Gjermania siguron strehim për punonjësit afganë dhe familjet e tyre
Gjermania njoftoi se u ka dhënë 2.400 viza afganëve që kanë punuar me forcat gjermane në Afganistan, ndërsa tani po kërkojnë mbrojtje, pasi talibanët kanë shtrirë kontrollin në një pjesë të madhe të vendit.
Më 29 qershor u largua kontigjenti i fundit i ushtarëve gjermanë nga Afganistani, si pjesë e zbatimit të planit për tërheqjen e gjitha forcave të huaja nga ky vend, pas gati 20 vjetësh të fillimit të luftës.
Gjermania ka pasur praninë më të madhe ushtarake, pas Shteteve të Bashkuara.
Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Annegret Kramp-Karrenbauer, tha në muajin prill se Gjermania ka një “detyrim të madh” për të mos i lënë të pambrojtur punonjësit afganë që ndihmuan forcat gjermane.
Zëdhënësi i Ministrisë, David Helmbold tha se që nga tërheqja e trupave, 446 punonjësve lokalë afganë iu lëshuan dokumente udhëtimi për në Gjermani.
Ai sqaroi se jo të gjithë kanë shprehur gatishmërinë të largohen menjëherë nga Afganistani.
“Kishte shumë punonjës lokalë që thanë se duan të qëndrojnë në Afganistan aq sa është e mundur. Por, ata kanë pasur dëshirë që të kenë mundësi të largohen nëse situata e sigurisë përkeqësohet”, u tha ai gazetarëve.
Javën e kaluar, ushtria amerikane u largua nga baza e saj më e madhe ajrore në Afganistan.
Uashingtoni ka thënë se tërheqja e plotë e trupave do të përfundonte në fund të gushtit.
Uashingtoni po kërkon nga Kazakistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani që të strehojnë përkohësisht rreth 9.000 afganë që kanë punuar me forcat ndërkombëtare të udhëhequra nga SHBA në Afganistan, derisa të miratohen lejet e tyre të përhershme të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara ose në vendet aleate evropiane, raportojnë mediat amerikane.
Sipas një marrëveshjeje me grupin militant, të arritur në Doha, SHBA-ja dhe aleatët e saj të NATO-s kanë rënë dakord që t’i tërheqin të gjitha trupat, në këmbim të angazhimit të talibanëve për të mos lejuar Al Kaidën ose ndonjë grup tjetër ekstremist, të veprojë në zonat që ata kontrollojnë.
SHBA-ja dhe forcat aleate janë futur në Afganistan në vitin 2001, pas sulmeve terroriste të Al Kaidës në SHBA, më 11 shtator, 2001./rel
Fraksion.com