“Emigracioni i parregullt”; Angli-Shqipëri marrëveshje për dëbimin e emigrantëve ilegalë
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi priti në një vizitë zyrtare në Shqipëri, Ministren e Brendshme të Britanisë së Madhe, Priti Patel. Dy homologët kanë firmosur Marrëveshjen e Ripranimit, propozuar nga qeveria britanike pas daljes së saj nga Bashkimi Europian. Qëllimi, janë procedurat e ripranimit dhe tranzitit në rastet e dëbimit të personave, hyrja ose qëndrimi i të cilëve është i paligjshëm në territoret e shteteve të tyre. Sipas njoftimit të zyrë së shtypit, palët do të forcojnë bashkëpunimin në lidhje me luftën kundër migracionit të parregullt, duke zgjeruar bashkëpunim teknik dhe operacional në fushën e menaxhimit të migracionit të parregullt dhe sigurisë së brendshme
Ministri Çuçi njohu homologen britanike me prioritetet e Ministrisë së Brendshme, ristrukturimin e nisur në Policinë e Shtetit, si dhe progresin e arritur në luftën kundër krimit të organizuar në tërësi. Më tej, gjatë bashkëbisedimit ai u ndal tek nevoja për thellimin e hetimeve të përbashkëta përmes shkëmbimit intensiv të informacionit, për grupe kriminale që operojnë në dy vendet, apo elementë që përpiqen t’i fshihen drejtësisë. Ministri u shpreh i gatshëm për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën policore, konkretizuar kjo me grupe të përbashkëta hetimore, si dhe e njohu me punën për reformimin e vazhdueshëm të Policisë së Shtetit, për të ndërtuar një marrëdhënie të fortë besimi me qytetarët, për ta qasur atë si shërbim e jo si forcë.
Ministrja e Brendshme e Britanisë së Madhe riafirmoi marrëdhënien e fortë mes dy vendeve dhe vëmendjen e Mbretërisë së Bashkuar për Shqipërinë, në fusha të interesit të përbashkët, si dekurajimi i migracionit të paligjshëm, bashkëpunimi policor në funksion të luftës kundër krimit të organizuar. Po kështu shprehu gatishmërinë për të asistuar Policinë Shqiptare në ngritjen e kapaciteteve, sidomos në fusha që lidhen me teknologjinë dhe inovacionin, që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen cilësore dhe efikasitetit të punës së saj.
Marrëveshja, e nënshkruar nga Sekretarja e Brendshme me shtetin shqiptar, do ta bëjë më të lehtë largimin e shkelësve të dënuar. Kjo do ta bëjë gjithashtu më të thjeshtë largimin e azilkërkuesve shqiptarë dhe atyre që u ka kaluar afati.
Marrëveshja bilaterale do të shihet si një përparim i madh, pas Brexit, dhe mund të hap rrugën për marrëveshje të ngjashme me kombet e BE të tilla si Polonia.
Marrëveshja e finalizuar nga Patel, gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, do ta bëjë ‘procesin e transferimit të kriminelëve shqiptarë dhe atyre në konflikt me statusin e tyre të imigracionit më të lehtë dhe të shpejtë ‘, thanë mbrëmë burime të Home Office.
Marrëveshja e re vjen në mes të shqetësimit për rritjen e numrit të shtetasve të huaj në burg në Angli dhe Uells.
Fraksion.com