AktualitetTë fundit

“Nuk mendoj ta mbyll karrierën si prokuror i thjeshtë”; Operacioni ndërkombëtar arreston prokurorin e Vlorës Maksim Sota, në pranga edhe shefi i sektorit kundër trafiqeve

Një operacion i gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave po zhvillohet ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe Drejtorisë së Hetimit Antimafia Italiane, ku si rezultat janë lëshuar 38 urdhër-arreste, nga këta 10 persona të arrestuar më parë.

Report Tv mëson se është arrestuar prokurori i Vlorës, Maksim Sota i cili është në ‘arrest shtëpie’, në pranga ka rënë edhe Ilirjan Balla, aktualisht shefi i sektorit kundër trafiqeve në Vlorë, dhe ky i fundit në ‘arrest shtëpie’.

Të arrestuar janë edhe Festim Lelaj, ish-oficer policie si dhe Saimir Kurti drejtor i zyrës së punës në Kavajës.

Prokurori i prangosur sot nga SPAK, Maksim Sota, e ka pasur aspiratë të tij të bëhej pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Ai ka kandiduar, madje ka shpalosur edhe platformën e tij se do të bënte në këtë strukturë shumë të rëndësishme të hetimit.

“Unë kam mbi 10 vjet i emëruar si prokuror në Vlorë.  Unë kam hetuar dosja nga të gjitha veprat penale, nga më të vështirat deri te ato më të thjeshtat. Një nga arsyet kryesore që paraqita kërkesën për të qenë kandidat i Prokurorisë së Posaçme sepse kam qenë gjatë gjithë karrierës sime i predispozuar për të hetuar, në kuptimin e plotë të fjalës hetim dhe jo thjesht si rutine pune.

Nuk mendoj ta mbyll karrierën si prokuror i thjeshtë. Unë ndjej më shumë kënaqësi kur kam hetuar dosje vërtet të vështira. Mendoj se nëse unë bëhem pjesë e SPAK kjo strukturë do të ketë hetime  më të mira”, tha Sota para Këshillit të Lartë të Prokurorisë më 17 korrik 2019.

Kujtojmë se arrestimet po kryhen në Shqipëri, Itali, Spanjë dhe në Mal të Zi, ndërsa po ashtu është urdhëruar edhe konfiskimi i disa pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, që kapin vlerën e disa miliona eurosh.

Përveç fenomenit të korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave, u zbardh i gjithë “zinxhiri i furnizimit” të drogës në lidhje me kultivimin, prodhimin, grumbullimin, magazinimin dhe dërgesën në brigjet e Puglias.

Ndërkohë bëhet me dije se në lidhje me këtë operacion, janë lëshuar urdhër-arreste edhe në Vlorë, por ende nuk ka më shumë detaje. Operacioni antidrogë po zhvillohet nga Anti-Mafia italiane, SPAK dhe Policia e Shtetit.

1625210949_Screenshot3.jpg

 

Fraksion.com