AktualitetPolitikëTë fundit

“Gati për Shqipërinë”; Rama bashkëbisedim me një grup aplikantësh për nismën

 Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot sesionin e tretë të bashkëbisedimit me një tjetër grup aplikantësh të nismës “Gati për Shqipërinë”.
Rama tha se “ky cikël sesionesh online sipas fushave, na mundëson njohjen me të interesuarit dhe eksplorimin së bashku të mundësive e formave të bashkëpunimit me ta”.
Ndërkohë, Rama tha se aplikimet vazhdojnë të priten në adresën gatipershqiperine@kryeministria.al.

“Nga pikëpamja praktike kjo gjë do të bëhet kështu. Mbasi ne marrim të gjitha të dhënat sot, pastaj Bora që është zëvendësministrja dhe është edhe koordinatorja e këtij programi ju vë juve në kontakt me ministrat përkatës duke ju lënë një takim virtual në një grup shumë më të vogël dhe pastaj juve diskutoni me ministrat përkatës”, tha Rama.

Në prezantimin e saj, Ina Shënplaku, njëra prej aplikanteve tha se është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës si studente ekselente me medalje të artë. Në kuadër të thirrjes për studentët ekselentë jam punësuar në Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) në sektorin e inovacionit dhe projekteve. Gjithashtu jam pjesë edhe një projekti europian që ka në fokus ndihmën që i jepet dhe zhvillimin e kapaciteteve të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në lidhje me partneritetet, kontratat dhe zgjerimin e eksportit brenda rrjetit europian dhe jo vetëm. Unë jam shumë e gatshme të jap kontributin tim për zhvillimin e inovacionit si në fushën e drejtësisë dhe në zhvillimin e inovacionit sipas modelit që ka të bëjë me bashkëveprimin bilaterial të institucioneve qeveritare biznesit dhe universitetit.

Blerina Greku tha se ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë në La Sapienza të Romës. “Jam kthyer në 2008, më pas kam marrë provimin e avokaturës në 2013. Jam marrë për rreth 8 vite me mbrojtjen e pronësisë industriale dhe intelektuale kryesisht marka, patenta, shpikje dhe të drejtën e autorit. Ju falënderoj shumë për këtë platformë dhe për kthimin e shpresës”, tha ajo.

Denid Hajdaraj tha se ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë dhe ka bërë specializim për administrim biznesi dhe ofron kontributin në çdo lloj fushe, sidomos në fushën e drejtësisë.

Arbër Vrapi tha se studion për matematikë, viti i dytë dhe ka disa ide për promovimin e turizmit.

Ndërsa e përshëndeti studentin e ri, kryeministri Rama i kërkoi që të mos e lërë pas dore matematikën sepse për turistë kemi plot, ndërsa për matematikë kemi pak.

Elis Xhixha tha se ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës, aktualisht punon në fushën e Sigurisë Ushqimore, fushë në të cilën do të japë kontributin e tij.

Arbër Toska tha se ka mbaruar studimet bachelor në Universitetin e Tiranës në Drejtësi. “Më pas u vendosa në Francë ku kryeva masterin në të drejtën ndërkombëtare dhe europiane dhe po ndjek një master tjetër për të drejtat e njeriut”, tha ai.

Hysen Kokiçi u shpreh se ka mbaruar studimet e larta në Universitetin Bujqësor të Tiranës, dega Mjekësi e Bimëve. “Më pas jam vendosur në Institutin Mesdhetar të Barit për një tjetër master shkencor. Vitin e kaluar kam mbrojtur doktoraturën jam i gatshëm të jap kontributin tim në zhvillimin e bujqësisë në kërkime shkencore si dhe në edukimin e brezave”, tha ai.

Kryeministri Rama e pyeti nëse ishte i punësuar dhe pasi mësoi se ai ishte pa punë theksoi “se në rastin tënd, besoj se Bora do të bëjë një kontakt me ministren dhe besoj se nesër do t’ju çojmë një mesazh për t’u takuar dhe nuk do të lëmë pa punë”.

Afërdita Dinaku, studente ekselente në Universitetin e Tiranës tha se ka mbaruar studimet  për siguri ushqimore dhe gradën shkencore. “Aktualisht jam pedagoge në universitetin e shkencave të natyrës në universitetin e Tiranës, por përveç kësaj dëshiroj që të jap kontributin tim edhe në rritjen më tepër të cilësisë dhe sigurisë ushqimore”.

Një tjetër aplikante, Regiana Hida tha se ka mbaruar studimet e larta për energji në Universitetin e Tiranës dhe ka marrë pjesë në disa projekte siç është TAP, Shell apo Devolli. “Aktualisht po jap kontributin tim në arsim në Universitetin e Tiranës në departamentin e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore”, tha ai.

Erikson Nikolli tha se ka ndjekur studimet në master shkencor në degën e Arkeologjisë. “Idetë e mia kanë të bëjnë me zhvillimin e Arkeologjisë në Shqipëri sidomos në projektet zhvillimore”, tha ai.

Bena Gremi tha se po mbaron studimet për master shkencor në Mjekësi Bimore dhe dëshira e saj ka qenë gjithmonë arti dhe kryesisht është marrë me animacion dhe industri.

Loris Hoxha tha se ka kryer studimet, dega tregti dhe më pas në Gjermani për marrëdhënie ndërkombëtare si dhe një master shkencor në Shqipëri mbi Start Up-et dhe bizneset.

Anxhela Caushaj tha se ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Tiranës në degën Trashëgimi Kulturore me rezultate ekselente. “Gjatë viteve të studimeve kam qenë pjesë e praktikave të ndryshme. Ideja ime qëndron në realizimin e një projekti i cili do të ketë në fokus ripërdorimin e trashëgimisë industriale në funksion të artit, kulturës dhe ruajtjes së memories kolektive”, tha ajo.

Hiqmet Lazaj, 24 vjeç u shpreh se ka dy vite që ka përfunduar studimet dhe është kthyer në qytetin e lindjes në Vlorë për të zhvilluar një projekt shumë ambicioz.

Aldo Hako, 24 vjeç tha se ka përfunduar studimet për art design dhe aktualisht është një nga drejtuesit e një Start Up-i që fokusohet në design dhe marketing i përbërë kryesisht nga të rinj dhe ka dëshirë të angazhohet në këtë fushë.

Marjan Ndërshiqaj nga Shkodra me master në Fakultetin e Drejtësisë, dega Juridik u shpreh se ka një projekt-ide që lidhet me produktet bio shqiptare.

Alba Cika tha se ka mbaruar studimet e larta në Romë dhe është diplomuar në La Sapienza për arkitekturë. “Kam eksperiencë pune në zyrën e urbanistikës pranë bashkisë Romë. Në 2015 jam kthyer në Shqipëri me bindjen se Shqipëria ishte vendi ku njerëzit me vlerë dhe të përgatitur do të vlerësohen”, tha ajo.

Johan Shyti tha se ka mbaruar studimet e larta për Inxhinieri Mjedisi dhe është pjesë e një prej kompanive më serioze të tregun e konsulencës në Shqipëri që bashkëpunon me TAP dhe për ndërtimin e impiantit fotovoltaik.

Adrist Stermasi, inxhinier mekanik i diplomuar në Itali tha se ka fituar një bursë për mbrojtjen e gradës së doktoraturës në energjetikë për energjinë e rinovueshme, në një  projekt të financuar nga BE. “Më konkretisht studion energjinë e erës në detin Adriatik”, tha ai.

Ardit Lila tha se arsimin e lartë e ka kryer në Itali, në Universitetin e Torinos për shkencë, arkitekturë dhe inxhinier ndërtimi dhe ka fituar një bursë në universitetin e Spanjës. “Më pas kam kryer master shkencor në La Sapienza të Romës. Dua të jap kontributin tim”, tha ai.

Nertila Allaj tha se ka mbaruar studimet për informatikë ekonomike dhe ka kryer master nga programi Erasmus.

Diogjen Koliçi, 23 vjeç tha se po vazhdon studimet në nivelin master shkencor, Arkitekturë.

Mario Ismailaj tha se ka mbaruar për Gjeografi në Universitetin e Tiranës dhe kishte një projekt mbi diferencimin e mbetjeve.

Në këtë drejtim, Kryeministri Rama tha se “për të gjithë këtë grup që flasin për projekte do të bëjmë një takim më vete për të parë se çfarë gjërash konkrete ka. Se të gjitha janë të bukura por puna është se si bëhen. Dhe diferencën e bën si-ja”, tha Rama.

Flavio Jonuzaj, inxhinier mekanik i diplomuar në SHBA tha se ka pasur disa eksperienca pune në industri në SHBA, eksperiencë në mësimdhënie në universitete dhe kërkime shkencore. “Kam disa muaj që jam kthyer në Shqipëri dhe mendoj se mund të jap kontributim tim në këtë fushë”, tha ai.

“Ti, iu drejtua kryeministri Rama, mund të punosh edhe për mua në 3D, se unë vdes për 3D”.

Xhesian Balili theksoi se ka përfunduar studimet master shkencor për menaxhim mjedisi urban. “Kam fituar nga programi i ekselencës që u hap 2 vite më parë. Aktualisht jam pjesë e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeo-Hapësinor. Jam pjesë e dy projekteve mjedisore, dua të jap kontribut në turizëm dhe mjedis”.

Arli Llabani tha se ka mbaruar në Universitetin e Tiranës me rezultate ekselente dhe do të kontribuojë në fushën e transportit.

Në përfundim, Kryeministri Rama falënderoi të gjithë aplikantët ndërsa u kërkoi të bëjnë durim sepse janë shumë.

“Gjëja e vetme që kam në fund si porosi është që nuk duhet të humbni durimin dhe kontaktin me Borën ta mbani të hapur dhe të drejtpërdrejtë. Në rast se bëhet takimi me një ministër dhe thuhet ‘shiko se do të kontaktojmë’ dhe pastaj nuk kontaktohesh, nuk duhet të humbisni kohë, por duhet t’ia bëni Borës me dije. Sepse nuk është sahat zviceran, ka gjëra që shkojnë me shpejtësi, ka gjëra që zvarriten për fat të keq, por është fakt. Ndaj ju takon juve që të mos humbni durimin dhe të komunikoni drejtpërdrejt derisa të mbaroj ky proces dhe të dini nëse do të përfshiheni apo jo”, tha Rama.

 

Fraksion.com