“Asnjë stërvitje në Egje gjatë sezonit turistik”; Mevlut Çavusoglu: Greqia duhet të heqë dorë nga provokimet
Mevlut Çavusoglu mbajti një konferencë për shtyp me rastin e mbylljes së Forumit të Diplomacisë së Antalies.
Në përgjigje të pyetjes “A do të jetë e mirë kjo verë midis Turqisë dhe Greqisë?”, shefi i diplomacisë turke risolli në kujtesë se pas tensioneve të vazhdueshme në Egje dhe Mesdheun Lindor, ata filluan një dialog, zhvilluan negociata dhe rifilluan bisedimet eksploruese me Greqinë.
Duke shpjeguar se ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, vizitoi Turqinë dhe ai gjithashtu realizoi një vizitë në Greqi, Çavusoglu tha: “Takimi ndërmjet Presidentit tonë dhe (Kryeministrit grek, Kyriakos) Mitsotakis në Bruksel ishte gjithashtu mjaft pozitiv. Këto janë gjëra pozitive. A janë zgjidhur të gjitha problemet? Sigurisht që jo! Por kjo tregon vendosmërinë tonë për t’i zgjidhur problemet tona përmes dialogut. Uroj që ky sinqeritet të vazhdojë tek të dyja palët.”
Por – vijoi Çavusoglu – në të njëjtën kohë Greqia duhet të heqë dorë nga provokimet.
“Konferenca jonë për shtyp ishte e mirë, por miku im Dendias i flet shumë gjëra pas shpine. Këto janë të panevojshme. Ne i mbyllim sytë ndaj këtyre. Mes nesh kemi një marrëveshje mirësjelljeje për të mos mbajtur asnjë stërvitje në Egje gjatë sezonit turistik. Por tani ne shohim që Greqia shpall Navtex. Greqia e prishi edhe këtë marrëveshje. Greqia duhet të heqë dorë prej ngallmimit, hapave nxitëse dhe provokimeve. Unë e di që ata po e bëjnë këtë për të kënaqur opinionin e brendshëm. Por këto nuk sjellin asnjë dobi. Ne duam që dialogun e filluar ta shndërrojmë në hapa konkrete dhe jemi të sinqertë e të vendosur për këtë çështje”, u shpreh ministri Çavusoglu mes të tjerash.
Fraksion.com