Princesha refuzon ndihmën vjetore prej 2 milion dollarësh
Princesha 17-vjeçare i shkroi Kryeministrit Hollandez Mark Rutte të premten, 11 qershor, duke refuzuar ndihmën vjetore që do t’i jepej asaj nga dhjetori. Një e parë që thotë shumë për këtë brez të ri të kokave të kurorëzuara evropiane.
Catharina Amalia, trashëgimtarja e fronit hollandez, heq dorë nga paga mbretërore me vlerë rreth 1.6 milion euro në vit, të cilën ka të drejtë ta marrë çdo fundvit pasi të mbushë 18 vjeç në dhjetor.
Princesha, vajza e madhe e Mbretit William Alexander dhe Mbretëreshës Maxima, i shkroi Kryeministrit Hollandez Mark Rutte të premten, 11 qershor, duke e informuar atë për vendimin e saj.
Ajo tha se diçka e tillë është e “pakëndshme” dhe se do të jetë dakord të paguhet vetëm kur të marrë përsipër detyra mbretërore.
Princesha merr rreth 300,000 euro direkt, dhe 1.3 milion euro për të mbuluar shpenzimet e stafit dhe shpenzime të tjera.
“Më 7 dhjetor 2021 do të mbush 18 vjeç dhe sipas ligjit, do të marr një ndihmë. Më duket e pakëndshme për sa kohë nuk bëj asgjë për të dhe ndërkohë studentët e tjerë e kanë shumë më të vështirë, veçanërisht në këtë periudhë të koronavirusit”, shkroi princesha.
Princesha mësoi të enjten se kishte kaluar të gjitha provimet e saj të diplomimit në gjimnazin Christelijk Sorghvliet në Hagë dhe tani po planifikon të bëjë një vit pushim, para se të nisë universitetin.
Princesha Catharina-Amalia është vajza më e madhe e mbretit Willem-Alexander dhe mbretëreshës Maxima. Ajo ka dy motra më të vogla: Princesha Alexia (15) dhe Princesha Ariane (14).
Catharina-Amalia u bë e para në rendin e trashëgimisë në fronin Hollandez kur babai i saj u kurorëzua mbret në 30 Prill 2013. Më pas asaj iu dha titulli i Princeshës të Portokallisë.
Fraksion.com