AktualitetKosovaTë fundit

Simmons: EULEX-i synonte largimin e “peshqve të mëdhenj” nga skena politike

Ish-kryetari i Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, tha se ky mision i sundimit të ligjit i BE-së në Kosovë, kishte për qëllim të hiqte nga skena politike, ata që i cilësoi si “peshq të mëdhenj”, ose ata persona, që ishin parë nga ky mision, si pengesë për dialogun Kosovë-Serbi.

Gjatë një raportimi para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Simmons tha se misioni i EULEX-it nuk ishte mision “i sundimit të ligjit, por ishte mision politik”.

“Pasi u emërova në këtë post (kryetar i Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it), u takova në Prishtinë me shefin e operacioneve civile Kenneth Dean. Gjatë këtij takimi, ai ma bëri shumë të qartë qëllimin e misionit që të largojë nga jeta politike personat, që ai i përshkroi si ‘peshq të mëdhenj’. Gjatë asaj bisede ai më tha se dhe po citoj ‘pres të shoh gjyqtarët e EULEX-it që të dënojnë ata që akuzohen nga misioni’. Sipas tij, gjyqtarët e EULEX-it duhej ‘të luanin rolin e tyre’ që misioni të kishte sukses. Për mua ishte e qartë se suksesi do të matej me numrin e dënimeve”, tha Simmons.

Simmons tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte prioritet për EULEX-in.

“Ata që i dolën në rrugë procesit (të dialogut) u panë si pengues dhe duhej të largoheshin nga postet udhëheqëse. Gjykatësit e EULEX-it ishin mjeti për ta arritur këtë qëllim”, tha ai.

Ai tha po ashtu tha se dënimet në rastet për krime lufte, siç ishte rasti i njohur si Kleçka dhe Drenica 1 dhe 2 – ku ishin të përfshirë figura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – ishin parë nga Brukseli si kruciale për përparimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, ka nisur më 2011. Ky proces thuhet se ka për synim normalizimin e plotë ndërmjet dy shteteve.

Simmons tha se EULEX-i ka transferuar të dhëna në Serbi, që kishin të bënin me mizoritë e pretenduara të kryera nga serbët gjatë luftës. Ai tha se EULEX-i e dinte që Serbia nuk kishte vullnet për të hetuar dhe gjykuar këto raste.

“Këto ishin hetimet mbi mizoritë e pretenduara nga serbët gjatë konfliktit. Këto dokumente përfshinin jo vetëm detaje për krimet e pretenduara dhe të të dyshuarve, por edhe të dhëna personale të qytetarëve të Kosovës, që ishin viktima të këtyre krimeve dhe detaje të dëshmitarëve, shumica e të cilëve ishin shqiptarë, të cilët kanë pasur të drejtë që të mbrohen”, tha ai.

Ish-kryetari i Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Simmons po ashtu tha se EULEX-i asnjëherë nuk ka mohuar pretendimet e tij për korrupsion, duke shtuar se nëse deputetët e Kuvendit të Kosovës duan të hapin hetim për EULEX-in, ai do të japë detaje lidhur me shumë raste.

Ai foli edhe për, siç tha, hakimin e email-it të tij, por edhe për inicimin e masave disiplinore ndaj tij, ku shtoi se ishin pikërisht njerëzit që ai kishte akuzuar për sjellje të keqe, ata që kishin kryer hetime ndaj tij.

Raportimi i Simmonsit, sipas juristëve në Kosovë nuk do të ketë ndonjë efekt juridik, pasi sipas tyre, zyrtarët e EULEX-it kanë imunitet dhe nuk mund të ndiqen penalisht nga institucionet kosovare për veprimet që mund t’i kenë kryer gjatë mandatit të tyre në Kosovë.

Ndryshe, që nga viti 2017 kur Simmons u largua nga misioni i EULEX-it, bëri akuza të shumta për keqpërdorime dhe ndikime politike në procese gjyqësore që udhëhiqeshin nga EULEX-i.

Një version krejt tjetër për akuzat e ish-gjyqtarit Simmons e ka Misioni Evropian për Sundim të Ligjit EULEX.

Në këtë mision kanë thënë se pas akuzave që bëri Simmons në vitin 2017, një ekip i pavarur hetimor i udhëhequr nga një gjykatës në pension i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë hetoi pretendimet e tij, por se ai dështoi që të mbështeste akuzat që kishte ngritur.

“Sidoqoftë kur iu dha mundësia për të mbështetur pretendimet e tij të ndryshme, Simmons dështoi që t’i ofrojë ekipit hetimor ndonjë provë që do të mbështesnin pretendimet e tij, përfshirë disa nga çështjet për të cilat ai tani ankohet, duke zgjedhur kështu që ankesat e tij t’i transmetojë në domenin publik”, kishte thënë EULEX-i.

Më tej misioni i EULEX-it thotë se Simmons ka dështuar në çdo përpjekje të tij ligjore që të vërtetojë akuzat për keqpërdorime në këtë mision dhe pretendimet e tij i quan “lajme të rreme”.

EULEX thotë se ish-gjyqtari Malcolm Simmons ka qenë vet subjekt i hetimeve të pavarura për akuza serioze për keqpërdorim gjatë kohës sa ka ushtruar funksionin e gjyqtarit në këtë mision.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar qasje në raportin e hetimeve të zhvilluara nga Bashkimi Evropian ndaj ish-gjyqtarit Simmons si nga misioni i EULEX-it po ashtu nga Bashkimi Evropian.

Zyrtarët për informimin në kuadër të zyrës së Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, kanë sugjeruar që t’ju referohemi përgjigjeve të misionit të EULEX-it.

Ndërkohë, misioni i EULEX-it në Kosovë ka thënë se për shkak të konfidencialitetit nuk mund të ndajë raportin e hetimeve, por thonë se të gjeturat e hetimit i janë dorëzuar ish-gjyqtarit, Malcolm Simmons si dhe autoriteteve britanike të cilat sipas tyre duhet të vendosin nëse do të ketë ndonjë veprim ndaj zotit Simmons apo jo.

Juristi Ehat Miftaraj, njëherësh drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, beson se raportimi i ish-gjyqtarit Simmons ka për qëllim vetëm informimin pasi sipas tij, bazuar në marrëveshjen e Kosovës me BE-në sa i takon EULEX-it, prokurorë e gjyqtarë të EULEX-it kanë pasur imunitet.

Si rrjedhojë, sipas Miftarajt, institucionet e Kosovës nuk kanë asnjë kompetencë për të zhvilluar çfarëdo hetimi penal apo administrativ në këtë rast.

EULEX u godit nga akuza për keqpërdorime edhe nga zyrtarë të tjerë që kishin punuar në këtë mision.

Akuza për keqpërdorime dhe korrupsion kishte ngritur edhe ish-prokurorja britanike, Maria Bamieh. Ajo akuzoi këtë mision për largimin të padrejtë nga puna pasi bëri akuza për korrupsion kundër prokurorëve dhe gjykatëseve ndërkombëtarë që shërbenin në Kosovë.

Bamieh pretendonte se kishte qenë në njohuri se si një gjyqtar i EULEX-it kishte pranuar rreth 300 mijë euro në kompensim për të liruar nga akuzat një ish-zyrtar të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Pas largimit nga ky mision, Bamieh ka vazhduar betejën e saj ligjore kundër EULEX-it në Britani të Madhe.

EULEX është misioni më i madh i dërguar jashtë vendi nga Bashkimi Evropian. Qëllimi i EULEX-it është t’i mbështesë institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë.

Që nga ardhja në Kosovë në vitin 2008 ky mision i ka kushtuar BE-së qindra miliona euro. Bazuar në vendimin e fundit të mekanizmave të BE-së, EULEX-i ka mandat deri më 14 qershor, 2023 duke pasurnjë mandat të kufizuar./REL

 

Fraksion.com