AktualitetLife StyleTë fundit

“Foli fjalë fyese për Enver Hoxhën”; Telegram urgjent nga New Yorku: Aleksandër Kondo telefonoi në misionin tonë…

Publikohet historia e panjohur e Aleksandër Kondos, legjendës së peshëngritjes shqiptare që humbi jetën në moshën 27 vjeçare në rrethana tragjike dhe ende të pazbardhura plotësisht, gjatë një aksidenti automobilistik në Queens New York të SHBA-ve, ku ishte vendosur si emigrant politik pas arratisjes nga Shqipëria në majin e vitit 1985, duke qëndruar në Jugosllavinë e asaj kohe, pas kthimit të ekipit kombëtar nga Kampionati Europian i Peshëngritjes që ishte zhvilluar ato ditë në Poloni. Dosja e plotë voluminoze e ish-Sigurimit të Shtetit në ngarkim të Aleksandër Kondos, e deklasifikuar prej Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra faqe që i përkasin periudhës nga viti 1981 kur filloi ndjekja operative dhe survejimi i rregullt ndaj tij nga ana e shërbimeve sekrete të regjimit komunist, e deri në vitin 1987, kur ajo dosje ua arshivua përfundimisht, pas vdekjes së tij tragjike.

Në Tiranën e fillim viteve ’80-të, jo vetëm për sportdashësit e shumtë por edhe më gjerë tek të rinjtë e kryeqytetit shqiptar, ra në sy dhe spikati një djalosh i ri, asokohe në moshën 20 vjeçare, si për portretin e fizikun e tij, ashtu dhe për pamjen e jashtme, me veshjet e modës së huaj, i cili në krahaqafë mbante çantën e sportit që s’e hiqte kurrë nga supi dhe në krahun tjetër, një radio-magnetofon të madh, që ai i sillte nga jashtë shtetit kur dilte me ekipin kombëtar të peshëngritjes në aktivitet ndërkombëtare. Ai ishte Aleksandër Kondo, pjesëtar i ekipit të peshëngritjes “Dinamo” të Ministrisë së Punëve të Brendshme (ku asokohe shërbente si ushtaraku i lartë në Gardën e Republikës, edhe i ati i tij), dhe gjithashtu i ekipit kombëtar, i cili në ato kohë, falë edhe vlerësimit dhe trajtimit të diferencuar që i bënte regjimi komunist në fuqi disa sporteve të rënda, kishte arritur rezultate të larta edhe në arenën ndërkombëtare.

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

Emri i Aleksandër Kondos si sportist filloi të bëhej gjithnjë dhe më i njohur, sidomos pas rezultateve të tij të larta të arritura në vitin 1984, në Pallatin e Sportit “Partizani” të kryeqytetit, kur ai fiksoi shifrat 200 kg. (në stilin e shtytjes) duke elektrizuar mijra sportdashës, (atë ditë më shumë spektatorë ishin jashtë pallatit të sportit se sa brenda tij), të cilët nën duartrokitjet e shumta, nuk largoheshin nga sheshi para pallatit, pa e parë nga afër atë djalosh, që i kishte mahnitur me rezultatet dhe performancën e tij. Që nga ajo ditë, Sandër Kondo, pothuaj u kthye në një mit në Tiranë dhe Shqipërinë e asaj kohe, pasi rezultatet e tij erdhën gjithnjë e në ngritje, jo vetëm në kampionatet kombëtare, por edhe në arenën ndërkombëtare ku ai vazhdimisht kishte rezultate të larta.

Por shumë e shumë më tepër nga kjo periudhë kohe kur Sandër Kondo, ishte në kulmin e karrierës, emri i tij u bë edhe më i njohur dhe filloi të diskutohej në mbarë vendin, në fundin e majit të vitit 1985, kur gjatë një aktiviteti ndërkombëtar në kuadrin e Kampionatit Europian të Peshëngritjes që zhvillohej në Varshavë të Polonisë, (ku ai ngriti 210 kg.), Kondo nuk u kthye më në Shqipëri, por së bashku me shokun e tij të ekipit, shkodranin Xhelal Sukniqin, nga Mali Zi shkuan në Beograd, në pritje për të fituar azilin politik për në SHBA-ve.

 

Ngjarja e arratisjes së dy sportistëve shqiptarë bëri bujë të madhe jo vetëm për shkak të emrit dhe famës së madhe që kishte Aleksandër Kondo asokohe, por edhe për shkak se ajo ngjarje u bë objekt “sherri” në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, pasi Tirana zyrtare asokohe akuzoi hapur publikisht (në gazetën “Zëri i Popullit”), autoritetet jugosllave, duke thënë se dy sportistët shqiptarë ishin rrëmbyer prej shërbimeve sekrete jugosllave (UDB-së) dhe kërkoi kthimin e tyre në atdhe.

 

Por ai pretendim i Tiranës zyrtare, nuk kishte asgjë të vërtetë, pasi Kondo dhe Sukniqi e përgënjeshtruan atë gjë në takimin që u bë në Beograd, në mes përfaqsuesve të ambasadës shqiptare dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj, e palës jugosllave, ku Sandër Kondo, pasi shau mbarë e prapë regjimin komunist të Enver Hoxhës, tentoi të godiste me tavëll duhani edhe diplomatin shqiptar, që ngulte këmbë se ai duhej të kthehej në Shqipëri, ku e priste familja dhe gjithë shoqëria.

Pas kësaj, Sandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi fituan azilin politik për në SHBA-ve, ku Sukniqi ndodhet akoma, ndërsa Kondo, humbi jetën në një aksident automobilistik, më 1 maj të vitit 1987, (gjithnjë sipas versionit zyrtar të regjimit komunist të asaj kohe), dhe eshtrat e tij u kthyen në Shqipëri në vitin 2003.

Të gjitha këto tashmë janë të njohura prej vitesh, pasi për Aleksandër Kondon si legjenda e peshëngritjes shqiptare është shkruar shumë dhe babai i tij, Vangjel Kondo, ka dhënë disa intervista si në median e shkruar dhe vizive, madje janë bërë dhe disa dokumentarë televizivë, për të gjithë jetën dhe historinë e tij, deri ditën që u nda nga kjo jetë. Por përsëri, “Çështja Aleksanër Kondo”, ende nuk është zbardhur plotësisht, sidomos ajo pjesë që ka të bëjë me vdekjen e tij tragjike e cila vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, si dhe survejimin që i është bërë atij nga ana e Sigurimit të Shtetit Shqiptar dhe segmenteve të tij që në vitin 1981, gjë e cila u bë publike për herë të parë nga ana e Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, e drejtuar nga znj. Gentjana Mara Sula, e cila në vitin 2018, i dorëzoi dosjen familjes Kondo, apo më saktë babait të tij, Vangjel Kondo.

Në atë dosje që z. Vangjel Kondo i’a ka besuar ekskluzivisht për botim Memorie.al, hidhet dritë dhe bëhet e ditur, vlerësimi, trajtimi dhe i gjithë survejimi e përndjekja, që i është bërë asokohe nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, një prej sportistëve më në zë të Shqipërisë, siç ishte Aleksandër Kondo, i cili ishte mjaft i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Nisur edhe nga ky fakt, Memorie.al do e publikoj të plotë dosjen në fjalë (me faksimilet përkatëse), në disa numra të rubrikës dossier.

Vijon nga numri i kaluar

Relacioni i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, lidhur me qëndrimin e Kondos dhe Sukniqit në Jugosllavi dhe sjellja e deklaratat e tyre në ditët e para të vajtjes në SHBA-ve

SEKRET

Ekzemplar i vetëm

Tiranë më 2.4.1986

B.S. me tel. 321 datë 27.3.1986 nga New York njofton shokun S.R.

Gjatë kohës së qëndrimit në Jugosllavi, A. Kondo dhe Xh. Sukniqi, janë trajtuar shumë mirë nga organet jugosllave. Me ta, kanë mbajtur kontakte të shpeshta dhe janë shfrytëzuar për të marrë prej tyre të dhëna të shumta mbi gjendjen në Shqipëri. Ata kanë folur shumë keq, duke theksuar sidomos diktaturën e egër, frikën e popullit nga organet e Sigurimit, gjendjen e rëndë ekonomike, etj. Ata, kanë dhënë informacione të karakterit ushtarak, sidomos për dislokimin e reparteve ushtarake, llojet e armatimit, stërvitjet e ndryshme, punimet mbrojtëse, etj.

Kur kanë qenë atje ata, janë mbajtur nën kontroll për të mos u ndodhur gjë. Të dy kanë pranuar propozimin për t’u vënë në shërbim të jugosllavëve, e për të punuar për llogari të tyre në Perëndim. Ata u përdorën si dëshmitarë nga jugosllavët për dy të arratisur nga……………………………..njëri prej të cilëve është dënuar me burg, kurse tjetri akoma jo. Ata u akuzuan nga jugosllavët, se ishin dërguar nga Sigurimi Shqiptar për eliminimin e Aleksandrit dhe Xhelalit. Sikurse ju kemi njoftuar ata, mbërritën këtu më 5 shkurt. Fillimisht qëndruan dy javë në banesën e…………………………pastaj u vendosën në një vend në afërsi të New Jersey për disa ditë.

Ka gati dy javë që janë vendosur në një hotel në afërsi të selisë sonë. Ky hotel edhe më përpara është përdorur dhe vazhdon të përdoret akoma për strehimin e të arratisurve nga Shqipëria. Gjatë kohës që janë këtu kanë marrë e vazhdojnë të marrin kontakte me të arratisur të tjerë nga Shqipëria, por edhe me krerë të emigracionit. Të dy, zhvillojnë propagandë të shfrenuar kundër nesh.

Asnjëri nga ata nuk ka shprehur pendim për aktin e kryer. Jo vetëm kaq, por ata kanë thënë se do të japin intervistë në televizionet vendase dhe në “Zërin e Amerikës”. Kanë bërë dhe deklarata se do të ndërmarrin veprime të bujshme ndaj nesh. Më i acaruar theksoi burimi ynë, duket Aleksandri. Lidhur me këtë burimi ynë, tërhoqi vëmendjen që të bëjmë kujdes pasi ata mund të ndërmarrin ndonjë veprim.

Teli është parë nga shoku Ministër dhe Drejtori që shënon:

Degës së III, VI, Drejtorisë së I-rë

U nxor një kopje për subversivin, e një për Degën e VI

Puntori Operativ

F.R.

Relacionet e Oficerit të Drejtimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, lidhur me njeriun që i priti Kondon e Sukniqin në SHBA-ve e deklaratat e tyre kundër regjimit komunist në Shqipëri

Sekret

Ekzemplar i vetëm

Tiranë më 3.4.1986

Misioni ynë në New York me telin nr.286 datë 24.3.1986 njofton MPJ:

I arratisuri Aleksandër Kondo, u prit në New York nga……………………dhe zogistë të tjerë. Në bisedë me ta ka thënë se në takimin që ka pasur me shokët e ambasadës sonë në Beograd, është shprehur shumë ligësht dhe që ndaj të tjerëve u paska thënë shokëve tanë se dhe me florinj të ma shtronin nuk kthehem në Shqipëri. Për këtë bisedë, bënë fjalë zogistët në emisionin e fundit të radios. Ky tradhtar na telefonoi dhe neve në mision. Tha se kërkon të takohet me shokët e misionit. Ne e sikterisëm. Vumë re që ky i poshtër ka dhënë materiale që reaksioni shqiptar këtu, të propagandojë se tani po arratisen nga Shqipëria, fëmijë të zyrtarëve me përgjegjësi në ushtri dhe në pushtetin popullor.

Nxirret në një kopje për dosjen e personit në lëndë.

Oficeri i Drejtimit

F.H.

Sekret

Ekzemplar i vetëm

Tiranë më 4.4.1986

New York me tel 333 datë 1.4.1986 T. Urgjent njofton shokun S.R.:

Ju njoftojmë me përgjegjësi se i arratisuri Aleksandër Kondo, ndodhet këtu dhe nuk ka bërë ndonjë lëvizje prej këtej.

Teli është parë nga shoku S.R. i cili shënon: Përpunimi i tij bashkë me atë të Xh. Sukniqit t’i kalojë Degës së VI.

U nxor në një kopje për A. Kondon

Oficeri i Drejtimit

F.H.

Relacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, lidhur me telegramin shifër të ardhur nga New York, lidhur me takimet e bisedat e Aleksandër Kondos me emigrantë shqiptarë në SHBA-ve

Sekret

Ekzemplar Nr 2

Tiranë më 29.4.1986

B.S me tel nr 447 datë 19.4.1986 njofton nga Nju Jorku:

Burimi “6403”

Në prezencë të A.D., Aleksandër Kondo, është shprehur për motivet që e shtynë që të arratiset ishin, urrejtja për sistemin politik në Shqipëri dhe dëshira për të bërë qejf në Perëndim. Vendimin e kishte marrë bashkë me Xhelal Sukniqin, që përpara nisjes. Jugosllavët, sipas tij në fillim i kishin pritur mirë por më pas, i kishin futur në burg (Aleksandrin) sepse kishte goditur një polic dhe e kishin trajtuar keq e për këtë, fliste me urrejtje për ta.

Sapo mbërritën që në ditët e para u zhgënjyen. Priste të shihte mrekullira, para me grushta, e nderime të veçanta, por asnjeri nuk e çau kokën për të. I kanë vendosur në një hotel në New York dhe u japin ndonjë para sa për të thënë, se askush nuk pyet për ta. Ka shumë kohë që përpiqen për punë, por askush nuk i ndihmon. Ky është shqetësimi kryesor i tij, se në rast se nuk gjen punë, do të kthehet në Europë, konkretisht në Itali ose Belgjikë, për t’u stabilizuar përfundimisht. Shprehu keqardhjen për prindërit dhe tha se duhet t’i kenë internuar, por kjo punë nuk korigjohet më.

Sipas tij në 7-8 vjet, do të ndryshojë pushteti në Shqipëri sepse do vijnë të rinj liberalë. Këtë gjë mund ta bënte dhe udhëheqësi i ri, por nuk e la gruaja e udhëheqësit që vdiq, e cila ka gjithë pushtetin në dorë. Më të poshtër janë ata të Sigurimit që kontrollojnë çdo njeri. Mendon se ka bërë gabim që u arratis, sepse atje jetonte shumë mirë dhe mund të priste ndryshimin e regjimit. Ka dëshirë të stabilizohet për punë në ndërtim, pasi është i fortë fizikisht dhe mund të fitonte para. I vjen keq që humbi sportin.

Sipas…………………………….që është shoqëruar me Aleksandër Kondon, këto kohë ai është shqetësuar shumë nga jeta dhe vështirësitë, por nuk shprehet asnjëherë i penduar për arratisjen. I vjen keq për familjen, së cilës i bëri dëm por thotë se kjo punë mbaroi. Shprehet me urrejtje për regjimin, por nuk ka shfaqur ndonjëherë dëshirë për tu hakmarrë ndaj komunistëve, që i internuan familjen dhe nuk ka marrë letra prej tyre. Flet me urrejtje për jugosllavët e amerikanët, që ai shpresonte se do t’a trajtonin mirë si sportist të dëgjuar. Përveç tiranasve nuk është shoqëruar me ndonjë person tjetër nga emigracioni.
Sipas……………………………..dhe OKLL, nuk kanë asnjë shpresë për të siguruar ndihmë dhe përkrahje nga administrata e Reganit, megjithë shpresat që patën varur kur ky u zgjodh President. L. Zogu, sa herë ka shkuar në SHBA, ka kërkuar që të takohet me Reganin ose ndonjë person të autorizuar prej tij, por pa rezultat. Regani ka harruar që ekziston L. Zogu, në këtë botë.

Gjendja jonë financiare është përtokë dhe tani pritet që Leka të vijë në SHBA, për të kërkuar kontribute nga zogistët. Po kush do t’ja japë?! Unë shpresoj që të botoj së shpejti numrin e gazetës, por s’ka para. Po nuk pati para së shpejti nuk do ketë as OKLL, dhe as veprimtari kundër Shqipërisë. Ajo që flasin se na ndihmojnë fuqitë e mëdha, bëhet veç për propagandë e kush ka mënd e kupton të vërtetën.

Telin e kanë parë shoku H.I., R.L., S.R., pa shënime.

U nxor për burimin A. Kondon, Xh. Sukniqin, dhe A.D.

Puntori Operativ

A.Th.

Relacion i Oficerit të Drejtimit për telefonatën e bërë nga Aleksandër Kondo në Misionin shqiptar pranë OKB-së dhe kërcënimet që ai bëri ndaj tyre me fjalët ofenduese për Enver Hoxhën

Sekret

Ekzemplar i vetëm

Tiranë datë 10.4.1986

Shoku B.S. me telin “T. Urgjent”, datë 7.4.1986 me nr.393 nga New York njofton:

Në mbrëmjen e datës 6 prill, mori në seli i arratisuri Aleksandër Kondo. U ndodh vetë B.S. dhe foli me të. Ai kërkoi edhe një herë që të takohej e të bisedonte. I’u tha shkurt, që me njerëz si ai që kanë tradhëtuar atdheun, nuk kemi asnjë punë. Në përgjigje ai tha “unë jam armik e tradhtar i qeveris, dhe jo i atdheut“. Nuk e zgjati më bisedën B.S. dhe i mbylli telefonin.

Shënon se me datën 28 shkurt, ishte bërë një telefonatë kërcënuese në seli. Edhe në këtë rast u ndodh B.S. Ai gjatë kërcënimeve dhe presioneve u shpreh se: “Së shpejti keni për të më njohur se kush jam”. Gjithashtu foli fjalë shumë ofenduese për shokun Enver, etj. Nuk e zbuloi identitetin e tij, por nga biseda e fundit u bindëm plotësisht se edhe në këtë rast ka qenë Aleksandër Kondo.

Problemin e tij e kanë në ndjekje.

Teli është parë nga shokët Ministër e S.R. pa shënime.

Oficeri i Drejtimit

D.M.

Relacioni i Misionit Shqiptar pranë OKB-së në New York, lidhur me telefonatat dhe bisedat që Kondo dhe Sukniqi kanë bërë me një nga punonjësit e Misionit

Sekret

Tiranë në 22.4.1986

Misioni në New York me tel nr.424 datë 15.4.1986

Ka telefonuar përsëri në mision, i arratisuri Aleksandër Kondo. Në telefon u ndodh shoku I.Zh. e pranë tij shoku M. Gj. Ai tha: “Jam Aleksandër Kondo dhe e di se çfarë do më thoni si herën tjetër, por desha t’ju them vetëm se: unë e di krimin që kam bërë kundrejt atdheut, kam bërë me turp familjen dhe njerëzit e mi, nuk do të ngre dorën kundër atdheut, nuk do të ngatërrohem me armiqtë e Shqipërisë. Më kanë bërë presion të punoj tek “Zëri i Amerikës” dhe nuk kam pranuar e nuk do të pranoj kurrë. Fajin e kam vetë, e nuk ma ka njeri, kam vendosur të kthehem në Shqipëri.

Do t’i shkruaj letër familjes, për t’i marrë mendimin për t’u kthyer. Burgu që do bëj në Shqipëri, është kamp pushimi në krahasim me jetën burg që bëhet këtu”. Ai kërkoi të takohet me shokët e Misionit, por shoku I. Zh., i’a preu shkurt se, nuk kemi punë me të. Pas 15 minutash mori Xhelal Sukniqi. Ai tha se e ka ndier rëndë krimin që ka bërë karshi atdheut e familjes, dhe nuk do të ngrejë dorë kurrë ndaj atdheut. Jeton akoma në një hotel. Tërheq vëmendjen se disa ditë më parë Aleksandër Kondo, telefonoi dhe foli ndryshe me B.S. i cili u ndodh në telefon. Për këtë bisedë dhe një kërcënim të mëparshëm, kanë njoftuar me telin nr.384

Nxori

J. P.

Datë 22.4.1986

Relacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit për telegramin shifër të ardhur nga New York, lidhur me komentet e bëra nga Radio Shqiptare e organizatës së Legalitetit, për Kondon dhe Sukniqin

Sekret

Ekzemplar Nr. 2

Tiranë më 24.4.1986

Shoku B.S. nga New York me Rg. Nr.396 datë 9.4.1986 njofton:

Në datën 23.3.1986, Radio zogiste dha një koment për dy sportistët tanë A. Kondo dhe Xh. Sukniqi që kanë mbërritur në SHBA, ku përshkruhen hollësira nga takimi i tyre me shokët tanë të ambasadës në Jugosllavi dhe refuzimi i prerë sikur t’ua shtronin me florinj. A. Kondon e paraqitën si djalin e gjeneral Kondit, komandantit të Gardës sonë. Sipas radios, arratisja e djalit të një gjenerali, pasqyron pakënaqësinë e madhe që ka përfshirë rininë nga rradhët e së cilës po largohen jashtë shtetit, gjithnjë e më shumë të rinjtë që janë bijtë e nomeklaturës shqiptare.

Komentatori zogist, vazhdoi me thirrjen që emigracioni duhet të bëjë kujdes me ta. T’i gjejë punë e t’i stabilizojë me banim, e të mos i lejojë që të marrin rrugën e keqe e të torturohen burgjeve të Shqipërisë, duke u kthyer prapë në atdhe, siç ka ndodhur në ndonjë rast. Po kështu porositi, që të gjithë të jenë vigjilentë ndaj spiunëve, që dërgonte Sigurimi Shqiptar, që sipas tij, do të gjinden në krahët e miqve të tyre në SHBA, ku sipas detyrave të Sigurimit do përpiqen të gjejnë mbështetje.

Hollësirat me postë.

Rg është parë nga shoku Ministër.

Shoku S.R. shënon që duhet të njoftohet Drejtoria e Parë.

U nxor në 3 kopje, për “Legalitetin”, A. Kondon, dhe Xh. Sukniqin

Puntori Operativ

E.M.

Relacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, lidhur me telegramin shifër të ardhur nga New York, për qëndrimin e bisedat e bëra nga Kondo dhe Sukniqi me emigrantët shqiptarë atje

Sekret

Ekzemplar nr

Tiranë më 3.5.1986

B.S. me tel.477 datë 22.4.1986, njofton nga New York……………………kanë takuar rastësisht në parkun e qytetit të New York të arratisurit ………………………të cilët, folën me dashuri për atdheun dhe familjet e tyre, të penduar për tradhëtinë dhe me shpresë se një ditë do të riktheheshin në vendlindje, për të përfituar nga ndonjë amnisti.

Thonë se shikojnë punën e tyre, dhe nuk ngatërrohen me emigracionin politik që fillimisht u përpoq t’i bënte për vete. Thanë se tiranasit e tjerë si…………………………..mbajnë qëndrim të mirë. ………………………..për shkak të kontrabandës së drogës, nga frika e organeve të vendit dhe sidomos e lidhjeve, që kanë me disa nga shokët në burg, nga bashkëpunimi i…………………………….me FBI-në, janë fshehur dhe nuk dalin në publik.

Thanë se kohët e fundit janë stabilizuar në New York, Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi të cilët, banojnë veç e veç. I pari në hotel, ndërsa i dyti tek disa miq shkodranë të arratisur më parë. A. Kondo, qëndron ende në hotel dhe paguhet me 50 dollarë në javë, nga Organizata e Refugjatëve. Tre javët e para A. Kondo, qëndroi tek……………………….. kishte thënë që zogistët ishin përpjekur t’a bindnin që ta intervistonin e ta nxirrnin në radio-televizion, por ai nuk kishte pranuar.

Ishte mërzitur kur kishte marrë vesh, që zogistët e kishin nxjerrë në radion e tyre dhe ishte nxehur me ta. Para 10 ditësh, i ishte mbushur mëndja që të kthehej në Shqipëri, por më pas kishte ndryshuar mendim, nga frika se mund të dënohej rëndë. Bashkë me Xhelalin, po përpiqen që të stabilizohen në një apartament me qera dhe të zënë ndonjë punë për të mbajtur veten. Aleksandri është shumë i mërzitur dhe i dëshpëruar nga gjendja e rëndë, sepse priste diçka tjetër.

Teli është parë nga shoku Ministër pa shënime.

U nxor në 6 kopje. Memorie.al

Puntori Operativ

A.Th.

Vijon në numrin e ardhshëm

 

Fraksion.com