AktualitetPolitikëTë fundit

Sot në Tiranë Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor; Drejtohet nga Rama dhe Varhelyi: Agjenda

Sot në Tiranë do të zhvillohet Samiti i Ballkanit Perëndimor, me drejtuesit më të lartë të Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës.  Shqipëria do të jetë mikpritësja e samitit të radhës i cili zhvillohet në Pallatin e Brigadave.

Samiti do të drejtohet nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Ky Samit është shumë i rëndësishëm pasi vjen vetëm 2 javë para vendimit të pritshëm në Bruksel për nisjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë bisedave drejtuesit e 6 shteteve të Ballkanit perëndimor Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi do të diskutojnë për projektet në rajon të përfituara në kuadër të Procesit të Berlinit.

Pritet të firmosen marrëveshje të rëndësishme në sektorin ekonomik, siç pritet të jetë ajo e vendit tonë me Maqedoninë e Veriut për lehtësimin e kalimit të mallrave ose tregtisë në të gjitha pikat e kalimit doganar, me fokus të veçantë në Qafë-Thanë.  Megjithatë, në këtë takim Shqipëria pritet të vijë me kërkesa specifike për BE-në, siç është edhe njohja reciproke e certifikave të gjelbërta të vaksinimit. Po ashtu, përshpejtimi i procedurave për uljen e tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së dhe lehtësimi i procedurave tregtare dhe të transportit me vendet kufitare anëtarë të Unioni.

Ndërsa vitin e kaluar, takimi i 6 liderëve te Ballkanit Perëndimor u zhvillua online por u njoh si Samiti i Sofjes dhe u zhvillua më 10 nëntor.

Në samitin e mbajtur në Sofje shtetet e Ballkanit Perëndimor, që ende nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, ranë dakord që të fuqizojnë marrëdhëniet mes tyre. Liderët e shteteve u pajtuan që të krijojnë treg të përbashkët rajonal dhe po ashtu të adoptojnë politikat e gjelbra.

Në deklaratën e përbashkët shkruhej se ky pajtim u arrit “për të rritur bashkëpunimin ekonomik në rajon, duke zhvilluar Tregun e Përbashkët Rajonal, bazuar në standardet dhe rregullat e Bashkimit Evropian, për të rritur atraktivitetin dhe konkurrencën e rajonit dhe për të sjellë rajonin më afër tregjeve të Bashkimit Evropian”.

Agjenda e Samitit të Ballkanit Perëndimor:

09.30 – Takim Bilateral me Zoran Tegeltija, Kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës (FOTO + Kamera Zyrtare)

10.00 – Takim Bilateral me Olivér Várhelyi, Komisionerin Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë (FOTO + Kamera Zyrtare)

10.30 – Mbërritja e delegacioneve (FOTO + Kamerat e akredituara të vendosura në oborrin përpara hyrjes)

Olivér Várhelyi, Komisioneri Europian

Milo Đukanović, President i Malit të Zi

Brnabić, Kryeministër i Serbisë

Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës

Zoran Tegeltija, Kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës

Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë së Veriut

Majlinda Bregu, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal

Emir Djikic, Drejtor i Sekretariatit të CEFTA

Ljuba Siljanoska, Zëvendës Drejtori i Sekretariatit të Përhershëm të organizatës së Traktatit të Komunitetit të Transportit

11.00 – Seanca Plenare (FOTO + Kamera Zyrtare)

12.30 – Foto Familjare (FOTO + Kamera Zyrtare)12.30 – Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama me Komisionerin Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi (Regji Televizive + FOTO + Kamerat e akredituara)

13.00 – Drekë Pune (FOTO + Kamera Zyrtare 3 minuta)

15.00 – Firmosje e marrëveshjeve (Regji Televizive + FOTO + Kamera Zyrtare)

15.15 – Ceremonia e inaugurimit të Qendrës së Informimit Kulturor (FOTO + Kamera Zyrtare).

 

Fraksion.com