Presidenti Biden në Britani për bisedime me kryeministrin Johnson dhe takimin e G7
Presidenti amerikan Joe Biden takohet të enjten me kryeministrin britanik Boris Johnson gjatë udhëtimit evropian, ku do do të ketë bisedime të nivelit të lartë me krerë të tjerë shtetesh perëndimorë dhe një takim me Presidentin rus Vladimir Putin.
Takimi me zotin Johnson do të ndiqet me vëmendje për të parë se si do të komunikojnë dy udhëheqësit, pas mosmarrëveshjeve të kaluara, përfshirë lidhur me Brexit-in.
“Nuk kanë pasur marrëdhënie të mirë. Presidenti Biden e kishte quajtur Boris Johnsonin, një klon të Donald Trumpit,” thotë Dan Hamilton, drejtori i Programit të Evropës në Qendrën Wilson.
Zoti Biden, i cili është me origjinë irlandeze, është gjithashtu i shqetësuar se Brexit-i mund të dëmtojë Marrëveshjen e së Premtes së Mirë të vitit 1998, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara që solli paqen në Irlandën e Veriut, e cila është pjesë e Britanisë së Madhe.
Sipas marrëveshjes së Brexit-it, Irlanda e Veriut mbetet palë në tregun e bashkuara të BE-së, megjithatë nuk është më pjesë e bllokut, që do të thotë se duhet t’i nënshtrohet doganave. Administrata e zotit Biden do të sigurohet që të mos rrezikohet perspektiva për paqe.
“Presidenti Biden ka shprehur qartë besimin tek Marrëveshja e së Premtes së Mirë si themel për bashkëjetesën paqësore në Irlandën e Veriut. Kjo marrëveshje duhet të mbrohet dhe çdo hap që pengon një gjë të tillë, nuk do të mirëpritet nga Shtetet e Bashkuara”, tha Jake Sullivan, këshilltari i sigurisë kombëtare, duke shtuar se Biden do të bëjë “deklarata parimore “mbi këtë çështje.
Megjithatë zoti Hamilton tha se udhëheqësit do të angazhohen për marrëdhëniet të mira transatlantike, në interes të vendeve të tyre. Qeveria e zotit Johnson sapo ka përfunduar një rishikim të strategjisë së politikës së jashtme, e cila përfshin një riafirmim të marrëdhënies së veçantë midis dy aleatëve.
Ndalesa e parë e presidentit Biden ishte në bazën ushtarake amerikane në RAF Mildenhall në Mbretërinë e Bashkuar, ku ai iu drejtua forcave amerikane.
“Për të gjithë ju aviatorë dhe ushtarë, unë dua t’ju them, faleminderit. Ne ju detyrohemi. Ne jemi shumë krenarë për ju”, tha Presidenti Biden.
Biden foli për axhendën e tij në G-7, NATO dhe Bashkimin Evropian në ditët në vazhdim, si dhe për takimin e tij me Presidentin rus Vladimir Putin javën e ardhshme.
“Unë do t’i them Putinit se ka pasoja kur shkelet sovraniteti i demokracive në Shtetet e Bashkuara, Evropë apo vende të tjera”, tha ai.
Presidenti theksoi bindjen e tij se demokracitë botërore do të jenë të qëndrueshme dhe madje do të forcohen.
“Ne duhet të diskreditojmë ata që besojnë se epoka e demokracisë ka marrë fund, siç besojnë disa vende,” tha presidenti, duke shtuar se edhe pse gjërat po ndryshojnë me shpejtësi, demokracitë gjithmonë arrijnë konsensus për t’iu përgjigjur autokratëve.
Zonja e parë Jill Biden, duke folur para presidentit, vlerësoi sakrificën e ushtarëve.
Pjesa kryesore e vizitës së Presidentit amerikan në Britani, është pjesëmarrja në takimin e nivelit të lartë të G-7-ës, ku marrin pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanada, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia.
Ndërsa hipte në Air Force One për t’u larguar nga Uashingtoni, Presidenti Biden tha se objektivi i tij për udhëtimin ishte forcimi i lidhjeve me aleatët, duke “ia bërë të qartë Putinit dhe Kinës se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie të ngushta”.
Fraksion.com