AktualitetNATO/BETë fundit

Para samitit të NATO-s, presidenti Erdoğan thekson rëndësinë e aleancës

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, theksoi rëndësinë e aleancës përpara takimit të NATO-s të së hënës.

“Ne do të marrim pjesë në një samit të rëndësishëm ku do të merren vendime në lidhje me procesin e NATO-s 2030, i cili do të përcaktojë hartën e aleancës për dhjetë vitet e ardhshme”, u tha Erdoğan gazetarëve para nisjes së tij për në Bruksel.

“Turqia do të nënvizojë edhe një herë rëndësinë e aleancës me aleatët e saj” tha Erdoğan, duke shtuar se Turqia nuk mbron vetëm kufijtë e saj, por edhe kufijtë e NATO-s.

Erdoğan tha se një gamë e gjerë çështjesh, duke përfshirë lidhjet dypalëshe, do të diskutohen gjatë takimit të tij me Presidentin e SHBA-së Joe Biden në margjina të samitit të NATO-s.

Ai tha se megjithëse Turqia përmbush premtimet e saj në lidhje me blerjen e avionëve F-35, SHBA-ja nuk arriti ta bënte atë.

Në vitin 2019, Washington-i njoftoi se po e largonte Turqinë nga programi i avionëve luftarakë F-35 për shkak të blerjes së sistemit raketor rus S-400 nga ana e Ankarasë.

SHBA-ja pretendoi se sistemi rus S-400 do të rrezikonte sigurinë e avionëve F-35, por Turqia ka thënë se kjo frikë është e pabazuar dhe ka propozuar vazhdimisht ngritjen e një komisioni për të sqaruar çështjen.

Udhëheqësit e vendeve të NATO-s në samitin e së hënës do të diskutojnë rrugën që aleanca ushtarake do të ndjekë gjatë dekadës së ardhshme kundër sfidave të tilla si Kina, Rusia dhe kërcënimet kibernetike.

Liderët do të mblidhen të hënën në selinë e NATO-s në Bruksel për herë të parë që nga viti 2018.

Erdoğan do të takohet me Presidentin e SHBA-së, takimi i tyre i parë që kur Biden mori detyrën, si dhe me kryeministrin britanik Boris Johnson dhe kancelaren gjermane Angela Merkel.

– Sulmi terrorist në Afrin

Duke dënuar një sulm terrorist që ndodhi në një spital në Afrin, në veri të Sirisë, presidenti turk tha se sulmi tregon karakterin perfid dhe barbar të grupit terrorist YPG/PKK.

Sulmi i të shtunës nga YPG/PKK në një spital në veriperëndim të Sirisë vrau të paktën 13 pacientë civilë dhe plagosi më shumë se 27, thanë zyrtarët në jug të Turqisë./AA

 

Fraksion.com