Abuzimi me tenderin 2.8 mld lekë, Lleshaj: Nuk kam pasur asnjë autoritet ligjor për të ndërhyrë; Kam kërkuar që çështja të hetohet
Sandër Lleshaj, i cili mbante detyrën e ministrit të Brendshëm kur u nënshkrua tenderi për blerjen e uniformave të Policisë së Shtetit me vlerë 2.8 miliardë lekë ka reaguar për Report Tv, në lidhje me arrestimet e SPAK.
Lleshaj përshëndet operacionin e SPAK, dhe nënvizon se nuk ka pasur asnjë shtysë personale dhe mbi të gjtha kurrëfarë autoriteti ligjor për të ndërhyrë në asnjë procedurë konkrete prokurimi të zhvilluar nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara, përfshire natyrisht edhe ate për uniformat e Policisë së Shtetit.
Lleshaj thekson se madje ai ka kërkuar publikisht nga foltorja e Kuvendit në shtator të vitit të kaluar që kjo çështje të hetohet. Ish-ministri thotë më tej se sistemi i prokurimit në Shqiperi ka autoritetet e veta te administrimit, të menaxhimit, të kontrollit dhe të ankimimit, ku ministri nuk ka rol.
“Duke qenë se bëhet fjalë për një hetim në proces, mendoj se kontributi më i mirë i secilit është lënia qetë e SPAK në kryerjen e detyrës së saj. Unë personalisht kam kërkuar publikisht nga foltorja e Kuvendit në shtator të vitit të kaluar që kjo çështje të hetohet.
Fakti që kjo gjë po ndodh është për t’u përshendetur, ndërsa tentativat për të bërë politikë me të janë për t’u refuzuar. Si Ministër i Brendshëm nuk kam pasur as ndonjë shtysë personale dhe mbi të gjitha kurrfarë autoriteti ligjor për të ndërhyrë në asnjë procedurë konkrete prokurimi të zhvilluar nga Agjencia e Blerjeve te Përqëndruara, përfshirë natyrisht edhe atë për uniformat e Policisë së Shtetit. Sistemi i prokurimit në Shqiperi ka autoritetet e veta te administrimit, të menaxhimit, të kontrollit dhe të ankimimit, ku ministri nuk ka rol.” – tha Lleshaj për Report Tv.
SPAK ‘mësyu’ një ditë më parë në Ministrinë e Brendshme, ku lëshoi 9 urdhër-arreste, ku pas arrestimit të ish drejtoreshës së Agjencisë së Blerjeve të Përqendruar Edlira Naqellari, u arrestuan edhe bashkëpunëtorët e saj anëtarët e njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj. Ndërkohë është lënë në ‘arrest shtëpie’ Anisa Bogdani, e cila ishte anëtare e njësisë së prokurimit.
Këto arrestime u bënë në lidhje me tenderin abuziv të 11 majit 2020 në lidhje me uniformat e policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. Rezulton se ish-drejtoresha e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari ka ndryshuar çmimet, sasinë dhe cilësinë e uniformave të kërkuara nga Policia e Shtetit dhe ka favorizura fituesin. Sipas përgjimeve të SPAK, këto veprime të paligjshme, Naqellari i ka kryer në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë të arrestuar.
Gjatë hetimit janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, ku zyrtarët dhe ish zyrtarët nën akuzë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedure prokurimi, ku fitues u shpallën bashkimi i 4 operatorëve ekonomik, një kompani shqiptare “D&E shpk” me administrator dhe pronar të vetëm, Ismail Kadiun dhe 3 kompanive të huaja “Summer Conf s.r.l”, kompania “Lovers s.r.l” dhe kompania YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN. TIC.
Fraksion.com