Von Cramon: Optimiste për afrim qëndrimesh Kosovë-Serbi
“Shpresoj që në javët e ardhshme, muajt e ardhshëm do të shohim një afrim të pozicioneve, kjo bëhet përmes negociatave dhe nuk është e papritur për mua që të kemi pozicion maksimal në njërën anë dhe pozicion maksimal në anën tjetër”, tha Cramon. Sipas saj, propozimet e reja të kryeministrit Kurti në dialog janë të mirëpritura, por nuk mund të jetë kundër marrëveshjeve ekzistuese.
“Ne duhet të kemi zotimin nga kjo qeveri, se ata janë të gatshëm për këtë dialog dhe se do të punojnë mbi marrëveshjet ekzistuese, asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Nëse dikush vjen me propozime të reja është shumë mirë edhe për audiencën e brendshme, është mirë për idetë e reja, por natyrisht nuk mund të jeni kundër marrëveshjeve ekzistuese”, u shpreh Von Cramon. Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, gjatë vizitës në Kosovë takoi udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës. Në këtë takim, kryeministri Kurti dhe von Cramon diskutuan për takimin e 15 qershorit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuҫiq.
Ujdi se nga dialogu duhet të përfitojnë qytetarët
Sipas kryeministrit Kurti, rreth ҫështjes së të zhdukurve të luftës, “Serbia duhet t’i hapë arkivat dhe të tregojë vendndodhjen edhe të varrezave të tjera që dyshohet se janë në Serbi”. Kryeministri Kurti dhe Viola von Cramon, sikurse thuhet në njoftim të qeverisë, “u pajtuan se dialogu i ri për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë një proces konstruktiv dhe i qartë, nga i cili përfitojnë qytetarët”. Edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në takim me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, foli për dialogun Kosovë-Serbi, ku sipas presidentes “ky proces duhet të përmbyllet me njohje nga ana e Serbisë dhe se marrëveshjet e arritura duhet të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve”.
Raportuesja për Kosovën Viola von Cramon duke folur për marrëveshjen e nënshkruar me 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për përmirësimin e raporteve ekonomike, tha se ajo nuk është e sigurt, nëse administrata e re amerikane do të insistonte në zbatimin e saj.
“Nuk jam e sigurt se BE-ja ka qenë plotësisht në pajtueshmëri me këtë, apo e ka përkrahur. Unë jam për dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe administrata e re Biden është me rëndësi që të ketë harmonizim edhe me të dërguarin e veçantë z. Palmer lidhur me harmonizimin e raporteve të Uashingtonit dhe BE-së për çështjen e dialogut”, tha von Cramon.
Franca ende bllokon liberalizimin e vizave
Raportuesja për Kosovën duke folur për çështjen e liberalizimit të vizave, ka shprehur keqardhje dhe e ka quajtur të gabuar vendimin e Francës për mosdhënie të dritës së gjelbër për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, as në vizitën e fundit që pati në Paris kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Ajo përsëriti qëndrimin se Kosova i ka plotësuar kushtet teknike dhe tha se BE-ja po e humbet kredibilitetin në këtë proces. “Shpresoj që në një moment do të shohim qëndrime më pak të polarizuara dhe mjedis politik më të përshtatshëm në Francë. Unë kam shpresuar që gjatë presidencës së Gjermanisë në BE vitin e kaluar do të qe e mundur ta kishim këtë temë në agjendë, ndërkohë që të gjithë e dimë se Kosova i ka përmbushur kushtet teknike edhe komisioni dhe shtetet e tjera do të dëshironin që të marrin dritën e gjelbër për liberalizim të vizave. Në fund të fundit është çështje e Këshillit të Evropës dhe në këtë pikëpamje ka disa anëtarë të këshillit që janë ende skeptikë dhe hezitojnë”, tha Viola von Cramon.
Sidoqoftë, trysnia e faktorit ndërkombëtar rreth dialogut Kosovë-Serbi po shtohet dita – ditës duke kërkuar që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje për përmirësim të raporteve. Takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq do të mbahet me datën 25 korrik i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Njëra ndër çështjet që këto ditë u bë objekt debati në mediat në Prishtinë dhe Beograd, por jo nga institucionet e të dyja vendeve, ishte njëraport i SHBA-së mbi liqenin e Ujmanit që pritet të jetë pjesë e bisedave Kosovë-Serbi. SHBA-ja ia dorëzoi qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, që është pjesë e marrëveshjes së 4 shtatorit 2020 nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në prezencë edhe të presidentit të atëhershëm Donald Trump. Me këtë marrëveshje synohet përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi. Në raportin e Departamentit amerikan të Energjisë, propozohet formimi i një komisioni apo komiteti për lumin Ibër që gjendet në pjesën veriore të Kosovës që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore siç është liqeni i Ujmanit. Liqeni i Ujmanit është një liqen artificial i ndërtuar në shtratin e lumit Ibër, në veri të Kosovës./DW
Fraksion.com