Kundër banditëve buzë detit
Nga Enver Robelli
Katër të vrarë në Velipojë për shkak të një konflikti idiotik mes dy pronarëve të hoteleve për shfrytëzimin e hapësirave publike pranë detit.
Mbi 20 plumba të shkrehur në një lokal në Sarandë.
60 shtretër plazhi të djegur në Dhërmi pas një konflikti për shfrytëzimin e vijës bregdetare.
Një bandit i njohur me nofkën “Ujku” arrestohet në Sarandë pasi tentoi ta djeg me benzinë lokalin e një biznesmeni. Bëhet fjalë për lokalin e njëjtë ku u hap zjarr në fundjavë
Ngjarja e tmerrshme e Velipojës u bë lajm edhe në mediat gjermane. Krime të tilla janë helm kundër turizmit në Shqipëri.
Qeveria shqiptare duhet të reagojë me vendosmëri për të parandaluar këso krimesh. Duhet të shtohet prania e policisë në vijën bregdetare.
Patrullimet duhet të jenë të rregullta. Çdo konflikt duhet të merret seriozisht nga autoritetet, të cilat duhet të ndërhyjnë menjëherë.
Sepse çdo krimi i paraprinë fjalosja, kërcënimet etj. Turizmi është një degë e rëndësishme e ekonomisë shqiptare.
Nuk duhet lejuar që këtë degë ta dëmtojnë banditët që duke shfrytëzuar kaosin me prona në Shqipëri e marrin ligjin në dorë.
Imazhi i një vendi nuk përmirësohet lehtë. Dhe imazhi i një vendi dëmtohet rëndë nëse shpeshtohen këso ngjarjesh si në ditët e fundit në Shqipëri.
Fraksion.com