AktualitetTë fundit

Katër të shtruar tek Infektivi, kanë hezituar të marrin vaksinën

Në spitalin Covid 1, ndodhen aktualisht katër persona të shtruar me koronavirus, dy prej të cilëve në gjendje kritike.

Të katër pacientët janë femra dhe të moshës mbi 50 vjeç. Dy nga të shtruarat që ndodhen në terapi intensive, raportohet se nuk kanë pranuar të marrin vaksinën dhe në raste të tjera kanë qenë në pritje për ta marrë atë.

Mjekja infeksioniste Esmeralda Meta tha sot se arsye kryesore është hezitimi për të marrë vaksinën kundër koronavirusit të ri Sars-Cov-2.

Mjekja bën thirrje për vaksinim masiv pasi ekziston një klimë pasigurie për shkak të variantit indian Delta.

Kujdes me Delta, në gusht pritet valë e tretë sipas Bratajt

Nëse keni rrufë apo gjendje gripale mos i neglizhoni shenjat, por kërkoni testin e shpejtë për Covid. Varianti i ri “Delta” ka ndryshuar simptomat dhe fillimet e sëmundjes ngatërrohen me rrufën stinore.

“Delta” ka ndryshuar simptomatologjinë, pasi po paraqitet më shumë si rrufë se sa si Covid-i. Ngatërrohet me rrufën dhe gripin. Shenjat kryesore janë dhimbje koke, fyti dhe rrufë, pastaj vjen temperatura. Çdo person që ka këto shenja të kërkojë tamponin, pasi mund të jetë Covid dhe Delta”, u shpreh për A2, Skënder Brataj.

Kreu i Urgjencës Kombëtare thotë se vala e tretë sipas tij do të vijë në gusht, ose më herët nga sa ishte parashikuar.

Sipas tij, brenda verës e gjithë Europa do të dominohet nga varianti “Delta” dhe kjo edhe për shkak të Kampionatit Europian të Futbollit.

 

Fraksion.com