AktualitetPolitikëTë fundit

“Deri në fund në zemrën time”; Rama lë Vlorën, mban mandatin e deputetit në qarkun e Durrësit

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, i cili u shpall fitues si deputet në qarkun e Durrësit dhe të Vlorës, ka zgjedhur të mbajë mandatin e deputetit në Durrës.

Sipas njoftimit për shtyp të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kryeministri Rama i ka kthyer përgjigje KQZ-së ku thekson se “në bazë të tabelave përmbledhëse të rezultateve të votimit për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zonat zgjedhore qarku Durrës dhe Vlorë në zgjedhjet për Kuvendin e datës 25 prill rezulton se unë kryetari i Partisë Socialiste kam fituar mandatin e deputetit në këto dy qarqe”.

“Në zbatim të pikës 3 të nenit 67 të ligjit nr.1010019 datë 29.12.2008 “Kodi zgjedhor në Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar me vullnetin tim të lirë zgjedh të mbaj mandatin e deputetit në qarkun e Durrësit”, shprehet Rama.

Kryeministri Rama në numër votash preferenciale ka arritur të marrë më shumë vota në total në qarkun e Durrësit. Në Durrës Rama mori 15 047 vota, ndërsa në qarkun e Vlorës  mori 11 412 vota.

Ndërsa ka reaguar pas marrjes së vendimit duke theksuar se Vlora është në zemrën e tij dhe nuk do të ndahet kurrë, por zgjodhi Durrësin pasi është vendi ku Mandati i Tretë duhet të sjellë një hop të ri, jo vetëm për qytetin bregdetar po për gjithë Shqipërinë 2030.

”Vlora ishte, është dhe do jetë deri në fund në zemrën time, kështu që me mandat pa mandat, unë nga Vlora nuk ndahem as sot as mot, ndërkohë në mendjen time Durrësi është vendi ku Mandati i Tretë duhet të sjellë një hop të ri, jo vetëm për atë qytet po për krejt Shqipërinë 2030”, shkruan Rama në Twitter

 

Fraksion.com