Nis gjyqi për korrupsion ndaj ish-udhëheqësit të krahut të djathtë të Austrisë
Ish-zëvëndëskancelari austriak dhe udhëheqësi shumëvjeçar i partisë së krahut të djathtë, Partia e Lirisë, pritet të dalë para një gjykate më 6 korrik në lidhje me akuzat për korrupsion.
Ngritja e këtyre akuzave e kishte rrëzuar qeverinë austriake më 2019.
Atëbotë u publika një video në të cilën shfaqej politikani, Heinz-Christian Strache, duke i ofruar kontrata në këmbim të donacioneve politike një gruaje e cila paraqitej si investitore ruse.
Takimi ishte zhvilluar në ishullin spanjoll Ibiza në korrik të vitit 2017, tre muaj para zgjedhjeve, të cilat e sollën në pushtet partinë e tij.
Strache kishte udhëhequr Partinë e Lirisë për 14 vjet, por kur shpërtheu skandali ai dha dorëheqje edhe nga partia, e cila prej kohësh dyshohej se ishte e lidhur me interesat ruse.
Publikimi i videos rezultoi me një hetim të gjerë për korrupsion.
Gjyqi ndaj tij zhvillohet nën akuzat se Strache ndihmoi në ndryshimin e një ligji për një donator kur ishte në një qeveri koalicioni me Partinë e Popullit të kancelarit, Sebastian Kurz.
Kur video e takimit të Ibizas u shfaq në 2019, koalicioni u shemb. Pas zgjedhjeve të parakohshme, Kurz u bë kancelar.
Avokati i Strache tha se as ai dhe klienti i tij nuk do të komentonin para ose gjatë procedurave gjyqësore, raporton AFP.
Kurz gjithashtu është nën hetim lidhur me pretendimet se ka bërë deklarata të rreme në një komision parlamentar. Ai e mohon akuzat.
Fraksion.com