AktualitetBota+Të fundit

Miliona sirianë nën mëshirën e një vendimi të OKB-së

Shumë sirianë kishin ikur nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar sundimit të presidentit, Bashar al-Assad, duke u vendosur në veriperëndim të vendit të kontrolluar nga rebelët.

Tani, ata kanë frikë se Asad mund të vendosë sërish për fatin e tyre, raporton Reuters.

Rusia, një aleate kryesore e Asadit, po dëshiron që ndihma humanitare e Kombeve të Bashkuara për rajonin, të kalojë përmes kryeqytetit Damask, dhe jo përmes Turqisë sikurse deri më tani.

Sirianët kanë frikë se furnizimi i vetëm me ushqim, të cilin ata e kanë, mund të bie nën kontrollin e pushtetit që i kishte shtypur.

Aktualisht ndihma humanitare kalon përmes pikës kufitare me Turqinë – Bab al-Hawa – sepse kështu kishte vendosur Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Mandati i Këshillit për këtë pikë kalimi përfundon të shtunën (10 korrik).

Aleatët perëndimorë dëshirojnë që të vazhdojnë dhe ta zgjerojnë këtë vendim edhe me hapjen e pikave tjera, por Rusia dhe Kina po tregojnë përmbajtje, dhe të dyja këto vende e kanë fuqinë e vetos në Këshill.

Të martën, Rusia shmangu negociatat mbi këtë çështje.

Më 2018, Hossam Kaheil, iku nga Ghouta, në afërsi të Damaskut, pasi forcat qeveritare e morën kontrollin.

Ai shkoi në Idlib.

Ai thotë se në rast të ndryshimit të linjave të furnizimit, nuk mund t’iu besohet forcave qeveritare se do ta lejojnë ndihmën humanitare të arrijë te sirianët në nevojë.

“Në Idlib situata është e mirë, por nëse ata mbyllin kalimet, do të ketë një katastrofë humanitare”, tha 36-vjeçari, i cili kujton se kur më 2014 ushtria siriane rrethoi Ghoutan, ishte aq i uritur, sa që ishte detyruar të hante ushqim për kafshë.

Ai shtoi se dy familjarë të tij vdiqën për shkak të mungës mjekësore gjatë rrethimit.

Hetuesit e OKB-së patën thënë se ai rrethim ishte më i gjati në historinë moderne.

Ndihmat nga Kombet e Bashkuara përmes kufirit të Sirisë me Turqinë kanë furnizuar miliona sirianë me ushqim, ilaçe dhe ujë në rajonin që ende mbahet nga kryengritësit anti-Asad.

Në anën tjetër, Siria thotë se është e përkushtuar për të lehtësuar shpërndarjen e ndihmave të Kombeve të Bashkuara brenda vendit.

Agjencia Reuters ka dërguar pyetje në Ministrinë e Informacionit të Sirisë, por nuk ka pranuar përgjigje.

Muajin e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se organizatave ndërkombëtare, Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, duhet t’iu lejohet vëzhgimi në rast se ekzistojnë dyshime për ndonjë pengesë në dërgesën e ndihmave kah Damasku, megjithëse ai tha se nuk mendon se do të ndodhte ashtu.

Mosmarrëveshjet për pikën e kalimit të ndihmave shënojnë një front përplasjesh diplomatike në një rajon ku janë zhvilluar luftra të ashpra mes palëve të ndryshme.

Moska dhe Damasku synojnë që të rikonfirmojnë sovranitetin e shtetit mbi këtë rajon, që është jashtë kontrollit të tyre.

Presidenti Asad, i cili fitoi kontrollin e pjesës më të madhe të Sirisë, me ndihmën e rusëve dhe iranianëve, tash po synon që ta shtrijë këtë kontroll në gjitha pjesët e vendit. Por, forcat turke bllokojnë rrugën e tij në veriperëndim të vendit ndërsa forcat amerikane janë në lindje të vendit, e cila kontrollohet nga kurdët, dhe ku gjenden fushat e naftës, tokat bujqësore dhe rrugët tokësore që çojnë në Irak.

Pjesa e Sirisë, që kontrollohet nga Qeveria e Asadit është në krizë ekonomike. Vitin e kaluar SHBA-ja vendosi sanksione duke goditur planet e Asadit për rindërtimin dhe ringjallje ekonomike.

“Kjo ka të bëjë me avantazhin strategjik, dhe ky është një moment i Rusisë. Për arritjen e këtij qëllimi po përdoren çështjet humanitare“, tha Joshua Landis, kreu i Qendrës për Studime të Lindjes së Mesme në Universitetin e Oklahomas.

“Në këtë betejë midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, fatkeqësisht, populli sirian është humbësi i vërtetë”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara duan që të zgjatet mandati për lejimin e ndihmës humanitare nga kufiri me Turqinë.

Njëjtë mendon edhe Turqia, e cila ka ndikim në veriperëndim të Sirisë, përmes mbështetjes që bën për forcat kryengritëse.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se dështimi për të zgjatur operacionin e ndihmës do të ishte shkatërrues për miliona njerëz.

“Ne nuk duam t’i shohim këta njerëz duke u bërë peng i një loje politike”, tha Mark Cutts, zëvendëskoordinator rajonal humanitar i Kombeve të Bashkuara për krizën në Siri.

“Është e turpshme të flasim për reduktim të qasjes në ndihma në kohën kur duhet të diskutojmë për zgjerimin e operacioneve të ndihmës”, tha ai.

Kombet e Bashkuara thonë se në veriperëndim të Sirisë, numri i njerëzve të varur nga ndihma është rritur për 20 për qind, pra në 3.4 milionë në një vit.

Mosbesim

Si arsye për problemet humanitare, Rusia përmend sanksionet e vendosura nga ana e Shteteve të Bashkuara.

Uashingtoni hedh poshtë këto pretendime. Sanksionet shënjestrojnë ndërprerjen e fondeve për Qeverinë e Asadit. Katër vendkalime ishin të hapura në vitin 2014 kur Kombet e Bashkuara ranë dakord për një korridor të ndihmën humanitare.

Me kohë, kundërshtimet ruse dhe kineze e kanë zbritur këtë numër në një vendkalim. Rusia thotë se ky lloj operacioni është tashmë i vjetëruar. Mirëpo, dërgesa e ndihmës përmes zonave të luftës ka qenë e vështirë.

“Ne kemi kërkuar lejimin e qasjes shumë herë sepse do të dëshironim sa më shumë qasje nga të gjitha anët, por lufta nuk ka mbaruar”, tha Cutts.

“Në këtë lloj mjedisi, është shumë e vështirë të marrësh leje nga të dyja palët në vijën e frontit për të kaluar ndihmat humanitare”, tha ai.

Në veriperëndim të vendit kryengritësit përfshijnë grupe të shpallura si terroristë nga Këshilli i Sigurimit.

Mbikëqyrja nga ana e Kombeve të Bashkuara ka parandaluar që ndihmave t’iu devijohet rruga dhe të arrijnë tek grupet e armatosura, tha Cutts, duke shprehur shqetësimin se humbja e një mbikëqyrjeje të tillë mund të pengojë donatorët në ofrimin e ndihmës.

Dërgesa e ndihmave përmes vijës së frontit është e pamundur për momentin edhe për Durmus Aydin, Sekretar i Përgjithshëm i Fondacionit Humanitar të Ndihmës Turke (IHH).

Ai i tha Reuters se një nga arsyet që kjo nuk është një zgjidhje “është mosbesimi që kanë njerëzit për qeverinë siriane dhe atë ruse”./REL

 

Fraksion.com