Stoltenberg: FSK-së i duhet leje nga NATO-ja që të shkojë në veriun e Kosovës
Gjatë takimeve që pati me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se autoritetet kosovare duhet të respektojnë marrëveshjen ndërmjet NATO-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), që FSK të mos hyjë në pjesën veriore të Kosovës pa marrëveshje me KFOR-in.
“Kjo është diskutuar dhe e mirëpres që autoritet e Kosovës vazhdojnë të mbështetësin marrëveshjen e vitit 2018, që FSK të mos kalojë në pjesën veriore pa marrëveshjen e KFOR-it. Kjo reflekton sensitivitetin e situatës dhe është mënyra më e mirë për të gjetur një balancë. Ne vazhdojmë të mbështesim zgjidhjen e një marrëveshjeje politike në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd” – tha Stoltenberg.
Kurti: Marrëveshje e dëmshme për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë marrëveshje të rikonfirmuar në vitin 2018 ndërmjet NATO-s dhe presidentit të atëhershëm Hashim Thaҫi, e sheh të dëmshme për Kosovën dhe si të tillë një muaj më parë ai e ka dërguar në prokurori. Sipas Kurtit kjo përbën shkelje të Kushtetutës. Në një letër-këmbim të vitit 2013, Hashim Thaçi e ka siguruar shefin e atëhershëm të NATO-s, Anders Fog Rasmussen se FSK-ja “do të ndërmerrte mision në veri të Kosovës vetëm me pajtimin paraprak të KFOR-it”. E Sekretari i tanishëm i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, thotë se kjo marrëveshje është akoma e vlefshme.
“Kjo vlen akoma dhe pasqyron gjithashtu ndjeshmëritë dhe sfidat. Mendoj se është mënyra më e mirë për të vazhduar gjetjen e balancës së duhur dhe shmangien e çdo situate që mund t’i minojë dhe dobësojë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike dhe të çdo gjëje që mund të minojë dialogun Prishtinë-Beograd”, tha Jens Stoltenberg, duke shtuar se “kur nënshkruani një marrëveshje, ajo vazhdon edhe kur keni persona të rinj në pozita përgjegjëse”, tha Stoltenberg duke komentuar vendimin e kryeministrit Kurti për ta dërguar marrëveshjen në prokurori.
Ndjeshmëri dhe sfida
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, po ashtu tha se NATO-ja do të vazhdojë ta mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës, por brenda mandatit të saj fillestar, pra para vendimit të Kuvendit të Kosovës që me anë të ligjit FSK-në e shndërroi në ushtri të Kosovës, por pa ju ndërruar emri.
“Kur është marrë vendimi, unë kam thënë se ka qenë i gabuar. NATO do të vazhdojë të punojë me FSK-në brenda mandatit të saj origjinal. Kjo është ajo që ne e mbështesim”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Përkushtim për anëtarësim në NATO
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, shkroi se “NATO-ja, ka rol vendimtar në lirinë e Kosovës, por edhe për kontributin e tashëm për një ambient të qetë e të sigurt, nëpërmjet trupave të KFOR-it”. Ajo tha se KFOR-i po vazhdon trajnimin e FSK-së, e cila procesin e tranzicionit në ushtri, sipas presidentes, po e kryen konform standardeve të NATO-s, duke qenë e denjë për t`u bërë pjesë e kësaj organizate.
“Ne po punojmë me përkushtim që të anëtarësohemi në NATO. Kemi nevojë për mbështetjen e kësaj organizate edhe me anëtarët e NATO-s, të cilët nuk e njohin Kosovën”, tha presidentja Osmani.
Dialogu me Serbinë
Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur për kërkesën e vazhdueshme të Prishtinës zyrtare për anëtarësim të Kosovës në NATO, tha se “anëtarësimi në NATO bazohet në konsensus. Ne kemi nevojë që të gjithë aleatët të bien dakord. Andaj, mënyra e vetme për të arritur anëtarësimin për këdo, është që të gjithë aleatët të bien dakord”. Sipas tij gjëja më e rëndësishme që Kosova mund të bëjë tani, është të vazhdojë të angazhohet për dialogun me Serbinë./DW
Fraksion.com