga këto institucione, ndër to 70% e procedurave kanë rezultuar problematike në hartimin e kritereve”.

“Për këtë arsye institucionet përkatëse u janë dërguar rekomandime nga njësia e prokurimit publik. 20% e institucioneve të përfaqësuara në këtë sallë nuk kanë reaguar ose nuk kanë reflektuar ndaj rekomandimeve të Agjencisë së Prokurimeve Publike. Rekomandimet e Agjencisë së Prokurimeve Publike nuk janë të shkruara në gur, nuk janë të padiskutueshme, por është e padiskutueshme që mos reagimi ndaj tyre me shkrim për të vënë në diskutim me argumente një pikë apo një tjetër është cënim flagrant i etikës shtetërore”,  nënvizoi Rama.

Më tej, Rama tha se” të gjithë e dinë është sekreti më i madh publik në Shqipëri që në problematikën e prokurimeve armiku kryesor janë kriteret e qepura me dorë për kualifikim, të cilat ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e pjesëmarrjes dhe ngushtimin e hapësirës së konkurrencës së operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik”.

“Nga shqyrtimi i të dhënave në lidhje me numrin e ofertave të paraqitura në procedurat e publikuara nga institucionet e përfaqësuara këtu në sallë janë asistuar nga APP-ja për periudhë 2020 dhe periudhën janar- qershor 2021 936 siç thashë procedura dhe në këto 936 procedura mesatarja e ofertave të kualifikuara është 2.56”,  shtoi Rama.

Po ashtu, vijoi Kryeministri, është me rëndësi për ta ditur që nga hetimet e kryera nga Agjencia e Prokurimit Publik me iniciativë apo bazuar në kontrolle të Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë 2020 dhe gjashtë mujorit të parë të 2021 janë hetuar administrativisht 5-7 procedura prokurimi kualifikimi.

“Ajo që ka rëndësi është se janë konstatuar probleme në përllogaritjen e fondit limit, janë konstatuar kritere kualifikimi që nuk kanë lidhje fare me objektin e kontratës, është konstatuar kualifikim dhe shpalle fitues i operatorëve ekonomikë që nuk plotësojnë kriteret e kualifikimit. Për këto arsye janë dënuar me gjobë 41 punonjës dhe me masë disiplinore 92 punonjës”,  tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “paketa e re adreson qartësisht domosdoshmërinë për të rritur integritetin me përgjegjshmërinë e të gjitha palëve të përfshira në këtë proces dhe jo vetëm të autoriteteve kontraktore, por edhe të operatorëve ekonomikë, si dhe për të forcuar mekanizmat monitorues, por dhe ndëshkues për shkeljet e konstatuara”.

“Paketa e re ligjore synon pikërisht që t’u japë autoriteteve kontraktore dhe shtetit shqiptar mjete të reja, efikase, duke iu garantuar një kuadër rregull të Prokurimit Publik në Shqipëri të përafruar me legjislacionin europian si dhe duke adresuar të gjitha ato gjetje dhe rekomandime të ndryshme të organizatave ndërkombëtare, kërkesat për ndryshime ligjore nga institucione të ndryshme të vendit, problematikat e hasura në praktikë gjatë procesit të prokurimit”,  tha Rama.

 

Fraksion.com