“Gati për Shqipërinë”; Rama prezanton një grup tjetër aplikantësh
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot sesionin e pestë të bashkëbisedimit me një grup tjetër aplikantësh të nismës “Gati për Shqipërinë”.
Kryeministri theksoi se “ky cikël sesionesh online sipas fushave, na mundëson njohjen me të interesuarit dhe eksplorimin së bashku të mundësive e formave të bashkëpunimit me ta”.
Ndërkohë, tha ai, “aplikimet vazhdojnë të priten në adresën gatipershqiperine@kryeministria.al”.
“Unë jam me ministren e Drejtësisë, me zv/ministren e Brendshme, me Kryetarin e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese në parlament me zv/ministren e Drejtësisë dhe zv/ministren e Arsimit. Pas këtij takimi do të keni një takim të dytë më të ngushtë dhe më të gjerë me ministrat përkatës”, tha Rama në fillim të bashkëbisedimit.
Aplikantja e parë, një studente e doktoraturës në të drejtë ndërkombërtare në Paris tha se prej dy vitesh është aktiviste e partisë së Presidentit Macron dhe mund të japi ide dhe bashkëpunim frytdhënës mes qeverisë sonë dhe kësaj partie.
Një tjetër aplikante tha se studimet universitare i ka kryer në Frankfurt dhe ka punuar në një radiotelevizion gjerman. “Dëshiroj të marr pjesë në programet e turizmit”, tha ajo.
Aplikantja tjetër tha se është diplomuar si juriste nga universiteti i Tiranës dhe ai i Nju Jorkut në të drejtën ndërkombëtare speciale. “Jam specializuar në luftën kundër korrupsionit, antitrafikut, antiterrorizmit. Jam e hapur për bashkëpunim nëse kualifikimet e mia përshtaten me kërkesat që ju keni për projekte të ndryshme”, tha ajo.
Në prezantimin e saj, një studente doktorature në Universitetin e Vjenës në Austri tha se momentalisht është në pritje të mbrojtjes të temës dhe ka punuar pranë Misionit të Republikës së Shqipërisë në organizata ndërkombëtare në Vjenë. “Arsyeja pse jam këtu sot është për të shprehur interesin për t’u përfshirë në përfaqësimin diplomatik të Republikës së Shqipërisë në organizata ndërkombëtare në Vjenë”, tha ajo.
Një tjetër i ri u shpreh është i punësuar në Kinë, si lektor i historisë së luftës së ftohtë. “Kam bërë një doktoraturë në Hong Kong dhe do të kisha shumë dëshirë që të më jepej mundësia të kthehesha në Shqipëri dhe në mënyrë aktive të merrja pjesë në përpjekjen për t’i dhënë një formë ndërkombëtarizimi arsimit shqiptar me idenë që të lidhet me arsimin europian dhe me vlerat që ai përcjell”, tha ai.
Një tjetër aplikante tha se ka përfunduar studimet e larta pranë universitetit të Romës, La Sapienza, për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare. “Kam punuar për një organizatë joqeveritare në Bruksel që merret me të drejtat e qytetarëve europianë brenda dhe jashtë BE-së dhe më pas vendosa të kthehem në Romë. Prej disa viteve kam punuar pranë kompanive të ndryshme turistike. Do isha shumë e interesuar të merresha me flukset migratore, duke qenë se vitet e fundit Shqipëria gjendet në pozicionin e një vendi tranzit për refugjatët drejt BE-së”, tha ajo.
Klaudia Shullazi nga Kruja tha se ka mbaruar shkenca politike në Universitetin e Tiranës dhe master në universitetin e Salsburgut në integrim dhe qeverisje. “Jam specializuar në studime europiane kështu që kontributin tim dua ta jap pranë Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Gjatë studimeve në Austri kam punuar si kërkuese shkencore në një Institut që është marrë kryesisht me studime për procesin e europianizimit në Europën Lindore”, tha ajo.
Fraksion.com