AktualitetPolitikëTë fundit

“Shengeni rajonal projekt strategjik”; Rama: Të njihen 4 liritë e BE-së dhe karta e gjelbër digjitale që të lëvizim lirisht

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se jetësimi i katër lirive të Europës në rajonin tonë është një proces i mbështetur nga një paketë financiare në kuadrin e një plani ekonomik dhe investimesh të BE-së.

Në fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, pas Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor që u zhvillua në Tiranë, Kryeministri Rama e falënderoi Komisionerin Varhelyi, i cili sipas tij, “shprehu menjëherë gatishmërinë për të ndryshuar axhendën e tij dhe për të ardhur në këtë takim, që në këndvështrimin tim është i një rëndësie të veçantë për dy arsye”.

“Së pari, të gjithë së bashku jemi mbledhur për të shtyrë përpara një proces që nuk ka rëndësi sesi e quan njëri apo tjetri, por ka rëndësi që të çojë përpara jetësimin e katër lirive të Europës në rajonin tonë. Nga ana tjetër ky proces tashmë është i mbështetur nga një paketë financiare në kuadrin e një plani ekonomik dhe investimesh të BE-së që prej nga volumi i fondeve të vëna në dispozicion të bashkëpunimit rajonal dhe të përmirësimit rrënjësor të infrastrukturës rrugore, hekurudhore, portuale të interkonktivitetit dhe të gjithë sektorit të energjisë si dhe të dixhitalizimit përbën lëvizjen më të madhe historike të BE-së ndaj apo në drejtim të Ballkanit Perëndimor”,  nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ishte një kënaqësi, sepse më në fund takimi nuk ishte virtual, sepse ne kemi mundësinë t’i mikpresim miqtë tanë pa masa shtrënguese dhe besoj që edhe Komisioneri, edhe delegacioni nga Brukseli ndjehet mirë që maskat e Brukselit i hoqi në Tiranë dhe gjërat tanimë janë konkrete”.

Kryeministri Rama u shpreh se “planet e punëve janë konkrete dhe ky është nga ato momente që duhet ta pranojmë që BE-ja të vetën deri këtu e ka bërë plotësisht, na takon ne të bëjmë tonën”.

“Nuk diskutohet që qeveria e Republikës së Shqipërisë, unë personalisht, kemi qenë që në momentin e parë dhe mbetemi të palëkundur në bindjen tonë se projekti i atij që unë e quaj Shengeni Rajonal, dikush e quan Minishengen, por dikush tjetër mund të mos e thërrasë në emër, është një projekt strategjik me përfitime të jashtëzakonshme ekonomike, sociale, por në fund fare edhe politikisht për gjithë rajonin”, tha Rama.

Më tej kryeministri Rama tha se “më vjen mirë që sinergjia e këtij vizioni me BE është e plotë. Procesi i Berlinit është zanafilla dhe tani jemi në kushtet që po e zotërojmë procesin dhe shpresoj që vetë procesi i Berlinit të kalojë plotësisht në duart e Komisionit Europian nën udhëheqjen e Presidentes së Komisionit me dëshirën dhe ambicien që takimi i 5 korrikut të jetë i fundit që bëhet në formatin e deri tanishëm dhe vitin e ardhshëm, të bëhet një format nën kujdesin e Komisionit me praninë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së. Kjo është një ambicie e jona dhe një dëshirë që fatmirësisht e ndajmë plotësisht”.

Ndërkohë, vijoi Rama, ne kemi vendosur edhe një sërë pikash ambicioze për të ndërlidhur progresin e bërë së brendshmi në rajonin tonë me vetë mënyrën e funksionimit në ato drejtime ku ne do të bëjmë progres, të hapësirës së BE-së.

“Që do të thotë që ne këtu bëjmë hapa në drejtim të jetësimit të 4 lirive të BE-së, këto hapa ambicia është të na njihen edhe në hapësirën e BE-së, në aspektin e tregtisë, të qeverisjes të të dhënave, e mundësive nga pikëpamja e aktivitetit ekonomik”, shtoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “siç e dini brenda rajonit, por përpara dy ditësh edhe me Hungarinë në mënyrë bilaterale kemi rënë dakord për lëvizjen e lirë në postpandemi pa detyrime ekstra, teste dhe histori të tjera, për shkak se nuk jemi anëtarë të BE-së”.

“Sot të gjitha vendet i kanë paraqitur Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian kërkesën që karta e gjelbër dixhitale e qytetarit të një vendi të rajonit tonë në aspektin e sigurisë shëndetësore të njihet në gjithë hapësirën e BE-së edhe ne të lëvizim lirisht siç lëvizin qytetarët e BE-së”,  tha Rama.

 

Fraksion.com