AktualitetPolitikëTë fundit

Armela Krasniqi zgjidhet me 83 vota kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovize

Armela Krasniqi u zgjodh  kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Në seancën e fundit të legjislaturës IX, deputetët e Kuvendit votuan dje me 83 vota pro kandidaturën e Armela Krasniqit në krye të AMA-s.

Në garë ishte gjithashtu edhe Alketa Dibra që u votua me vetëm 9 vota.

Armela Krasniqi u zgjodh drejtoreshë e përgjithshme e ATSH-së, në 2017-ën, pas një karriere të gjatë në medie.

Në fillimet e saj, Krasniqi punoi si reportere në Shijak TV, për të vijuar në Televizionin Shqiptar e më vonë si Drejtore e Drejtorisë së Aktualitetit në RTSH apo si drejtuese edicionesh informative e në RTSH, Shijak TV, TVA, si dhe drejtuese emisionesh në RTSH e News24.

Në vitet e gjimnazit (‘92-’95) Armela Krasniqi ka punuar si reportere e me kohë të pjesshme e Radio Tiranës, në emisionet e mëngjesit dhe ato social-ekonomike, duke pasur edhe rolin e drejtueses së emisionit radiofonik.

Aktualisht, Krasniqi është Këshilltar Ekspert në një projekt të Strategy& – Price Water Coopers.

Ajo është zgjedhur përmes votimit të fshehtë nga 32 agjenci europiane të lajmeve për të qenë në bordin drejtues të Agjencive Europiane të Lajmeve. Përveç Krasniqit në këtë bord të zgjedhur janë CEO i DPA (agjencia gjermane e lajmeve), CEO i PA group (agjencia britanike e lajmeve) dhe DG i CTK (agjencia çeke e lajmeve).

Krasniqi mban aktualisht edhe postin e Presidentes së ABNA-SEE (Presidente e Aleancës Ballkanike dhe Juglindore të lajmeve). Krasniqi më herët ka qenë edhe zëdhënëse e Partisë Socialiste gjatë kohës kur ishte në opozitë dhe kjo është një ndër arsyet për të cilën sulmohet nga Partia Demokratike.

Gjatë viteve të fundit disa nga aktivitetet e saj janë:

2018 – Organizimi i konferencës “Agjencitë e lajmeve vs Lajmet e rreme”, në Tiranë.

Po me iniciativë të saj u hartua DEKLARATA E TIRANËS për lajmet e rreme, nënshkruar nga 13 agjenci europiane lajmesh.

2018 – Folëse në Forumin e 6-të Ndërkombëtar Humanitar të Baku-së, në seancën “Politika e dezinformimit”.

Fjala e saj në këtë Forum përzgjidhet nga “Diplomat Magazine”, revista e parë diplomatike në historinë e Holandës dhe publikohet e plotë, në datë 24 nëntor 2018.

2018 – Folëse në konferencën: “Si mund të mbijetojnë mediet në epokën digjitale”, mbajtur në Stamboll.

2018- Bashkorganizatore e konferencave ndërkombëtare “Shqiptarët dhe Serbët – Po më tej?”, të mbajtura në Beograd dhe Tiranë.

2019 – Folëse kryesore në panelin e medias në SPIEF (Forumi Ekonomik Ndërkombëtar) mbajtur në Shën Petërburg. Në të njëjtin panel me CEO të Associated Press, CEO të AFP etj.

2019- Folëse në konferencën: “Media e së ardhmes” mbajtur në Varshavë, në një panel më DG e PAP (agjencia polake e lajmeve) dhe Presidenti i EANA (Aleancës Europiane të Agjencive të Lajmeve.

2019- Folëse në konferencën e moderuar nga CEO i DPA (agjencia gjermane e lajmeve) me temë: “Mundësitë e agjencive të lajmeve në luftën kundër dezinformimit”, në panel me Margaritis Schinas, në atë vit zëvendësdrejtor i përgjithshëm i drejtorisë së përgjithshme të komunikimit në Komisionin Europian si dhe drejtoresha e “The first Draft Coalition” Jenni Sargent. Kjo konferencë u mbajt në Berlin.

2019 – Organizatore e Konferencës “Media & Turizmi – Ide & Zgjidhje”, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të ABNA-SEE mbajtur në Tiranë.

Për t’u përmendur si momente formuese të edukimit të saj:

Praktikë pune në Presidencën e Rajonit të Umbrias, me bursë të ministrisë së Jashtme italiane. Po gjatë kësaj periudhe punë në gazetën “Corriere dell Umbria”.

Praktikë punë në Cabinet Office & Number 10, (kabinetin e Kryeministrit) në Mbretërinë e Bashkuar, me bursë të British Council.

Ajo ka mbaruar me rezultate të larta degën e Gazetarisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës në vitin ’99.

Krasniqi ka lindur në Tiranë më 26 nëntor 1976. Është e martuar dhe ka dy fëmijë.

Po ashtu karriera e Armela Krasniqit përmban edhe dy vëllime me poezi: “Fundi i portreteve” botuar në 1992 dhe “Eklipsi i heshtjes” botuar në 1995.

 

Fraksion.com