AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: BE nuk cakton dot vendndodhjen tonë në mes të Europës

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot në Shkup një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama tha se, “rastësia e solli që në të njëjtën ditë kur duhet të flisnim për atë që nuk ndodhi në Bruksel të jemi këtu në një forum të rëndësishëm ekonomik. Unë besoj që kjo është një mundësi për të thënë se çfarë do ndodhë, apo nuk ndodh në Bruksel, ne jemi shumë të vendosur që të vazhdojmë me të gjitha forcat, të rrisim ekonominë, të rrisim mirëqenien, të rrisim krenarinë dhe forcën e dinjitetit të popujve tanë”.

“BE mund të caktojë detyra për integrimin, mund të caktojë afate për këto detyra, mund të caktojë data, por BE nuk cakton dot as vendndodhjen tonë në mes të Europës, as kulturën tonë dhe identitetin tonë europian, as të ardhmen e popujve tanë si popuj europianë, në familjen europiane, në shtete europiane, me standardet politike institucionale, ekonomike europiane”, – tha ai.

Në vijim, Rama shtoi se Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj, që në kohën e Gjergj Kastriotit dhe ka rikonfirmuar zgjedhjen e saj qysh në epokën e Rilindjes shqiptare. Për shqiptarët dielli lind aty ku perëndon dhe e ardhmja jonë është aty ku Zoti na ka caktuar të kemi tokën tonë, në zemër të Europës. Për mua, në fakt në këtë pikë, kemi një dallim jo problematik me Zaev, sepse për mua nuk ka ndodhur asgjë tjetër përveçse BE ka dështuar përsëri të mbajë premtimet, t’i rrijë angazhimit dhe të jetë në qëndrimin e duhur. Jeta vazhdon dhe progresi do të vazhdojë me të gjitha forcat, sepse ai nuk është i imponuar nga jashtë, por është i imponuar nga brenda nesh. Bashkëpunimi rajonal do të vazhdojë me të gjitha forcat dhe më të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, që janë të gatshme të shtyjnë përpara pa rezerva, sepse ky rajon është i rrethuar nga kufijtë e BE-së dhe nëse ne nuk e ndryshojmë dot mënyrën e funksionimit të Bashkimit Europian në raport me ne, ne mund, duhet të ndryshojmë vijimësisht mënyrën e funksionimit tonë në raport me njëri- tjetrin. Dhe shkrirja e kufijve mes nesh për ta kthyer rajonin tonë në hapësirën e zbatimit të plotë të të katër lirive të Bashkimit Europian: lirisë së lëvizjes së njerëzve, lirisë së lëvizjes së mallrave, lirisë së lëvizjes së shërbimeve dhe kapitaleve do vazhdojë pa u ndalur, sepse ne jemi shumë të vegjël për të pasur ekonomi të forta, duke qëndruar të ndarë nga njëri-tjetri, dhe përndryshe, ne jemi mjaftueshëm të mëdhenj nëse me njëri-tjetrin e kthejmë rajonin në një hapësirë të përbashkët ekonomike.

Në përgjigje të interesit të medieve mbi negociatat, Kryeministri Edi Rama tha se “nuk ka të bëjë me ne, aspak. Ka të bëjë me vetë Bashkimin Europian. Edhe një herë, nuk jam i shqetësuar dhe nuk është se sinqerisht po humbas gjumin për këtë, sepse kam gjëra shumë më të rëndësishme për të mbetur pa gjumë. Ajo çfarë është thelbësore është se kemi bërë punën tonë dhe si ne, ashtu dhe Maqedonia e Veriut kanë thënë që kemi bërë punën tonë dhe kaq është e gjitha. Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë, sepse puna jonë nuk ka mbaruar dhe kur ata të jenë gati, duhet të na e thonë”.

“Sfida për ne është të ndërtojmë një shtet europian, institucione europiane, standarde europiane, ekonomikisht dhe nga pikëpamja sociale në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Ballkanin Perëndimor, sepse kjo është ajo çfarë kërkojnë fëmijët tanë dhe kjo është ajo çka meritojnë vendet tona. Më pas, nëse vendosin që të ecim më përpara në proces, jemi shumë të lumtur. Nëse jo, sinqerisht, nuk jam i palumtur”, – tha ai.

Në lidhje me qëndrimin bullgar, Kryeministri Edi Rama tha se, “unë nuk do të thoja qëndrimi bullgar. Çdo vend, çdo shtet në BE mund të ketë momentet e veta të shkëputjes nga pjesa tjetër e familjes së Bashkimit Europian, por, siç e tha Zorani, kjo nuk ka të bëjë me Maqedoninë e Veriut dhe Europën. Kjo lidhet me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Kaq e thjeshtë, dhe kjo është arsyeja pse kjo është një përvojë e tillë. Megjithatë, mendoj që unë dhe Zorani jemi lexuesit më të mëdhenj të Samuel Beckett “Në pritje të Godosë”, por në të kundërt të krijesave të Samuel Beckett, Vladimiri dhe Estragoni, ne nuk po presim, ne po ecim përpara. Ne po shtyjmë gjithmonë e më përpara, për ta bërë jetën e popujve tanë, jetën e vendeve tona më të mirë e për t’i bërë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë shtete europiane, me standardet e një vendi anëtar. Në rregull? Pra, çfarë mund të bëjmë më shumë? Ne e duam Bashkimin Europian, i duam të gjithë. Ata na thonë që na duan, por nuk janë gati të martohen. Në rregull, ne shijojmë lirinë, derisa të martohemi”.

“Të kërkosh drejtësi nga procesi i integrimit të Bashkimit Europian është njësoj si të kërkosh një punë të lumtur nga Samuel Beckett. Po, presim Godonë”, – tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri Edi Rama shtoi se “po ta shihja do të isha magjistar. Askush nuk e shikon. Por jam i sigurt që Zorani është 10 vjet më i ri se unë dhe ka 10 vjet kohë për ta zgjidhur”.

“Shengeni Rajonal, siç e quaj unë – sepse këto me “mini” nuk i kam pjesë të sfidave të mia, – nuk është alternativë e BE-së, por është domosdoshmëri për të ardhmen e ekonomive tona, e fëmijëve tanë dhe e paqes së sigurt në këtë zonë. Kush ngatërron Shengenin Rajonal, pra, zbatimin e katër lirive të BE-së, me një alternativë të vetë BE-së ose nuk kupton, ose nuk do të kuptojë, sepse është absurde të mendosh se duke qenë se ne duam të gjithë të jemi pjesë e BE-së, duhet të rrimë me kurriz nga njëri-tjetri në këtë rajon. Është absurde të mendosh se duke qenë se ne të gjithë duam të integrohemi në BE, mallrat, eksportet, importet, brendapërbrenda rajonit duhet të presin në radha të pafundme, duke e goditur drejtpërdrejtë organizmin e ekonomisë sonë. Është absurde të mendosh se duke qenë se ne duam të bëhemi shtete anëtare të BE-së, atëherë nuk duhet të merremi me lëvizjen e lirë të njerëzve brendapërbrenda rajonit tonë. Kjo është absurditet. Por, e thashë, këta njerëz që i fryjnë këtij absurditeti ose nuk kuptojnë, ose nuk duan të kuptojnë. Me ata që nuk kuptojnë, do të vazhdojmë të shpjegojmë. Me ata që nuk duan të kuptojnë, do t’i lëmë të vazhdojnë të jetojnë në botën e tyre paralele me realitetin e ekonomive, e shoqërive, e hapësirës sonë të përbashkët, që fatkeqësisht, akoma nuk është e përbashkët dhe patjetër duhet të bëhet e përbashkët në të gjithë rajonin. Shumë  e thjeshtë”, – tha në fund Kryeministri Rama.

 

Fraksion.com