AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha “non grata” nga SHBA, Patozi: E këshilloj të tërhiqet. Hajdari: Do të ketë një fushatë të madhe antikorrupsion ndaj zyrtarëve të lartë

Në Absolut 4 ku ishin të ftuar, ish-drejtuesi i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi dhe Rudina Hajdari, u pyetën edhe për shpalljen “non grata” të Sali Berishës nga SHBA.

Patozi u shpreh se kjo është një ngjarje shumë e rëndë për Berishën, ndërsa këshillon ish-kryeministrin të tërhiqet. Patozi shprehet se ky është një mesazh i qartë për të gjithë dhe tashmë nuk mund të kursehet askush.

“Është një ngjarje shumë e rëndë, sidomos për Berishën. Mënyrë që ai ka zgjedhur është pak fëmijërore, krahasuar me politikën që ai ka bërë në këto 30 vjet. Unë do i thosha që të gjente një mënyrë për t’u tërhequr, pasi do të ishte zgjidhja më e mirë për atë vetë. Vendimi i DASH nuk mund të interpretohet si një çështje që ka të bëjë me rolin e Berishës për kufijtë e Kosovës apo të Soros për të ndihmuar Ramën. Këto janë argumente folklorike, por përdoren për trushpëlarët brenda vendit që Berisha të dalë i pacenuar edhe pse ai është i cenuar goxha. Është një gjë që ka nisur shumë vite më përpara, por u agravua në kulmin e debatit për reformën në drejtësi.

Ky është një sinjal i qartë për Bashën dhe do të shërbente për t’i dhënë fund një marrëdhënie hipokrizie mes Berishës dhe Bashës. Tani ata janë të detyruar që të përballen me të vërtetën, të mos fshihen pas njëri-tjetrit. Berisha ka bërë sikur nuk ka asnjë rol në vendimet e Bashës. Kjo histori duhet të mbyllet. Nëse u lihet në dorë atyre të dyve, nuk mbyllet kurrë.

Patozi u shpreh më tej se pas këtij vendi asgjë nuk është si më parë. “Kur nuk u kursye Berisha, nuk mund të kursehet askush tjetër, madje për të tjerët është shumë e lehtë për të marrë edhe vendim ekstrem”, tha Patozi.

Ndërkohë, Rudina Hajdari u shpreh se është nisur një fushatë e gjerë antikorrupsion ndaj zyrtarëve të lartë. “Vë re një përqasje të re të SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor dhe korrupsionin e vlerësojnë si një çështje shumë të rëndësishme dhe do ta çojnë deri në atë nivel që ta cilësojnë si kërcënim të sigurisë kombëtare. Mendoj se kjo do të ketë pasoja të tjera dhe një fushatë të madhe antikorrupsion ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë shqiptare. Do të shikojmë edhe ngjarje të tjera në vijim. Ky nuk është lajm i keq për Shqipërinë. SHBA dhe BE e konsiderojnë Shqipërinë si një pikë strategjike.

Uroj që të ndodhë për të gjitha anët. E kemi parë shumë mirë se çfarë ka ndodhur në këto 8 vite. Ka shumë politikanë të korruptuar”, u shpreh Hajdari.

 

Fraksion.com