“Shfuqizimi i pikës 3”; 34 deputetët e pavotuar: Çfarë mund të sjellë zbardhja e vendimit e GJK?
Gjykata Kushtetuese vendosi më 30.06.2021 shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor si të papajtueshëm me Kushtetutën. Pika e shfuqizuar thekson: “Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, sipas nenit 162 të këtij Kodi. Në çdo rast, herësi nuk mund të jetë më shumë se 10 000 vota. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt”.
Në natyrën e vendimeve të GJK aktet e saj, sidomos ato zgjedhore, nuk kanë fuqi prapavepruese, pra përcaktojnë rregulla për të ardhmen, megjithatë mbetet për tu specifikuar vendimi i detajuar dhe pozita ligjore në raport me parlamentin e ri. Instituti i Studimeve Politike (ISP) vlerëson se vetëm zbardhja e plotë e vendimit do të përcaktojë detaje të rëndësishme, ku më kryesori është përcaktimi mbi afatet dhe efektin dhe më pas edhe mënyra sesi partitë do ta lexojnë vendimin në kundër të standardeve të zgjedhjeve dhe të reformes së ardhshme elektorale.
Pavarësisht se përbërja e parlamentit të ri nuk do të ndryshojë dhe efektet e heqjes së pragut për herësin të jetësohen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, publiku, media, ekspertët dhe vetë politikanët e cenuar nga ky nen, tashmë antikushtetues, do ta përdorin vendimin e GJK për të vënë në dyshim legjitimitetin e një pjese të deputetëve, të cilët nëse vendimi do të ishte aplikuar në zgjedhjet e 25 prillit, nuk do të ishin pjesë e parlamentit të ri 2021-2025.
Sa është numri i deputetëve që nuk do të ishin më deputetë nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të ishte zbatuar nga KQZ në dhënien e mandateve nga zgjedhjet e 25 prillit? Të dhënat e përpunuara nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) tregojnë se 34 nga 140 deputetë ose 24% e parlamentit të ri nuk do të ishin zgjedhur dhe as mandatuar si deputetë, për shkak të numrit të votave që ata kanë marrë nga qytetarët.
Tabela bashkëngjitur ilustron listën e plotë të deputetëve dhe të partive politike që do të humbnin mandatin dhe listën e deputetëve që do të fitonin mandatin nëse formula e përcaktuar nga GJK do të ishte zbatuar më 25 prill 2021.
Për lehtësi vlerësimi tabela pasqyron edhe votat e deputetëve që kanë fituar mandat për shkak të pragut mbi 10 mijë vota të herësit, si dhe votat e deputetëve që nuk kanë arritur të fitojnë mandat edhe pse janë më të votuar nga qytetarët.
Midis emrave që do të humbnin mandatin bien në sy ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, kryetari i PBDNJ Dule, numri dy në LSI Vasili, deputetë të njohur si Bushka, Felaj apo Bylykbashki, etj. tabela pasqyron të dhënat e detajuara bazuar në secilin qark. Nga deputetët që do të siguronin mandat parlamentar janë edhe emrat e njohur Majko, Kodheli apo Beqja nga PS, Spahia, Dogjani dhe Cara në PD, Spahia e Kërpaçi në LSI, etj.
Në nivel të partive politike, PS do të duhej të zëvendësonte 14 deputetë ose 18% të grupit, PD 16 deputetë ose 27% të grupit, LSI 2 nga 4 deputetë e shprehur në 50% të grupit dhe PSD 3 nga 4 deputetët, pra 67% të grupit. Në total do të humbnin mandatin parlamentar duke u zëvendësuar 34 deputetë ose 24% e numrit total të deputetëve në parlamentin e ri.
Analiza të tilla statistikore të realizuara nga ekspertët e Institutit të Studimeve Politike (ISP) në këndvështrimin e vendimit më të ri të Gjykatës Kushtetuese vlejnë për të nxjerrë në pah faktin sesi një praktikë tashmë antikushtetuese mund të tjetërsojë votën dhe vullnetin qytetar në masën 24% duke sjellë në parlament së paku 34 deputetë më pak të votuar sesa 34 të tjerë që penalizohen për shkak të sistemit zgjedhor të përcaktuar nga Kuvendi në korrik 2020.
Të dhënat janë elementë kritikë sesi partitë politike nuk kanë arritur të përfshijnë në listat e kandidimit individë me mbështetje elektorale, por kanë përdorur skema e formula taktike që sigurojnë mandate me legjitimitet të cunguar.
Të dhënat janë gjithashtu një bazë e mirë referuese për reformën e ardhshme elektorale dhe për nevojën jetike të partive politike për një sistem karriere dhe merite brenda tyre, përpara paraqitjes së listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Instituti I Studimeve Politike (ISP)
NUK DO ISHTE NGA PS DO FITONTE NGA PS
Olta Xhaçka Bledi Çomo
Edona Bilali Pandeli Majko
Klotilda Bushka Mimi Kodheli
Najada Como Plarent Ndreca
Lavdrim Krashi Dionis Ymeraj
Edona Bilali Ilir Beqaj
Alban Xhelili Denis Deliu
Florenc Spaho Shkëlqim Bullari
Klevis Xhoxhi Albana Hana
Ismet Beqiraj Mirela Pitushi
Tatiana Piro Adela Hysenaj
Enslemvera Zake Arian Jauplllari
Shpresa Marnoj Gentian Malotaj
Ermonela Valikaj Dallëndyshe Bici
NUK DO ISHTE NGA PD DO FITONTE NGA PD
Oerd Bylykbashi Igli Cara
Vangjel Dule Ivi Kaso
Albana Vokshi Petrit Doda
Mesila Doda Orjela Nebijaj
Flutura Açka Eugen Isai
Alfred Rrushaj Asllan Dogjani
Dhurata Çupi Edmond Isaku
Greta Berdeli Bardh Spahia
Lindita Metaliaj Elda Hoti
Merita Bakiu Manjola Luku
Zheni Gjergji Qani Xhafa
Nusret Avdulla Agron Kapllanaj
Eralda Bano Eduard Sharka
Sorina Koti Andrea Mano
Emilja Koliqi Ludovik Hasani
Arbi Agalliu Gëzim Ademaj
NUK DO ISHTE NGA LSI DO FITONTE NGA LSI
Erisa Xhixho Përparim Spahiu
Petrit Vasili Floida Kërpaci
NUK DO ISHTE NGA PSD DO FITONTE NGA PSD
Meri Markici Serdar Hoxha
Gertjan Deda Besart Meta
Fraksion.com