Kremlini nuk pret marrëveshje në samitin Putin-Biden
Samiti që do të mbahet më 16 qershor në mes të presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan, Joe Biden në Gjenevë, nuk pritet të sjellë marrëveshje konkrete, mirëpo takimi do të mund të jetë i dobishëm, ka thënë ndihmësi i Kremlinit.
Putin dhe Biden do të takohen për herë të parë, prej kur ky i fundit është bërë president.
Marrëdhëniet mes dy shteteve tani janë në pikën më të ulët në disa vjet.
Këshilltari për punë të jashtme i Putinit, Yuri Ushakov, u ka thënë gazetarëve më 15 qershor se agjenda është konfirmuar përmes një bisede telefonike me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.
Stabiliteti bërthamor, ndryshimet klimatike, siguria kibernetike dhe burgosja e shtetasve amerikanë dhe rusë në këto dy shtete, do të jenë tema kyçe të agjendës, ka thënë Ushakov.
“Nuk jam i sigurt se do të arrihet ndonjë marrëveshje. E shoh këtë takim me optimizëm praktik”, u ka thënë Ushakov gazetarëve.
Përgjatë konferencës për media në Bruksel më 14 qershor, Biden është pyetur për detajet e agjendës, mirëpo ai nuk ka treguar sesi do të matet suksesi i takimit.
Presidenti amerikan ka sugjeruar se do të fokusohet te fushat ku mund të ketë pajtueshmëri me Putinin, ndonëse ka paralajmëruar atë kundër agresionit të vazhdueshëm ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj.
Biden, i cili në muajin mars ka thënë se beson që Putin është “vrasës”, e ka përshkruar presidentin rus si “të ashpër” dhe “kundërshtar të denjë”.
Mirëpo ai ka dhënë shenja se do t’i analizojë me kujdes përkushtimet që dalin nga takimi, duke thënë se fillimisht “do t’i verifikoj e më pas të besoj në to”.
Marrëdhëniet SHBA-Rusi janë tensionuar prej aneksimit që i ka bërë Rusia Krimesë më 2014.
Uashingtoni ka akuzuar Moskën edhe për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, duke vendosur sanksione në kompani dhe individë rusë.
Fraksion.com