AktualitetBota+Të fundit

Zhduket avioni me 28 udhëtarë në lindjen e largët ruse

Zyrtarë rusë thanë se një avion me 28 udhëtarë është zhdukur të martën në Kamchatka, në lindjen e largët të Rusisë.

Një aeroplan Antonov An-26 me 22 udhëtarë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit, që fluturonte nga qyteti Petropavlovsk-Kamchatsky për në qytetin Palana, humbi komunikimin e planifikuar, thanë zyrtarët lokalë të emergjencës. Avioni gjithashtu u zhduk nga radari, tha ministria lokale e transportit.

Avioni i takonte një kompanie të quajtur Kamchatka Aviation Enterprise. Avioni ishte në funksion që nga viti 1982, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass. Drejtori i kompanisë, Alexei Khabarov, i tha agjencisë së lajmeve Interfax se aeroplani ishte në gjendje të mirë teknike.

Autoritetet filluan hetimet dhe operacion kërkimi dhe dy helikopterë dhe një avion janë duke inspektuar rrugën e avionit të zhdukur.

Aeroplani ishte afër uljes kur humbi kontaktin rreth 10 kilometra larg aeroportit të Palanas. Shefja e qeverisë lokale në Palana, Olga Mokhireva, ishte në bord, thanë zëdhënësit e qeverisë në Kamchatka.

Në vitin 2012, një avion Antonov An-28 që i përkiste kompanisë së Aviacionit, Kamchatka, u përplas në një mal ndërsa fluturonte nga Petropavlovsk-Kamchatsky drejt Palanas. Gjithsej 14 persona ishin në bord dhe 10 prej tyre humbën jetën. Të dy pilotët, që humbën jetën po ashtu, u gjet se kishin alkool në gjak, raportoi atëbotë agjencia e lajmeve Tass.

 

Fraksion.com