“Goska” vë në pranga 4 shtetas, tentativë për kultivim të bimëve narkotike
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë kanë finalizuar sot operacionin “Goska”, duke bërë të mundur arrestimin e 4 shtetasve për tentativë të kultivimit të bimëve narkotike.
“Si rezultat i kontrollit të territorit dhe informacioneve të marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Goska’, në kuadër të të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: H., 31 vjeç, A. L., 25 vjeç dhe J. H., 33 vjeç, të tre banues në Tiranë dhe M. F., 17 vjeç, banues në Kukës”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë.
“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vendin e quajtur “Përroi i Goskës”, në fshatin Lajthizë të Njësisë Administrative Qafë Mali, kishin hapur një sipërfaqe toke në një zonë të pyllëzuar dhe kishin bërë gati kubikët me fidanë kanabis sativa për t’i kultivuar në tokë”, thuhet në njoftim.
Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.
Fraksion.com