Erdogan: Kanali i Stambollit hap një faqe të re në historinë e zhvillimit të Turqisë
Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi se kanë hapur një faqe të re në historinë e zhvillimit të Turqisë duke hedhur themelet e Urës “Sazlidere” të Kanalit të Stambollit.
Me anë të një mesazhi të shoqëruar me infografik nga llogaria e tij në rrjetin social “Twitter”, kreu i shtetit turk vuri në pah se ata do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të ndërtuar vepra të reja për vendin dhe kombin.
Pasi risolli në vëmendje se projekti i Kanalit të Stambollit u bë publik më 27 prill 2011, Presidenti Erdogan vijoi me këto fjalë: “Vetëm gjatë hartimit të projektit morën pjesë 204 ekspertë, përfshi këtu 51 shkencëtarë nga 11 universitete të ndryshme. Në 304 pika të ndryshme përgjatë vijës së kanalit u realizuan 248 studime gjeofizike me shpime mbi 17 mijë metra të thella. Në punimet e modelimit morën pjesë 3.500 persona nga 35 vende të ndryshme. Linja më e pranueshme dhe më frytdhënëse u përcaktua sipas kërkimeve shkencore midis 5 alternativave të ndryshme.”
Ai bëri me dije gjithashtu se Kanali i Stambollit, mbi të cilin do të ndërtohen 6 ura, do të jetë 45 kilometra i gjatë, 275 metra i gjerë dhe 20,75 metra i thellë.
Duke sqaruar se hapësira midis dy këmbëve të Urës “Sazlidere” të Kanalit të Stambollit do të jetë 440 metra, gjatësia e përgjithshme 1.618 metra dhe gjerësia e platformës 46 metra, Erdogani tha se lartësia e kullave të saj, të cilat janë projektuar me “gjeometrinë e diamantit”, do të jetë 196 metra.
Mes të tjerash, lideri turk saktësoi se me përfundimin e seksionit Basaksehir-Bahçesehir-Hadimkoy, emetimet e karbonit do të ulen me 32.126 tonë dhe do të kursehen gjithsej 717,2 milionë lira në vit, prej të cilave 641,7 milionë lira nga koha dhe 75,5 milionë lira nga hidrokarburet.
Fraksion.com