“Covid-19 nuk është zhdukur”; Manastirliu: Po marrin masat për të parandaluar një valë tjetër në shtator
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, foli në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, për situatën me koronavirusin në vendin tonë. Manastirliu tha se Shqipëria e ka kaluar tashmë riskun nga virusi, por sipas saj, Covid-19 nuk është zhdukur apo nuk ka ‘vdekur’ akoma.
Mes të tjerash, ministrja iu bëri apel të gjithë qytetarëve, që të paraqiten pranë qendrave të vaksinimit për t’u injektuar, duke shtuar se vaksinimi është ‘arma’ kryesore për të luftuar virusin.
“Do ishte mirë sikur të thonim sot që ka ardhur vdekja e virusit, por nuk mund ta themi këtë. Ajo që themi është se prej 15 javësh Shqipëria është në një situatë të kontrolluar. Kjo për faktin se kemi një fillim të vaksinimit shumë shpejt. Por, edhe masat e targetuara përgjatë gjithë periudhës 15-mujore kanë dhënë rezultatin e tyre. Nuk mund të themi që Covid është zhdukur apo ka ‘vdekur’, pas ka ende një qarkullim. Sigurisht Shqipëria tashmë ka dalë nga zona e riskut, falë masave që janë marrë në kohë. Ne si vend kemi ndërmarrë hapa shumë të rëndësishëm në raport me luftën ndaj virusit, kryesisht me vaksinimin. Dy rastet e identifikuar sot janë raste me simptoma, që kanë rezultuar pozitivë. Ndërsa rastet që janë në spital, nuk janë të vaksinuara. Janë dy zonja 61 dhe 67 vjeç, që janë në shërbimin Infektiv dhe po marrin shërbim, por nuk janë në situatë të rënduar. Për këtë bëj një apel për të gjithë qytetarët e pavaksinuar, që të mos humbasin kohë dhe të shkojnë në qendrat e vaksinimit. Te grupmoshat e vaksinuara shihet se ka rënë infektimi, ndaj dhe kjo tregon që vaksinimi po jep rezultate. Në Shqipëri kanë mbërritur mbi 1 milion doza, ndërsa në total kemi administruar mbi 970 mijë, bashkë me vaksinimet e kryera sot”, tha Manastirliu.
E pyetur se pse vaksinimi i hapur ishte vetëm dy ditë, ministrja Manastirliu theksoi se “Kjo pasi grupmoshat më të rriskuara duhet të kenë prioritet. Me mbërritjen e vaksinave, hapet edhe fasha e grupmoshave. Ditët e hapura i shërbejnë edhe një vetëdijësimi të popullatës për të rritur ndërgjegjësimin e vaksinimit. Ne kemi mësuar shumë në raport me atë që ka ndodhur në këto 15 muaj të pandemisë. Përvoja e vitit të kaluar, kur u hapëm në muajt e verës, solli një rritje të numrit të infektimeve në shtator, duke hyrë në valën e dytë, por me kufizimet që vumë, Shqipëria nuk e përjetoi valën e tretë. Jemi duke punuar për të marrë masat për kontrollin e pandemisë. Sa më shumë dhe sa më shpejt të vaksinohen, aq më shumë jetë shpëtohen. Ne po përgatitemi dhe për vaksinimin e gripit, që do duhet të jetë i kombinuar me vaksinimin anti-Covid. Por po përgatitemi dhe me kapacitetet spitalore”.
Fraksion.com