AktualitetTë fundit

Sekuestrohet rreth 300 kg lëndë narkotike në portin e Durrësit; Arrestohet drejtuesi i kamionit

Taskforca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit, sekuestruan sot rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, si dhe arrestuan drejtuesin e kamionit.
Policia e Shtetit thekson se “në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Taskforcë kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë në dalje një kamion tranzit me targa të Maqedonisë së Veriut. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kamionin që drejtohej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, Taskforca gjeti të fshehur në trupin e kamionit, një sasi rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës u arrestua në flagrancë drejtuesi i kamionit, shtetasi N. A., 40 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.
Fraksion.com