Konsullatat amerikane në Rusi do t’i pezullojnë shërbimet
Konsullatat amerikane në Rusi do t’i pezullojnë operacionet e tyre nga 1 gushti, për shkak të mungesës së stafit.
Deri këtu ka ardhur pasi Rusia ka kufizuar numrin e shtetasve të saj, që lejohen të punojnë në zyrat e misionit diplomatik.
Ambasadori amerikan në Rusi, John Sullivan, tha se konsullatat nuk do të jenë në gjendje t’i përpunojnë aplikimet për viza, për shkak të shkurtimeve të stafit, dhe shtoi se një gjë e tillë do t’i prekë qytetarët dhe bizneset, si në Rusi, ashtu edhe në SHBA.
Në muajin prill, Rusia ka njoftuar për dëbimin e dhjetë diplomatëve amerikanë dhe i ka ndaluar misionet diplomatike amerikane të punësojnë shtetas rusë dhe shtetas të vendeve të treta, në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e SHBA-së.
SHBA-ja i ka vënë sanksione Rusisë dhe ka dëbuar disa diplomatë rusë, nën akuzat se Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA dhe se ka kryer disa sulme kibernetike atje.
Ambasada amerikane ka thënë se shkurtimet nënkuptojnë zvogëlim për 75 për qind të fuqisë punëtore konsullore.
Më shumë se 1,000 shtetas rusë kanë punuar në misionet diplomatike të SHBA-së në Rusi deri në vitin 2017, por numri ka rënë si pasojë e përkeqësimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Më 16 qershor, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, janë takuar në Gjenevë dhe, mes tjerash, kanë rënë dakord për kthimin e ambasadorëve në të dyja vendet.
Ambasadorët janë tërhequr në prill, për shkak të rritjes së tensioneve të ndërsjella.
SHBA-ja ka sanksionuar Rusinë edhe për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014 dhe mbështetjes së vazhdueshme të konfliktit separatist në lindje të Ukrainës./rel
Fraksion.com