AktualitetSportTë fundit

EURO 2020: Gjermania nuk duhet të harrohet!

Kombëtarja gjermane synon të ketë një turne të suksesshëm në Kampionatin Evropian EURO 2020. Lojtarët e trajnerit Joachim Löw janë përgatitur larg syve të tifozëve dhe opinionit. 

Manuel Neuer përshëndet miqësisht ndjekësit e tij të ri në Instagram, me një humor të mirë. “Jam kureshtar të shoh se si duket “Home Ground” i jonë”, shkruan portieri i kombëtares, i cili këto ditë i mbushi plot 100 ndeshje në fanellën e ekipit të Gjermanisë, në ndeshjen kundër Letonisë. Skuadra e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), e drejtuar nga trajneri kombëtar Joachim Löw është vendosur në “World of Sports” (“Botën e Sporteve”), të Adidasit që është partneri i DFB, në Herzogenaurach afër Nurembergut. “Një zonë vërtet e mrekullueshme! Me plot drunj, me gjëra të ndërtuara prej druri, vërtet e bukur. Një vend ku mund të krijohet një atmosferë e shkëlqyer”, thotë kryetari i bashkisë së qytetit të vogël me 22.000 banorë. Por kryebashkiaku German Hacker mbase nuk do ta shohë fare ekipin kombëtar në kohën e përgatitjeve.

Pa kontakte me botën e jashtme

Fußball DFB-Trainingslager | Seefeld Österreich

Zona ku është vendosur kombëtarja gjermane është e mbyllur hermetikisht. Me gardhe të larta ku nuk depërtojnë as shikimet, që e shndërrojnë këtë vend në një “flluskë”, ku mund të futet vetëm stafi i DFB dhe sipas marrëveshjeve edhe përfaqësuesit e shumtë të mediave.

Lojtarët testohen çdo ditë, e po ashtu edhe gazetarët duhet të tregojnë një test negativ para se të hyjnë në këtë zonë. Vetëm nëse kanë një test negativ ndaj Coronës mund të vazhdojnë rrugën drejt terrenit për stërvitje. Për të shkuar deri tek terreni në largësi prej 2.5 kilometra, është siguruar edhe mundësia e transportit. Për të siguruar mbajtjen e distancës, secili duhet të ketë rreth qafës një pajisje elektronike. Kjo mundëson edhe ndjekjen e rastit, nëse dikush rezulton pozitiv ndaj virusit Corona. Në këtë zonë ka dhe një numër të mjaftueshëm të personave që kujdesen për sigurinë.

Oliver Bierhoff dhe shpresa për angazhim

Ekipi gjerman rri së bashku tërë kohën. Lojtarët janë të vendosur në shtëpiza në grupe të vogla. Neuer është vendosur me kolegun nga Bajerni Jamal Musiala, si dhe me Jonas Hofmann dhe Lukas Klostermann. “Ne edhe tani po ndjehemi mirë, sepse mund të shohim që ambientet ofrojnë atë që duam”, thotë drejtori i DFB Oliver Bierhoff, i cili shpreson se “Home Ground” do të ketë një efekt të ngjashëm me legjendën “Campo Bahia” në Brazil, ku Gjermania para shtatë vitesh fitoi titullin e kampionit të botës.

Deutschland Fußball PK DFB Löw Keller Bierhoff

“Ne duam të krijojmë një frymë fituesish”, thotë 53-vjeçari, “një frymë nga Herzogenaurach, sepse kushtet janë vërtet të mira”. Ilkay Gündogan, i cili ndan shtëpinë me Marcel Halstenberg, Serge Gnabry dhe Emre Can është dakord me këto pohime. “Nuk mund ta imagjinoj si ka qenë në vitin 2014. Kam dëgjuar shumë për të, por kam parë shumë pak fotografi”, thotë ai. “Shumë thonë se ishte e ngjashme me këtu, se kushtet kanë qenë shumë të mira. Fantastike është ajo që Adidas ka ndërtuar këtu”.

Pritjet nga lojtarët

Në Kampionatin Botëror në Brazil, skuadra gjermane përfitoi nga qetësia që kishte në vendvendosje. Në fund ekipi i Joachim Löw u bë kampion bote. E sa larg do të shkojë Gjermania tani në këtë KE, mbetet të shihet, në veçanti kur dihet se ende jemi në një kohë pandemie. Deri para ca javësh, performanca e ekipit gjerman nuk ishte tepër e mirë. Paraqitjet ishin shumë të këqija.

Sport | Fußball | Trainingslager deutsche Fußball-Nationalmannschaft

Por mendimet kanë ndryshuar, e ka ndryshuar edhe vetëdija e ekipit. Löw ka arritur të bëjë një ekip funksional. Në skuadër janë kthyer humori dhe loja më e mirë, si ajo e ndeshjes kundër Letonisë të cilën Gjermania e fitoi me rezultat 7-1. “Qëllimi ynë është gjithmonë që të tregojmë lojë të mirë. Kjo pritet gjithmonë nga ekipi gjerman”, thotë Bierhoff. “Por çdo skuadër e suksesshme ka nevojë për kohë. Unë besoj se ky epik do të forcohet edhe më shumë në vitet e ardhshme. Por ne duam edhe tani të dëshmohemi.”

“Asgjë nuk është e pamundur”

Manuel Neuer vazhdon “turneun” e tij edhe në Instagram. Këtu kemi një zonë e madhe për ushqim, një kënd ku lojtarët mund dhe do të shikojnë së bashku ndeshjet e Kampionatit Evropian – një pjesë për relaksim, shpjegon Neuer. Relaksim pas ndeshjeve, por mbi të gjitha përqendrim para sfidave të reja, pa asnjë shqetësim nga jashtë. “Ne kemi mundësi relaksimi, por në radhë të parë fokusimi tek detyrat që na presin. Këtu kemi një atmosferë të këndshme.”

Gjermania zhvillon ndeshjen e parë kundër kampionëve të botës Francës, të martën e ardhshme (fillimi në orën 21:00), ku do të shihet sa mirë është përgatitur dhe si ka punuar në Seefeld dhe Herzogenaurach. “Asgjë nuk është e pamundur”, shkruan me shkronja të mëdha në një mur. E pamundur nuk është as fitorja kundër Francës, nëse vërtet zgjohet shpirti i fituesve tek ekipi./DW

 

Fraksion.com