AktualitetPolitikëTë fundit

Fatos Tushe përjashtohet nga PS; Rama mesazh kryebashkiakëve: I vini mirë gishtin kokës!

Kryeministri Edi Rama ftoi sot kryebashkiakët që të studiojnë paketën e re ligjore në fushën e prokurimeve publike dhe të mos përzihen me proceset e prokurimit publik.

“Mos influenconi në favorizimin e njërit në favor të tjetrit, mos luani me një zjarr që do të bëhet gjithmonë e më përvëlues, në kushtet kur drejtësia e re do të ketë gjithë mbështetjen time apo të PS-së kundër kujtdo që do të luaj me zjarrin”, tha Rama, gjatë takimit të sotëm me kryebashkiakët për paketën e re të prokurimit publik.

Kryeministri theksoi se “arsyeja e parë themelore që ju thirra është që të gjithë pa përjashtim t’i vini mirë gishtin kokës dhe të kuptoni se mandati i 3-të kërkon përkushtim e seriozitet të trefishtë ndaj popullit, agjencive dhe drejtorive të nivelit ekzekutiv”.

“Kërkoj vëmendjen tuaj të plotë në këtë aspekt dhe uroj dhe shpresoj në reagimin tuaj të menjëhershëm e të pandërprerë deri në fund të mandatit për të garantuar cilësi, transperencë dhe shpejtësi në prokurimet publike”, tha Rama.

Kryeministri tha se për prokurimet publike ka kërkuar reformimin e mëtejshëm dhe pas një pune 2-vjeçare për ta reformuar më tutje sistemin e prokurimeve publike është miratuar dhe sapo ka hyrë në fuqi paketa e re ligjore në fushën e Prokurimeve Publike.

“Kjo paketë krijon premisa optimale për rritje të eficiencës së sistemit duke e përafruar ndjeshëm me legjislacionin e BE-së dhe duke adresuar problematikat e hasura në praktikë gjatë procesit të prokurimit. Paketa e re synon të rrisë integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve të përfshira në këtë proces si operatorë ekonomikë, si dhe mbështet fuqizimin e mekanizmave monitorues dhe ndëshkues për çdo shkelje të konstatuar”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama, në një takim me kryetarët e bashkive lidhur me paketën e re të Prokurimit Publik, u ndal te problematikat e ndeshura gjatë periudhës janar 2020-prill 2021.

Rama tha se “nga janari 2020 deri në prill 2021 janë asistuar nga Agjencia e Prokurimeve Publike 1275 procedura të publikuara nga institucionet bashkiake”.

“Asistenca e APP është një asistencë teknike e cila i vjen në ndihmë çdo autoriteti kontraktor që ka veshë për të dëgjuar, sy për të lexuar dhe tru për të vepruar. 88.5 % e procedurave ka rezultuar me problematika në hartimin e kritereve dhe për këtë arsye bashkive përkatëse u janë dërguar rekomandime precize nga APP. 52.5 % e bashkive nuk kanë reaguar dhe nuk kanë bërë asnjë reflektim në proces të rekomandimeve teknike të APP-së”, informoi Rama.

Kryeministri tha se “është fakt botërisht i njohur se hartimi i kritereve të veçanta për kualifikim apo shqip, qepja me dorë e procedurës së tenderit si kostum me porosi, e cenon drejtpërsëdrejti shkallën dhe nivelin e pjesëmarrjes dhe patjetër drejtësinë e konkurrencës së operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik”.

Rama tha se “kjo është një teknikë grabitqare, e shëmtuar, përjashtuese”.

Kryeministri informoi se “nga shqyrtimi i të dhënave lidhur me numrin e ofertave të paraqitura në procedurat e publikuara nga bashkitë që janë asistuar nga APP për periudhën janar 2020 – prill 2021 rezulton se mesatarja e numrit të ofertave të kualifikuara në këto procedura është vetëm 2.1 %”.

“Nga ana tjetër, nga analiza e të gjitha procedurave të zhvilluara nga bashkitë në sistemin e prokurimit publik rezulton se nga 61 bashki, në 47 prej tyre, ose në më shumë se 50 % të procedurave kanë vetëm një operator ekonomik, pavarësisht se procedura teorikisht është e hapur”, tha Rama.

Nga hetimet administrative të kryera nga APP me iniciativë apo bazuar nga raportet e KLSH-së gjatë periudhës janar 2020 – prill 2021, Rama tha se rezulton se pas hetimit administrativ të 136 procedurave të prokurimit të kryera nga bashki ose institucione të tyre të varësisë, janë konstatuar: përzgjedhje të pajustifikuara të procedurës së prokurimit me negociim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës; probleme në përllogaritjen e  fondit limit; vendosje kriteresh të veçanta të kualifikimit që nuk kanë lidhje fare me objektin e kontratës; kualifikim dhe shpallje fitues të operatorëve ekonomikë që nuk plotësojnë kriteret e kualifikimit.

Si rezultat, ai theksoi se “janë dënuar me gjobë 156 punonjës dhe me masë disiplinore 62 punonjës”.

Kryeministri informoi se “do të kalohet pa ngurrim nga ana jonë këtu në këtë godinë, nga dënimi me gjobë, në denoncim në SPAK, në çdo rast kur shkeljet përbëjnë një dyshim shumë të arsyeshëm për tender korruptiv dhe do të jetë kushdo qoftë prej jush, unë shpresoj askush, por kushdo qoftë prej jush, por jo unë, as PS, që do të shkojë para hetuesve të SPAK për të dhënë shpjegime”.

 

Fraksion.com