AktualitetBota+Të fundit

Minsku: Sanksionet e Perëndimit, të ngjashme me shpallje lufte ekonomike

Bjellorusia i konsideron sanksionet perëndimore kundër saj si të afërta me një deklarim lufte ekonomike, tha përmes një deklarate Ministria e Jashtme bjelloruse të martën.

Ministria komentoi një ditë pasi SHBA, BE, Britania dhe Kanadaja thanë se po bashkërendojnë veprimet për të ndëshkuar me sanksione disa zyrtarë të lartë bjellorusë në përgjigje të uljes së detyruar të një avioni pasagjerës muajin e kaluar me qëllim që autoritetet bjelloruse të arrestonin një gazetar kritik ndaj regjimit.

Bashkimi Evropian ka thënë se po analizon edhe sanksione ekonomike ndaj disa prej produkteve më të rëndësishme të eksportit bjellorus si mineralet e papërpunuara dhe naftën.

“BE-ja vazhdon me veprime të qëllimta shkatërrimtare kundër popullatës bjelloruse, në mënyrë që, gjoja “të thajnë burimet financiare të regjimit”. Por në fakt, këto akte janë thuajse shpallje e luftës ekonomike,” thuhej në deklaratë.

Kontrollorët bjellorusë të trafikut ajror më 23 maj urdhëruan një avion të firmës Ryanair, që udhëtonte nga Greqia në Lituani, të zbriste në Minsk ku autoritetet arrestuan një nga pasagjerët e avionit, gazetarin Raman Prataseviç.

Zoti Prataseviç është bashkëthemelues i një kanali transmetimesh në një aplokacion që ndihmoi për organizimin e protestave kundër regjimit të Presidentit Aleksander Lukashenko.

Që nga arrestimi i tij, gazetari 26-vjeçar është parë në një transmetim në televizionin shtetëror ku me lot në sy shprehte keqardhje për veprimet e tij dhe lavdëronte zotin Lukashenko. Kritikët e regjimit thonë se Raman Prataseviç dha një deklaratë të imponuar me forcë nga autoritetet./voa

 

Fraksion.com