AktualitetPolitikëTë fundit

Basha me demokratët e Peqinit dhe Paskuqanit: Në 25 prill ra demokracia

Kryetari në detyrë i PD-së, Lulzim Basha zhvilloi takime me demokratët e Peqinit dhe Paskuqanit.

Në takimin në Peqin Basha u shpreh se, “25 prilli nuk ka lidhje me demokracinë. Në 25 prill shumica ka vendosur ndryshimin dhe një pakicë i është mbivendosur me mekanizmin më pervers, më gjigant, dhe më të kudo shtrirë, të shkrirjes se partisë me shtetin, siç e thotë raporti i OSBE-ODHIR, dhe të bashkëpunimit me kartelat e drogës dhe bandave të krimit të organizuar. Kjo nuk është demokraci”.

Ndaj, shtoi ai, “barra që kishim mbi supe, barra e ndryshimit, flakadani i shpresës që ndezëm anembanë Shqipërisë për të sjell ndryshim me një fushatë të mrekullueshme, me një program konkret, nuk është sot barra e vetme që ne mbajmë mbi supe. Sepse më 25 prill në Shqipëri përkohësisht nuk është ndalur vetëm ndryshimi, por ka rënë dhe demokracia”.

“Në këtë moment të errët që i ka shënuar fatin e shumë kombeve, në këto vite dhe dekada të fundit, ku është rishfaqur edhe një herë perdja e hekurt, tashmë jo mes vendeve komuniste dhe vendeve të lira, por mes vendeve me sundues që nuk bëjnë zgjedhje të vërteta, nuk kanë demokraci të vërtetë, nuk kanë opozita të vërteta. Por bëjnë sikur bëjnë zgjedhje, bëjnë sikur ka demokraci dhe kanë opozita fasadë. Këtë donin të bënin dhe me ne ta shndërronin partinë e lëvizjes së dhjetorit, ta shndërronin forcën që rrëzoi komunizmin, forcën që ribashkoi Shqipërinë me perëndimin”, tha Basha.

“Sot me të vërtetë ndodhem para jush në këtë garë të brendshme e cila do të finalizohet ditën e diel më procesin e votimit një anëtar një votë. Por, mesazhi kryesor që kam para jush dhe ai që kam pasur para çdo demokrati e çdo demokrate gjatë gjithë këtyre javëve është: se me të vërtetë në familjen tonë nuk ka asnjë të tepërt, se familja jonë është familja e vetme e vlerave dhe këtë e tregon edhe gara që bëjmë, konkurrenca që kemi, debati që bëjmë brenda nesh.  Por se nuk duhet të harrojmë për asnjë sekondë të vetme, për asnjë çast e në veçanti këto orë drejt të dielës dhe vetë të dielën, misionin që kemi mbi supe, përgjegjësinë që kemi karshi njëri-tjetrit por mbi të gjitha karshi shqiptarëve, mos të harrojmë për asnjë sekondë se qëllimi ynë final është të largojmë kundërshtarin e vetëm, armikun e vetëm të Shqipërisë, shqiptarëve, demokracisë dhe Partisë Demokratike, regjimin e Edi Ramës, Taulant Ballës dhe bandave të tyre”, u shpreh Basha.

Ndërsa në takimin në Paskuqan, Basha theksoi se, “nuk duhet të kemi asnjë iluzion për atë që na pret, nuk duhet të kemi asnjë mëdyshje se sakrificat tona, sakrificat tuaja, betejat tona e kanë ndezur tashmë pritshmërinë për ndryshim dhe se zhgënjimi, dëshpërimi, mosbesimi për atë që doli nga kutitë e votimit më 25 Prill,  jo thjesht mes demokratëve por mes gjithë shqiptarëve, tashmë i ka lënë vendin zemërimi dhe vendosmëria për ta çuar drejtësinë në vend, për ta çuar hakun tek i zoti”.

“Në qoftë se mohohet masakra elektorale e 25 prillit, jo thjeshtë shkelet mbi sakrificën tuaj e të demokratëve kudo ku janë, jo thjeshtë poshtërohen shqiptarët që kanë besuar dhe që na kanë ndjekur, jo thjeshtë hidhet poshtë mundi, vetëmohimi me të cilin jeni përballur me shantazhet, intimidimet dhe largimet nga puna. Por shkatërrohet edhe besimi se kjo shoqëri mund të ndryshojë përmes vlerave që ne shpalosim. Se e vetmja shpresë për ndryshim qenka pra, të jesh po aq i korruptuar madje më i korruptuar, po aq horr  madje më horr, po aq kriminel madje më kriminel se Edi Rama dhe shokët e tij”, tha Basha.

“Kush e mohon masakrën e 25 prillit, për fat të keq i bie me shkelm kësaj sakrifice. Ne jemi sot në mes të një gare të brendshme e cila do të finalizohet të dielën. Ajo që do të vendosim të dielën do të përcaktoj edhe kursin me të cilin do të ecim”, theksoi Basha.

 

Fraksion.com