Prokuroria: Qerim Ismailaj rezulton i dënuar me 3 vite burg në Greqi
Kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, rezulton me probleme në ligjin e Dekriminalizimit.
Pas hetimeve të kryera, pasi ky kryebashkiak u denoncua nga Partia Demokratike, Prokuroria e Përgjithshme ka arritur në përfundimin se Qerim Ismailaj ka qenë i dënuar me tre vite burg në Greqi.
Në përfundim të hetimeve, Akuza thekson se “Deklaruesi Qerim Ismailaj, me funksion kryetar i Bashkisë Mallakastër, rezulton i dënuar me veprim të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale, nga autoriteti gjyqësor i huaj. Referuar vendimit 9-11/2000 të Gjykatës së Përbërë nën Betim të Chios, i formës së prerë, rezulton se i akuzuar Qerim Ismailaj (në mungesë në gjykim), është deklaruar fajtor dhe është dënuar me 3 vite burgim për veprën penale të “Konfliktit”/ “Përleshjes”, parashikuar nga neni 313 i Kodit Penal të Republikës së Greqisë, që i korrespondon veprës penale të “dëmtime të tjera me dashje” parashikuar nga neni 90/1 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, e cila si sanksion parashikon dënim vetëm me gjobë”.
Qerim Ismailaj nuk është kryebashkiaku i vetëm që preket nga ligji i Dekriminalizimit, pasi më herët PD ka denoncuar edhe disa emra të tjerë, mes të cilëve edhe kryebashkiakun e Vorës, Agim Kamjaku, që vazhdon të jetë në kërkim nga drejtësia shqiptare.
Fraksion.com