Pse dështoi Amerika në Afganistan?
Nga Christina Lamb
Në vitin 2008, unë intervistova komandantin e trupave britanike në Afganistan, Mark Carleton-Smith, në një bazë në provincën e Helmandit, ku trupat ndërkombëtare luftonin çdo ditë kundër talibanëve për një territor që vazhdonte t’u dilte nga kontrolli.
Lufta në Afganistan nuk mund të fitohet dot ushtarakisht, më tha Carleton-Smith. Ai ishte ushtaraku i parë i lartë i koalicionit që e tha publikisht këtë gjë, dhe deklarata e tij bëri bujë në media. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, reagoi menjëherë duke e cilësuar një “disfatist” Carleton-Smith
Trembëdhjetë vjet më vonë, presidenti amerikan Joe Biden, duket se ka arritur në të njëjtin përfundim me ushtarakun britanik. Ai njoftoi në muajin prill, se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqnin të gjitha trupat e tyre të mbetura nga Afganistani në 20 vjetorin sulmeve të11 Shtatorit 2001, duke i dhënë fund asaj që ai e quajti “Luftë e përhershme”.
Por një tërheqje e tillë ishte vetëm një ngjarje e paralajmëruar:Talibanët ishin dëshmuar si një armik kokëfortë, që nuk po shkonte askund, dhe që kontrollonte de fakto gati gjysmë ne territorit të vendit. Arsyet pse shkoi kaq keq një konflikt që dikur cilësohej si “lufta e mirë” (për ta dalluar nga lufta në Irak), trajtohen në librin e ri “Lufta Amerikane në Afganistan”.
Autori i tij Carter Malkasian, është një historian që ka kaluar shumë kohë duke punuar në Afganistan, në fillim si një zyrtar civil në Helmand, dhe më pas si këshilltar i lartë i komandantit të ushtrisë amerikane atje.
Në librin e tij, Malkasian shpjegon sesi ka mundësi që me rreth 140.000 ushtarë në vitin 2011 dhe me disa prej pajisjeve më të sofistikuara në botë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të NATO-s dështuan që të mposhtin talibanët.
Për më tepër, ai pyet sesi ka mundësi që këto fuqi perëndimore harxhuan më shumë se 2 trilionë dollarë dhe humbën 3.500 ushtarë, plus një numër shumë më të madh ushtarësh të plagosur rëndë, duke u angazhuar në atë që ushtaraku britanik dhe të tjerët e dinin prej kohësh se ishte një luftë e pamundur për t’u fituar.
Në fillim ndërhyrja ushtarake në Afganistan u duk një histori suksesi. Shtetet e Bashkuara hynë në Afganistan në tetorin e vitit 2001 me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara, dhe të nxitur nga zemërimi mbarëbotëror për sulmet terroriste të 11 Shtatorit.
SHBA dërgoi bombarduesit B-52, raketat e drejtuara me lazer dhe Beretat e Gjelbra, të cilat bashkëpunuan me milicitë lokale për të rrëzuar talibanët brenda 60 ditësh, me humbjen e vetëm 4 ushtarëve amerikanë (3 si rezultat i incidenteve brenda vetë ushtrisë amerikane) dhe një agjenti të CIA-s.
Operacioni u duk si shembull dhe kushtoi në total 3.8 miliardë dollarë. Presidenti George Ë.Bush e përshkroi atë si një nga “sukseset” më të mëdha të të gjitha kohërave. Talibanët u rrëzuan nga pushteti, Osama bin Laden u arratis në Pakistan, dhe administrata Bush nuk dinte të thoshte se çfarë tjetër synonte të arrinte në Afganistan.
Bush u mburr në janarin e viti 2002 duke thënë se “sot gratë e Afganistanit janë të lira, pas viteve si robina në shtëpitë e tyre”, kur talibanët i pengonin vajzat të shkonin në shkollë dhe gratë të shkonin në punë, si dhe të përdornin buzëkuq apo të qeshnin me të madhe. Por Uashingtoni nuk kishte oreks për rindërtimin e Afganistanit.
Malkasian argumenton në librin e tij se Shtetet e Bashkuara bënë disa gabime të rënda midis viteve 2001-2006, të cilat hodhën bazën për dështimin. Sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, nuk donte të investonte në ushtrinë afgane, dhe deri në fundin e vitit 2003, ishin trajnuar vetëm 6.000 ushtarë afganë.
Kryekomandantët, të cilët shumica e afganëve i fajësojnë për zhytjen e vendit në kaos, endeshin të lirë dhe madje u bënë ministra dhe anëtarë të parlamentit afgan. Njëkohësisht, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre i përjashtuan talibanët nga negociatat për një zgjidhje politike, duke mos e kuptuar se grupimi radikal përfaqësonte një këndvështrim që ndahet nga pashtunët, komuniteti etnik dominues në Afganistan.
Shtetet e Bashkuara duhet ta kishin shfrytëzuar avantazhin e tyre, sugjeron Malkasian, në kohën kur qeveria afgane kishte mbështetje popullore dhe kur talibanët ishin në kaos. Por në vend të kësaj, administrata Bush e cilësoi Afganistanin si një histori suksesi, duke e kthyer vëmendjen nga Iraku.
Talibanët u larguan përtej kufirit në Pakistan, ku u rigrupuan, grumbulluan fonde, rekrutuan të rinj nga medresetë, dhe u stërvitën me ndihmën e shërbimit sekret të Pakistanit (ISI). Shumë nga oficerët të ISI kishin punuar për dekada me udhëheqësit talibanë, dhe ndanin të njëjtat ide.
Pavarësisht kësaj, administrata e Bush jo vetëm që bëri një sy qorr, por i dha Pakistanit 12 miliardë dollarë, më shumë se gjysma e të cilave ishte si një rimbursim për operacionet ushtarake, pasi zyrtarët amerikanë besonin se Islamabadi po e ndihmonte në luftën kundër Al Kaidës.
Nga ana tjetër talibanët kishin edhe diçka më shumë në favor të tyre, atë që Malkasian e quan “lidhja e talibanëve me atë që do të thotë të jesh një afgan”. Zemra e Afganistanit, është atrafi ose fshati, me shtëpitë e tij me mure prej balte, me gra të fshehura nëpër shtëpi dhe fëmijë këmbëzbathur, një mbretëri ku “përveç telefonave celularë, makinave dhe armëve automatike, shekulli XXI është i padukshëm”.
Në këtë hapësirë hynë ushtarët amerikanëme syze dielli. Të huajt e fundit që kishin parë fshatarët ishin sovjetikët që e pushtuan vendin e tyre në vitet 1980. Talibanët ishin në gjendje që ta përdorin atë kujtim si një motivues të fuqishëm në një vend që krenohej me mposhtjen e superfuqive, dhe që nuk ishte kolonizuar asnjëherë.
Malkasian beson se talibanët përfituan edhe nga qëndrimi i tyre si një forcë në mbrojtje të Islamit dhe kundër të jobesimtarëve. Por të dhënat e mia të mbledhura në Afganistan, sugjerojnë një dinamikë disi më të paqartë. Mullahët nëpër fshatra zemëroheshin nga praniae të huajve, por ata i merrnin pagat e tyre nga një qeveri e varur nga të huajt.
Afganët e zakonshëm me të cilët bisedoja shpesh,thoshin se feja ishte më pak e rëndësishme për ta sesa krenaria në historinë e tyre të mposhtjes së superfuqive. Fakti që talibanët paguanin fermerë të papunë, e thelloi akoma më tej avantazhin e grupit.
Për më tepër, siç e përshkruan në detaje Malkasian, talibanët i shfrytëzuan rivalitetet fisnore, të cilat nuk i kuptonin dot forcat perëndimore. Këto të fundit ishin të panjohura me terrenin, si gjeografik ashtu edhe kulturor. Udhëheqja amerikane ishte e shpërqendruar nga Lufta në Irak, dhe kur lufta civile po dilte jashtë kontrollit; Afganistani nuk kishte as një ushtri të aftë për të vendosur rregull.
Talibanët e zgjeruan ndikimin e tyre me mbështetjen e Iranit dhe Rusisë. Po pse Uashingtoni vendosi të tërhiqet pikërisht tani? Tërheqja nga Afganistani ishte një nga premtimet elektorale të Donald Trump. Në vjeshtën e vitit 2018, Trump u tha se gjeneralëve të tij se strategjia e tyre kishte qenë “një dështim total” dhe ai donte të hiqej.
Për herë të parë, bisedimet me talebanët morën një urgjencë reale. Në shkurtin e vitit 2020, Uashingtoni nënshkroi një marrëveshje duke premtuar tërheqje deri më 1 maj 2021. Qeveria afgane u përjashtua plotësisht nga këto negociata. Kur Biden mori detyrën në janar, Kabuli shpresonte që presidenti i ri jo vetëm të vononte tërheqjen, por edhe të linte një forcë të përhershme në vend.
Në fund, tërheqja u shty me vetëm 4 muaj. Duke njoftuar tërheqjen në shtator, Biden argumentoi se Shtetet e Bashkuara duhet të “përqendroheshin në arsyen se pse shkuan në Afganistani, për t’u siguruar që ky vend të mos përdorej më si një bazë nga e cila të sulmohet sërish atdheu ynë”. “Ne e përmbushëm këtë objektiv”.
Por edhe ky argument nuk është plotësisht i qartë. Është e vërtetë, se që prej 11 Shtatorit 2001 nuk ka pasur ndonjë sulm nga Afganistani. Por Al Kaida nuk është zhdukur. Në fakt, situata është më e komplikuar se më parë, pasi ekziston jo vetëm Al Kaeda por edhe Shteti Islamik, qëka kryer sulme vetëvrasëse në Afganistan, përfshirë maternitetet dhe shkollat, sidomos në Kabul.
Kur nisën bisedimet për paqen midis talibanëve dhe SHBA-së në vitin 2019, unë pyeta të rinjtë afganë se çfarë do të thoshte paqja për ta. “Të jesh në gjendje të shkosh për një piknik”- tha njëri. “Të mos pyesësh veten nëse do të rikthehesh sërish në shtëpi kur del për punë apo për të shkuar në shkollë”- tha një tjetër.
Por shumica nuk mundën të jepnin një përgjigje. 70 për qind e popullsisë Afgane është nën moshën 25 vjeçare, dhe luftimet aty kanë vazhduar që nga pushtimi sovjetik i vitit 1979. Këta afganë kanë njohur vetëm luftë. Gjithsesi, afganët nuk e kanë besuar se amerikanët do të qëndronin atje.
Në vitin 2005, në fshatin e largët Shkin, një vend në malet e Afganistanit Lindor ku janë zhvilluar shpesh luftime të ashpra, gjatë ditës unë pashë fshatarët vendas të pranonin të lumtur kujdesin shëndetësor dhe ndihmat e ndryshme nga ushtarët amerikanë, dhe pastaj natën godisnin me raketa bazat e tyre. Kur i pyeta pse ndodhte kjo, ata kishin një shpjegim të thjeshtë: “Një ditë ata do të ikin, por njerëzit e këqij do të jenë akoma këtu”./ Foreign Affairs
Fraksion.com