Presidenti Biden thotë se SHBA do të dhurojë 500 miliona doza vaksinash për botën
Përpara takimit të nivelit të lartë të G-7-ës në Britani, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden njoftoi zyrtarisht se administrata e tij po dhuron 500 milionë doza të vaksinës Pfizer për 92 vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
“Këto gjysmë miliardë vaksina do të fillojnë të transportohen në gusht, sapo të dalin nga prodhimi”, tha zoti Biden të enjten në Cornwall, duke shtuar se 200 milion doza do të shpërnPresidetidahen deri në fund të këtij viti dhe 300 milion në gjysmën e parë të vitit 2022.
Biden tha se dhurimi nuk do të jetë i kushtëzuar.
“Dhurimi i vaksinave nga ana jonë nuk përfshin presion për favore ose lëshime të mundshme. Ne po e bëjmë këtë për të shpëtuar jetë, për t’i dhënë fund kësaj pandemie,” tha zoti Biden.
Albert Bourla, shefi ekzekutiv i kompanisë Pfizer, ishte i pranishëm kur udhëheqësi amerikan bëri njoftimin.
“Ne po testojmë reagimin e vaksinave ndaj varianteve të reja”, tha zoti Bourla, duke theksuar se deri tani vaksina jep mbrojtje për të gjitha variantet.
Masa sinjalizon se Shtetet e Bashkuara “nuk janë të përqendruara vetëm tek vetja”, tha Leslie Vinjamuri, drejtore e programit të Shteteve të Bashkuara dhe Amerikës Latine në organizatën Chatham House. Ky ka qenë një shqetësim i madh global, tha zonja Vinjamuri, jo vetëm gjatë viteve të ish-presidentit Trump por edhe gjatë gjithë muajve të parë të administratës së Presidentit Biden kur Uashingtoni nuk po shpërndante doza pavarësisht se kishte rezerva në furnizim.
Njoftimi i presidentit amerikan vjen një ditë para fillimit të takimit të G-7, grupi i demokracive më të përparuara në botë në Cornwall.
“Nesër, vendet e G7 do të shpalosin gamën e plotë të angazhimit tonë,” tha zoti Biden.
COVAX
Dozat e shpërndara nga SH.B.A. përmes COVAX-it, mekanizmi i OKB-së për ndarjen e vaksinave, janë përveç 80 milionë dozave të premtuara nga SHBA që do të dorëzohen në fund të Qershorit. Përveç kësaj, SH.B.A. i ka dhënë 2 miliardë dollarë COVAX-it.
SHBA fillimisht premtoi një shtesë prej 2 miliardë dollarësh për COVAX-in por tani po e ndryshon drejtimin e parave për të ndihmuar në pagesën për 500 milionë dozat e dhuruara, që kanë një kosto të vlerësuar prej 3.5 miliard dollarësh.
Organizatat humanitare e përshëndetën masën. Tom Hart, shef ekzkutiv në detyrë i fushatës ONE, një organizatë që punon për t’i dhënë fund varfërisë dhe sëmundjeve të parandalueshme, nxiti vendet e tjera të G-7 të bëjnë të njëjtën gjë.
“Ky veprim dërgon një mesazh tepër të fuqishëm në lidhje me angazhimin e Amerikës për të ndihmuar botën të luftojë këtë pandemi dhe fuqinë e udhëheqjes globale të SHBA,” tha zoti Hart në një deklaratë.
Kryeministri britanik Boris Johnson të enjten gjithashtu premtoi “miliona” doza për më të varfrit në botë.
Por është e paqartë se sa mund të ndihmojnë vendet e G-7. Vendet janë në faza të ndryshme të vaksinimit të popullatave të tyre. Japonia dhe Kanadaja, të cilat kanë norma vaksinimi nën 10%, nuk janë në gjendje të jenë aq bujare.
Përveç dhurimit të vaksinave, G-7 është gjithashtu nën presion për të hequr dorë nga patentat e vaksinave. SHBA është në favor të heqjes dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale mbi vaksinat, në Organizatën Botërore të Tregtisë. Por Bashkimi Evropian po bën presion për një propozim tjetër: licencimin e detyrueshëm për të rritur prodhimin e vaksinave.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë Jake Sullivan i tha Zërit të Amerikës se qasjet e ndryshme nuk do të jenë një pikë përplasjesh në G-7.
“Unë parashikoj arritjen në një emërues të përbashkët, sepse të gjithë jemi dakord rreth idesë që duhet të rrisim furnizimin me vaksina në disa mënyra,” tha zoti Sullivan.
Takimi Biden-Johnson
Para njoftimit për vaksinat, zoti Biden u takua të enjten me kryeministrin britanik Boris Johnson, me të cilin ai ka pasur mosmarrëveshje në të kaluarën.
Udhëheqësit ranë dakord mbi një Kartë të re Atlantike, sipas modelit të deklaratës së bërë nga kryeministri Winston Churchill dhe presidenti amerikan Franklin D. Roosevelt në 1941 për të promovuar demokracinë dhe tregtinë e lirë, që ishte thelbësore por ngritjen e rendit botëror pas Luftës së Dytë Botërore.
Karta e Atlantikut 2021 nënvizon se me vlera të ngjashme dhe forca të bashkuara, të dy vendet do të punojnë së bashku për të përballuar sfidat e mëdha me të cilat përballet planeti – nga COVID dhe ndryshimi i klimës te ruajtja e sigurisë globale.
Zoti Biden, i cili është me origjinë irlandeze, është gjithashtu i shqetësuar se Brexit-i mund të dëmtojë Marrëveshjen e së Premtes së Mirë të vitit 1998, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara që solli paqen në Irlandën e Veriut, e cila është pjesë e Britanisë së Madhe.
Sipas marrëveshjes së Brexit-it, Irlanda e Veriut mbetet palë në tregun e përbashkët të BE-së, megjithatë nuk është më pjesë e bllokut, që do të thotë se duhet t’i nënshtrohet doganave. Administrata e zotit Biden do të sigurohet që të mos rrezikohet perspektiva për paqe.
“Presidenti Biden ka shprehur qartë besimin tek Marrëveshja e së Premtes së Mirë si themel për bashkëjetesën paqësore në Irlandën e Veriut”, tha zoti Sullivan.
Pavarësisht këtyre tensioneve, zoti Biden është shumë i përkushtuar për ta pasur partneritetin SHBA-Britani, si shtyllë për G-7-ën, tha zonja Vinjamuri.
“Bëhet fjalë për të përdorur marrëdhëniet e thella dhe historike të Amerikës me Britaninë për të afirmuar vlerat e demokracisë, të liberalizmit, të lirisë.”
Qeveria e zotit Johnson sapo ka përfunduar një rishikim të strategjisë së politikës së jashtme, e cila përfshin një riafirmim të marrëdhënies së veçantë midis dy aleatëve./VOA
Fraksion.com