Zgjedhja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB; Rama: Suksesi më i madh në historinë e diplomacisë shqiptare
Shqipëria u zgjodh me 11 qershor, për herë të parë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB për një mandat 2 vjeçar, i cili fillon më 1 janar 2022. Për kryeministrin Edi Rama ky mandat është një fitore e shqiptarëve.
Gjatë pritjes zyrtare, ku morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, mes tyre edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim, kryeministri Edi Rama renditi edhe axhendën e prioriteteve që vendi do të ketë në Këshillin e Sigurimit. Rama nënvizoi se nuk do të jenë atje për të zënë karrigen, por vendi do të shkojë më një axhende prioritetesh që pasurojnë disa vlera.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi edhe rëndësinë që ka pozicioni i Shqipërisë si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit të OKB edhe për Ballkanin Perëndimor.
“Zgjedhja për herë të parë e Shqipërisë si anëtar i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është jo thjesht një sukses i madh, më i madhi për nga përmasat e impaktit në historinë e diplomacisë shqiptare, por edhe një arsye për të kuptuar se Shqipëria mund dhe duhet të bëjë më shumë për veten dhe për tjerët, sidomos për rajonin tonë. Në vendimin e 11 qershorit në asamblenë e përgjithshme domethënia më e madhe ishte marrja e besimit nga 175 vende”, tha Rama.
“Kjo e Shqipërisë është një arritje domethënëse edhe për Ballkanin Perëndimor, që është ulur në tryezën e përfaqësueses më të madhe në botë vetëm një herë. Pas kryesimit të OSBE, ku lamë një përshtypje të mirë, them se ulja jonë në Këshillin e Sigurimit të OKB rikonfirmon një standard besueshmërie dhe maturie për Shqipërinë”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër kryeministri iu rikthye faktit se pas pandemisë, vlerat globale janë kthyer në vlera ndërkombëtare.
“Ky është një mësim inkurajues për të guxuar më shumë, për të besuar e punuar më shumë, që Shqipëria të bëhet më shpejt, ajo që me siguri do të bëhet një ditë. Afrimi i asaj dite është sfida dhe angazhimi ynë. Unë, së bashku me shumicën e zgjedhur, do ta jetojmë këtë sfidë si arsyen kryesore për t’u zgjuar më herët dhe për të fjetur më vonë, për t’u angazhuar më shumë, për të guxuar, besuar e punuar me të gjitha fuqitë tona, që kjo dekadë të bëhet dekada e ngjitjes, ku dielli të shkëlqejë për të gjithë shqiptarët”, tha Rama.
“Jetojmë në kohëra jo të lehta, që për ne shqiptarët u rënduan nga tërmeti, që i parapriu pandemisë globale, ku dhe ne u përballëm me agresionin frontal të virusit. Edhe mënyra si ja dolëm këtyre ngjarjeve them se është arsye për të guxuar, punuar më shumë. Tërmeti do të jetë jo vetëm një kujtim i së shkuarës, së shpejti, për familjet që humbën shtëpinë. Po ashtu pandemia, që na sprovoi deri në fund, po na provoi se Shqipëria mund të rreshtohet mes atyre që mund të ngjiten lart. Më bëri një vërejtje të bukur e kuptimplotë një mendje e kthjellët “Vlerat që ti i quan evropiane, kur flet për BE, nuk janë vlera ekskluzive të BE, por janë vlera globale”, deklaroi Kryeministri Rama.
Gjithashtu Kryeministri nuk la pa përmendur edhe faktin që ndërsa BE-ja ende e trajton Ballkanin dhe Shqipërinë si të veçuar, vendi ynë tashmë i di vlerat dhe aftësitë e veta në pjesëmarrjen në tryezat ndërkombëtare.
“Sot Ballkani nuk do të ishte i ndarë, deri dhe për vaksinat kundër vdekjes, nga BE, edhe pse jeton fizikisht i rrethuar nga kufijtë e BE, megjithatë në asnjë mënyrë nuk duhet mohuar se është shumë më mirë të jesh i rrethuar nga kufijtë e BE, sesa nga telat me gjemba, brenda të cilëve ishte i izoluar ky vend, kur u anëtarësua nga Kombet e Bashkuara, dhe u deshën tre dekada për të parë nga vetja aftësinë e të qenit të barabartë në tryezat ndërkombëtare”, tha Rama.
Më tej kryeministri Rama prezantoi programin e Shqipërisë si vend anëtar i Këshillit të Sigurimit, duke shpjeguar se barazia gjinore, sfidat në mbrojtjen e mjedisit, lufta kundër diskriminimit vijojnë të jenë prioritete.
“Shqipëria është një vend i renditur në 10 vendet e para në botë, në klasifikimin e OKB, sa i përket barazisë gjinore në qeveri, por jo vetëm. Edhe në nivelet e mëposhtme, Shqipëria ka treguar se besimin te gratë dhe vajzat dhe guximin për t’i përfshirë ato në vendimmarrje i ka gjallë. Jemi të bindur, që nuk jemi vetëm, përkundrazi, jemi me të tjerë që kanë udhëhequr me forcën e shembullit, që gratë dhe vajzat janë thelbësore për paqen dhe sigurinë. Natyrisht që, në KS, ka një axhendë të Kombeve të Bashkuara, për paqen dhe sigurinë dhe ne do të mbështesim në çdo rast, pjesëmarrjen e plotë të grave, në të gjitha përpjekjet paqeruajtëse. Më tutje, ne kemi detyrimin që të kemi një angazhim në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të drejtave ndërkombëtare, sepse jemi një vend që kemi histori dhe shkojmë në KS, si një rajon që ka dhënë mësimin që të drejtat e njeriut dhe ato ndërkombëtare janë shtyllat e pashmangshme të platformës që ndërton shoqëri më të mira. Kjo gjë promovon bashkëpunimin më të fortë mes vendeve dhe zhvillim më të garantuar”, theksoi Rama.
Kryeministri theksoi se Shqipëria ka një përvojë të vetën sa i përket tolerances fetare dhe mund të sjellë këtë eksperiencë në Këshill.
“Nga ana tjetër, sigurisht që Shqipëria ka jo thjesht të drejtë si kush tjetër, por ka të drejtën që të dëgjohet kur vjen puna në tolerancën e plotë fetare dhe për harmoninë mes besimeve të ndryshme, çka për ne është dhe themel i promovimit të paqes dhe mbështetjes sonë, të pakushtëzuar në luftën kundër terrorizmit. Patjetër që ne jemi në pozicionin e duhur, për të mbrojtur me forcë idenë se çdo formë dhe për më keq akoma, çdo formë e re dhe e sofistikuar të antisemitizmit, apo çdo formë tjetër e diskriminimit të myslimanëve, janë krejt të papranueshme dhe kërcënojnë stabilitetin e shoqërive tona dhe botës që ne duam të jetojmë, përtej fjalëve. Patjetër që ne i bashkohemi, nuk jemi ne që kemi diçka më shumë se të tjerët”, vijoi ai.
Rama tha se, “i bashkohemi plotësisht të gjitha përpjekjeve për sigurinë e mjedisit dhe kundër ndryshimeve të klimës. Shqipëria, e ka bërë prezente në forumet e OKB, se do të angazhohet me të tjerët, për të siguruar një lidhje të pandashme mes klimës dhe sigurisë si një koncept më i gjerë. Kjo është një angazhim i madh solem, global, e këtu s’kemi rol tjetër për të luajtur se vetëm të jemi në mbështetje të kësaj nisme”.
“Jam shumë krenar që vendi ynë shkon në KS, si një vend me fizionomi të qartë në arenën ndërkombëtare me SHBA dhe me BE dhe si një vend që pa diskutim ka mundësinë që në të gjithë këtë kohë, kur do të mund të jetojmë nderin e jashtëzakonshëm të jemi në atë tryezë të posaçme, të dalim prej saj me më shumë respekt, besueshmëri dhe me më shumë miqësi të forcuara, shumë faleminderit për praninë tuaj. Sot është më mirë sesa një kohë më parë, nesër do të jetë më mirë sesa sot, mes distancave masive, shumë faleminderit!” – përfundoi Rama.
Fraksion.com