AktualitetPolitikëTë fundit

PS mbledh nesër Kongresin; Balla zbardhet agjendën

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla informoi sot mbi axhendën e Kongresit të PS, që do të mblidhet ditën e nesërme, dhe që përkon edhe me 30-vjetorin e themelimit të kësaj partie.

Në një prononcim për medie, Balla tha se “pjesa e parë e Kongresit ditën e nesërme, do t’i dedikohet rrugëtimit 30-vjecar të PS-së”.

Ai u shpreh se “Kongresi do të nisë me surpriza të bukura, ku do të ketë mesazhe dhe përshëndetje nga socialistët e vjetër, që kanë kontribuar në PS, dhe duke kontribuar në PS kanë dhë kontribut edhe në rrugëtimin europian të Shqipërisë”.

“Nesër PS feston 30-vjetorin e saj dhe urimet nuk bëhen dot sot, por natyrshëm që ky është një moment historik në rrugëtimin e PS, e cila gjatë gjithë këtyre 30 viteve ka një kontribut të veçantë në jetën politike të vendit. Është e vetmja forcë politike që gjatë këtij rrugëtimi nuk i ka bërë asnjëherë dëm interesave të vendit, por ka kontribuar në forcimin e demokracisë, të shtetit ligjor dhe çuarjen përpara të reformave, që na kanë afruar sot më shumë se kurrë me ëndrrën e anëtarësimit në BE”, tha Balla.

Pjesa e dytë e Kongresit, sipas tij, “do të vijojë me prezantimin e vizionit “Shqipëria 2030”, ku brenda kësaj pjese do të jetë edhe përmbledhja e objektivave tona për mandatin e ri qeverisës”.

Balla tha se pjesa e tretë e Kongresit do të vijojë me analizën e thellë në të gjitha strukturat e Partisë Socialiste, duke shtuar se në dy zgjedhjet e fundit, ato të 2013 dhe 2017, nuk është bërë një analizë e tillë për gjërat që nuk janë bërë mirë brenda PS-së.

“Më pas, është dhe një pjesë tjetër, që është pjesa që lidhet me procesin e thellë të analizës dhe riorganizimit të plotë të strukturës së PS në të gjithë territorin, në të gjitha nivelet, nga ai bazë në të gjitha nivelet e tjera. Dua ta nënvizoj dhe të jetë e qartë për gjithë strukturën e PS, se ndoshta në dy palë zgjedhje, ato të 2013 dhe 2017, ne nuk kemi bërë një analizë të duhur dhe të thellë për të kuptuar se në cilat pjesë të organizimit tonë nuk kemi funksionuar si duhet dhe ku duhet të përqendrohemi. Në këtë këndvështrim, prandaj ne po i japim vetes kaq shumë kohë në dispozicion. Procesi fillon nga 15 qershori e deri më 15 janar 2022, për të garantuar që në pranverën e 2022 e gjithë struktura e PS t’i përgjigjet pritshmërisë së kryetarit Rama dhe gjithë kolegëve të tjerë, që jemi drejtues rajonalë të PS, në përgatitjen e zgjedhjeve vendore 2023”, deklaroi Balla.

Tanimë, vijoi ai, “një leksion e kanë mësuar të gjithë, nëse do të fitosh një palë zgjedhje përgatitja fillon sapo mbarojnë zgjedhjet e radhës”.

Balla tha se “në 30 vite, në asnjë moment historik të vështirë apo jo, nuk ka pasur ndonjë rast që PS të ketë një kontribut negativ, veçse kontribute pozitive”.

Çelja e Konferencës së parë Ndërqeveritare, sipas tij, kërkon më shumë përgjegjësi nga të gjitha palët. “Kryeministri Rama e ka shprehur qartë gatishmërinë për të krijuar një frymë të re edhe me opozitën. Ne në shtator, në legjislaturën e re të Kuvendit të Shqipërisë jemi të hapur për të krijuar mundësi të reja komunikimi në funksion të disa reformave të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend”, tha ai.

Balla përshëndeti edhe vendimin e SHBA-së për të futur Shqipërinë në listën e vendeve që u bllokohet pasuria në SHBA zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar që janë futur në listën e zezë.

“E përshëndes vendimin dhe besoj që të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë në atë listë dhe natyrshëm një rritje e vëmendjes së institucioneve inteligjente apo jo, por edhe e kontrollit financiar në kuadër të një lufte të përbashkët me SHBA kundër korrupsionit është një akt i mirëpritur. Qesharak reagimi i atyre që janë tashmë të shpallur zyrtarisht si persona të identifikuar nga SHBA me kontribut negativ në forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. U sugjeroj të heshtin dhe përshëndes SHBA për gjithë mbështetjen që i japin Shqipërisë dhe çuarjen para të reformës në drejtësi”, tha Balla.

 

Fraksion.con