Rama: PS është këtu për të bërë shtetin
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kongresin e Partisë Socialiste se “shteti nuk është i Partisë Socialiste, por PS është këtu për të bërë shtetin”.
Në fjalën e tij, Rama u ndal në disa çështje madhore të mandatit të tretë. Kryeministri tha se, “ne sot dhe në vijim na përket vetëm detyrimi i jashtëzakonshëm ndaj vendit, ndaj njerëzve të zakonshëm, fëmijëve të këtij vendi që me ushtrimin e mandatit të tretë të sigurojmë një kapërcim historik”.
“Si e tillë, kjo fitore historike ka sjellë për ne një përgjegjësi historike, realizmin e një volumi të atillë reformash dhe punësh konkrete, që Shqipëria të ngjitet në majën ku e meritojnë shqiptarët: një vend me standardet e BE-së, ku liria dhe drejtësia të rrezatojnë përkatësinë europiane në realitetin e përditshëm të marrëdhënieve të institucioneve me qytetarët dhe të qytetarëve me shtetin”, tha Rama.
Rama tha se misioni ynë është Shqipëria kampion në rajon në inovacion, në energji, turizëm, bujqësi dhe shërbime publike me dinjitet ndërkombëtar ku Shqipëria është gjithnjë e para, por ku marrëdhëniet me aleatët dhe partnerët strategjikë janë të forta dhe të dobishme reciprokisht.
Kjo, tha ai, është “Shqipëria 2030″ dhe ky është misioni ynë që mandatin e tretë ta çojmë para me një vetëdije të re në marrëdhëniet me rivalët politikë, por duke mos harruar për asnjë çast marrëdhënien me publikun në punën e përditshme të shumicës qeverisëse”.
Në vjeshtë Këshillimi i parë Kombëtar/ Mandati i tretë, hapje e re e PS-së ndaj njerëzve
Rama tha se “mandati i tretë do të shënojë një hapje të re ndaj njerëzve të vendit duke i përfshirë ata në vendimmarrjet më të rëndësishme përmes një institucioni të ri, Këshillit Kombëtar”.
“Këshillimi kombëtar, duhet që populli të mos dëgjohet 1 herë në 4 vjet, por 1 herë në vit nga shumica qeverisëse. Çështjet me interes kombëtar do t’i ndajmë me popullin dhe do të këshillohemi me të gjithë qytetarët që do të duan të shprehen përmes Këshillit Kombëtar. Ky nuk është një ushtrim komunikimi ku ne flasim dhe njerëzit dëgjojnë, por institucion ndërveprimi me shkrim me të gjithë qytetarët e vendit. Të gjithë ata që duan të përfshihen po me shkrim të na thonë po apo jo për çka vlerësojnë ata në alternativa të mundshme”, tha Rama.
Ai theksoi se “këtë vjeshtë ne zhvillojmë Këshillimin e parë Kombëtar. Platforma e bashkëqeverisjes të ngrihet në nivel të ri dhe po ashtu ndërveprimi dixhital i qytetarit me institucionet”.
Rama tha se “një qeveri dhe shumicë qeverisëse që nuk i përgjigjet në kohë me qetësi çdo qytetari nuk e çon dot këtë vend në atë që Shqipëria e vitit 2030 meriton të jetë”.
Fushatë 1-vjeçare anëtarësimesh të reja për më të mirët, më të devotshmit dhe më të gatshmit për Shqipërinë
Kryeministri kërkoi që të bëhet pastrimi i gjakut të PS-së, qeverisë dhe administratës. “Për këtë duhet të hapemi më fort dhe më gjerë si parti dhe shumicë qeverisëse. Do të zhvillojmë një fushatë 1-vjeçare anëtarësimesh të reja për më të mirët, më të devotshmit dhe më të gatshmit për Shqipërinë”, tha ai.
“Po e deshëm vërtet Shqipërinë në majën për të cilën shqiptarët na rizgjodhën për të tretën herë rresht ta çojmë, duhet ta shpëtojmë këtë vend nga punësimet në shtet jashtë konkurrencës dhe meritës dhe kjo i takon të gjithëve ju”, tha Rama.
Unë, vijoi Rama, nuk kam asnjë motiv më të madh për të dhënë më shumë se deri më sot nga vetja, se sa ky i çlirimit të ministrive, të institucioneve, agjencive, bordeve etj nga tentakulat e interesave që mbrohen në emër të partisë apo elektoratit, por godasin, cenojnë, gërryejnë shtetin dhe pengojnë vetë misionin e PS-së”, tha Rama.
Kjo, tha ai, “nuk është diçka e bukur për t’u thënë që ta dëgjojë populli, por është vijë ndarëse mes të qenit socialist dhe tradhtar i PS-së”.
“Hapat që kemi hedhur me rekrutimin e mësuesve, bluzave të bardha dhe shërbimit civil janë domethënëse krahasuar me nga jemi nisur, por janë të pamjaftueshme për t’u ngjitur në atë majë që duam. Ndaj ne duhet të mbështesim çlirimin e mëtejshëm të sektorit publik nga parazitët, nga injoranca, nga mbulesa politike në emrin e PS-së gjithmonë, të cilat e bëjnë flamurin e PS-së të duket si ‘leckat e gabit’ përballë qytetarëve që përballen me këtë lloj specie, që janë larg të qenit specie në zhdukje zyrtarësh dhe nëpunësish”, tha Rama.
Nisma “Gati për Shqipërinë”, potencial i jashtëzakonshëm për metamorfozë të administratës
Rama kërkoi që të hapen dyert e qeverisë që nga kabinetet e ministrave, të ministrive, të agjencive, të departamenteve, bordeve për vajza dhe djem të shkolluar jashtë shtetit që kanë arritur rezultate të larta dhe punojnë jashtë shtetit, por dhe brenda shtetit, që përballë dyerve të mbyllura dhe arrogantëve e parazitëve që u përplasin derën në fytyrë kërkojnë vetëm një shteg të ikin nga Shqipëria.
“Jo medoemos të kthejmë në Shqipëri për të punuar, ata që janë jashtë. Pandemia
na ka provuar se nuk ka rëndësi ku ndodhesh fizikisht për të punuar kudoqoftë që ti mundesh. Në mandatin e tretë kryejmë një metamorfozë të administratës, duke e kthyer në një administratë hibride ku prania fizike është joekskluzive, por e kombinuar me punën në distancë”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se, “nisma ‘Gati për Shqipërinë’ që e nisëm vetëm si një test për të matur pulsin e qytetarëve të shkolluar jashtë vendit, po na provon çdo ditë se falë edhe mandatit të tretë që ka krijuar frymëmarrje të re si çdo fillim i ri dhe falë këshillës së madhe të tyre për të dhënë kontribut potencial për Shqipërinë, mund të integrojmë të shkolluarit dhe të punësuarit jashtë në gjithë piramidën e shtetit tonë. Ky është një potencial i jashtëzakonshëm nëse ne e bëjmë seriozisht. Nëse ne me forcën e shembullit tonë u provojmë atyre dhe gjthë shqiptarëve se e kemi shumë seriozisht”, shtoi Rama.
30-vjetori i PS-së/ Me 5 194 622 vota në 9 palë zgjedhje, PS partia më e votuar në historinë e shqiptarëve
Në fjalën e mbajtur në Kongresin e PS-së, Rama u shpreh se “takimi i sotëm ka jo vetëm veçantinë e përvjetorit të 30-të, por edhe shijen e veçantë të fitores së zgjedhjeve që sapo për herë të tretë radhazi”.
“Faleminderit të gjithë atyre që punuan fort për këtë arritje dhe shkruan një faqe kaq të veçantë në historinë e familjes sonë të madhe politike, por faleminderit dhe të gjithë atyre që këto 30 vite i dhanë frymë, energji, besim PS-së! Faleminderit atyre që i dhanë kësaj partie emrin, misionin, vlerat, tiparet themelore të një fuqie të madhe ndryshimi dhe e nxorën PS-në në rrugën e transformimit të Shqipërisë këtu e 30 vite më parë! Faleminderit liderit të parë të saj, babait tim politik që në fillim e desha, pastaj e ‘vrava’ dhe pastaj e rigjeta të rilindur në respektin e vëmendjen e ndërsjellë ndaj njeri-tjetrit!” – tha Rama.
Kryeministri shprehu falënderime edhe për ata që në emër të PS-së i shërbyen vendit në 30 vite, Kuvendit, qeverisë, apo në institucionet qendrore dhe vendore të vendit tonë.
“Mbi të gjitha faleminderit gjyshërve dhe gjysheve, burrave dhe grave anembanë Shqipërisë që në 3 dekada shkruan emrin e tyre në anëtarësinë e kësaj familje dhe kontribuuan vullnetarisht në një rrugë ndryshimesh të mëdha e arritjesh domethënëse ku kemi fituar, humbur, ngjitur, rrëzuar, ringritur dhe kemi vazhduar të ngjitemi bashkë. U prehshin në paqe të gjithë ata që nuk jetojnë më, nga socialistët në këndin më të largët të Shqipërisë deri te Bashkimi, shoku im i paharrueshëm që do të vijojë të jetë me ne, jo vetëm në kujtimet tona, por edhe përmes vajzës së tij të mençur e shembullore. Faleminderit Megi për fjalët e tua dhe e besoj që atje lart Bashkimi po na ndjek i buzëqeshur”, vijoi Rama.
“Faleminderit të gjithë atyre që në 3 dekada, 5 194 622 vota në 9 palë zgjedhje kombëtare si partia më e votuar në historinë e shqiptarëve, na dhënë privilegjin e jashtëzakonshëm të drejtimit të vendit mbas vitit tragjik 1997 dhe vitit 2013 kur llogaritë e shtetit ishin për faqe të zezë. Faleminderit gjithë socialistëve që deri në 2005 i kanë dhënë PS-së privilegjin e jashtëzakonshëm të udhëheqjes të shqiptarëve që bashkë kemi arritur dhe prej vitit 2009 kemi arritur sot në nivelin e misionit historik të Shqipërisë. Ndjesë kujtdo që na ka dhënë këtë besim të madh dhe është ndjerë i mbetur pas, i mënjanuar dhe lënduar dhe mirënjohje për secilin që pavarësisht se nuk është ndjerë mirë në një moment a një tjetër, nuk është larguar, as tërhequr, por ka vazhduar të më mbështesë dhe të kontribuojë në fitoret e PS-së dhe betejat e saj, që jam përpjekur t’i kthej në fitore për Shqipërinë”, shtoi Rama.
Rama: Kemi të shtrirë dorën e bashkëpunimit me PD-në në interes të të gjithë shqiptarëve
Kryeministri Edi Rama deklaroi se në respekt të të gjithë atyre që kanë zgjedhur PD, “ne e kemi të shtrirë dorën e bashkëpunimit në interes të të gjithë shqiptarëve”.
“Në raport me misionin tonë të Shqipërisë së 2030, dhe në raport me sfidat monumentale të këtij misioni, mund t’i mendosh të gjitha këto dhe nuk të del kohë e mend të arrish deri te politika, dhe jo më të përballesh në realitet dhe punët e përditshme dhe të gjesh kohë pastaj të merresh edhe me politikë”, tha Rama.
“Dhe këtu me politikë kam parasysh jo politikën në vetvete, jo artin për ta bërë të mundshmen të pamundur, kam parasysh politikën e ditës shqiptare 30 vjet. Kam parasysh bamin dhe bumin, kam parasysh hamin dhe humin, kam parasysh tamin dhe tamtamin e përditshëm që ua ka bërë shqiptarëve politikën një shejtan që u trazon edhe gjumin, pasi u ka nxirë gjithë ditën. Kjo dallavere e pambarimtë nuk është më për ne. Nëse ne duam t’i mbarojmë punët e stërmëdha që duhen bërë me se s’bën për ta ngjitur Shqipërinë në atë majë ku ky popull pret prej 30 vitesh ta shohë, dhe me besoni se as për 30 vjet të tjera nuk mbërrihet duke harxhuar 30 herë më shumë energji për bamin e për bumin sesa për punë e jo për gjumë. E që është shumë më e lehtë ta thuash, sepse bami sjell bumin, hami provokon humin, rrushi imiton rrushin, tenxherja do kapakun, por ne duhet medoemos ta bëjmë, me durim me shumë durim duke u përqendruar tek populli dhe tek punët që do të bëjmë çdo ditë për Shqipërinë”, theksoi Rama.
“Duhet t’i ikim sherreve, t’i shmangemi konfliktit, duhet të heqim dorë fare, t’i lëmë kundërakuzat kur na akuzojnë. Fushata ka mbaruar. PS ka fituar dhe PS ka fituar për të pasur 4 vite kohë duke bërë atë që do të bëjë dhe tani që ka fituar duke bërë atë që do bëjë duhet të bëjë atë që ka thënë që të fitojë Shqipëria dhe që duke fituar Shqipëria, PS do të fitojë përsëri, e përsëri, dhe përsëri”, tha ai.
Rama shtoi se, “ç’na duhet ne se çfarë bën Partia Demokratike?”.
“Ç’punë kemi ne sesi i bën apo nuk i bën zgjedhjet brenda saj? Sesi kremton, fitoren e zgjedhjeve të lira pa u numëruar votat dhe pastaj nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve të vjedhura pasi votat u numëruan. Çfarë na intereson ne se di apo nuk di PD, si e qysh ta lidhim kalin edhe në portën e Departamentit të Shtetit, që të hingëllijë kali kundër narkoshtetit edhe në sallën e gjykatës së Parisit, që kali të dëshmojë kundër Departamentit të Shtetit? Ç’punë kemi ne? Çfarë të mbjellësh, do të korrësh, thotë populli dhe kush bën sherr e shamata, sherrit do i shoh sherrin dhe shamatës do t’i dëgjojë shamatën”, tha Rama.
“Po ne, jo ne sepse ne na janë vrarë veshët, por ne sepse Shqipëria, veç për sherr e shamata s’ka kohë dhe s’ka energji për të humbur. Duhet që tërë kohën dhe energjinë ta shpenzojmë që t’u kthejmë shqiptarëve borxhin e madh të mandatit të tretë, sepse është e vërtetë se është hera e parë që ndodh në Shqipëri. Është shumë e rrallë në historinë e zgjedhjeve në Europë, por nuk është si Kupa e Kampionëve, as si Kupa e Botës, ku fiton kupën e arrite, e mbarove, more dhe kupën, edhe ia dole. Kur fiton zgjedhjet vetëm more të drejtën që të shërbesh dhe thjesht t’u dha mundësia që të vazhdosh luftën për ata që të japin atë të drejtë. Kështu që me PD ne do të debatojmë sa të mundemi, kur të mundemi për politika që i duhen vendit. Ndërsa atë politikë që e ka ezauruar vendin nga nervat ne do ta mbanim në distancë higjienike nga vetja, në distancë higjienike kudo ku na shfaqet”, tha Rama.
“Nuk është punë për ne, ka plot që mund ta ushtrojnë atë lloj politike, ka plot që mund t’i furnizojnë me atë lloj politike klubet mediatike dhe gjitha kanalet dhe portalet. Ne kemi kaq shumë sfida dhe kemi marrë përsipër një gjë kaq të madhe, sa një fije e hollë na ndan mes lavdisë dhe turpit në fund të këtij mandati të tretë. Një fije shumë e hollë”, tha ai.
Në vijim, Rama theksoi se “opozitën ne nuk e zgjedhim vetë, e zgjedh populli dhe në respekt të të gjithë atyre që kanë zgjedhur PD ne e kemi të shtrirë dorën e bashkëpunimit në interes të të gjithë shqiptarëve, sepse hallet, problemet, shpresat dhe hallet e tyre nuk janë të ndara në halle të majta dhe në halle të djathta, probleme të purpurta apo probleme blu, janë njësoj, njësoj njerëzore, siç janë njësoj njerëzore shpresat dhe ëndrrat e të gjithë atyre”.
“Duke jetuar të ndarë në sherrin e pandalur ne thuajse e kemi harruar njerëzoren dhe shqiptaren në të gjithë mexhelisin dhe betejat politike, por jo vetëm. Ata që organizojnë cirqet e mexhelisit kemi infektuar tërë dynjanë, kemi futur në çdo shtëpi dhe mbi të gjitha kemi dhënë në sytë e çdo fëmije shembullin më të keq të mundshëm, duke bërë në publik atë, apo ato gjëra që në shtëpi prindi i thotë fëmijës kjo nuk bëhet, kjo nuk bëhet, kjo nuk bëhet, dhe prandaj njerëzit s’kanë fakt se politika ju duket si punë politikanësh, ndërsa politikanët si punë hajdutësh dhe hajvanësh. Jo, ne jemi të gjithë njerëzit dhe të gjithë jemi shqiptarë. Dhe si njerëz dhe shqiptarë do të bëjmë më të mirën që politika të jetë e mirë me njerëzit dhe të jetë e mira më e mundshme për Shqipërinë. Ndërsa ne socialistët jemi njerëz dhe shqiptarë, por që kemi një fuqi të madhe në dorë për Shqipërinë, që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë. Dhe prandaj shumica dërrmuese e shqiptarëve dhe jo pak prej atyre që nuk na votojnë thonë: o e bëjnë këta, o ky vend nuk bëhet. Dhe pra, le t’u japim shqiptarëve provën se kanë të drejtë kur e thonë këtë. Duke e bërë këtë vend shtet të denjë europian, që dhe si njerëz të ndihemi mirë nesër përpara fëmijëve tanë dhe fëmijëve të tyre, të cilët nëse ne do të bëjmë sot atë që duhet, nesër do ta duan Shqipërinë jo vetëm prej gjaku, prej bukurive dhe historive të saj, por dhe kushtet në të cilat ata jetojnë këtu në Shqipëri. Kjo është sfida dhe kjo është PS për mandatin e tretë”, tha ai.
Fraksion.com