“Ilir Meta ka tradhëtuar misioin”; Zëri i Amerikës: Parlamenti voton Pro shkarkimit, ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës
Në Shqipëri parlamenti votoi sot në favor të shkarkimit të presidentit Iir Meta. Vetëm një numër i vogël deputetësh votuan kundër. Nisma për shkarkimin e kreut të Shtetit u ndërmorr nga socialistët të cilët e akuzuan atë për qëndrimet e mbajtura përpara dhe gjatë fushatës elektorale. Edhe Komisioni hetimor i ngritur posaçërisht arriti në përfundimin se zoti Meta ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës. Presidenti nga ana e tij e ka quajtur të paligjshme nismën e ndërmarrë nga parlamenti, Vendimi i parlamentit do të kalojë tani në duart e Gjykatës Kushtetutese.
Në favor të shkarkimit të të presidentit Meta votuan 104 deputetë, ndërsa 7 ishin deklaruar Kundër dhe 3 të tjerë kishin abstenuar. Për shkarkimin e zotit Meta, nevojiteshin, dy të tretat e parlamentit, ose 94 vota.
Në 30 vite pluralizëm në Shqipëri, vendimi sotëm shënon rastin e parë të shkarkimit nga ana e parlamentit të presidentit të vendit.
Procedurat e parlamentit u zhvilluan me shpejtësi dhe Komisioni hetimor e mbylli aktivitetin e tij për tre javë. Komisioni mori në shqyrtim të gjitha deklarimet publike të zoti Meta për të vërtetuar përfshirjen e tij në fushatën për zgjedhjet e 25 Prillit. Sipas raportit të miratuar prej tij, Kreu i Shtetit rezulton të ketë kryer së paku 9 shkelje, duke nisur që nga betimi i tij si president të cënimi i procesit zgjedhor, i marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Shqipërisë, imazhit dhe reputacionit të vendit, figurës së vetë institucionit të Presidentit apo dhe abuzim me kompetencat kushtetuese të Presidentit.
Të gjithë këto shkelje janë vlerësuar nga komisioni se “shkelje të rënda të Kushtetutës”.
Në ndryshim nga ndërhyrjet e tij tejet të gjata në parlament, kryeministri Edi Rama foli shumë shkurt duke preferua të rendiste shkaqet që çuan në vendimin e sotëm: “Ilir Meta ka tradhtuar misionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka poshtëruar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar. Ilir Meta ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve në demokracinë tonë parlamentare. Ilir Meta ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar në marrëdhënien krejt speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ilir Meta ka shkarravitur fytyrën e shtetit shqiptar në marrëdhënie me përfaqësitë e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri”, u shpreh zoti Rama.
Duke deklaruar se sipas tij zoti Meta i ka humbur shanset që i janë ofruar, kryeministri tha se Shqipëria nuk mund të mbajë më atë në kurriz.
Presidenti Meta nga ana e tij ka folur gjatë gjithë kohës për një “nismë ilegjitime të parlamentit”. Ai nuk u paraqit të mbronte pozicionin e tij as në Komisionin hetimor dhe nuk shfrytëzoi as të drejtën që i njihet për t’u paraqitur dhe në seancën e sotme. Si për të dëshmuar indiferencën e tij ndaj vedimmarrjes së sotme, ndërsa në parlamenti vijonte me diskutimet, ai organizoi në presidencë një aktivitet kulturor me këngë e valle nga Ansambli Folklorik i Dibrës “Hazis Ndreu”.
Menjëherë pas votimit, Presidenti Ilir Meta reagoi përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi, duke përdorur tone të forta dhe akuza ndaj parlamentit. Në një postim në Facebook, të shoqëruar me një fotomontazh të sallës së parlamentit mbuluar nga mbeturinat, zëdhënësi shkruan se “nuk ka asnjë shqetësim nga vendimi antikushtetues dhe qesharak i landifillit parlamentar monist”. Ai shton se “nuk ka asnjë surprizë nga tregtari I kufijve të Shqipërisë dhe të Kosovës”, duke ju referuar kështu Kryeministrit Edi Rama ndërsa thekson se “Presidenti Meta është më i motivuar se kurrë për mbrojten e sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë nga çdo përpjekje e tradhëtarëve, bashkëpunëtorëve dhe tutorëve të tyre që prej vitesh punojnë kundër Shqipërisë”.
Nga ana e saj dhe Partia demokratike, përmes një deklarate, “e konsideron antikushtetues vendimin e parlmentit njëpartiak për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe kërkon nga Gjykata Kushtetutese të ruajë paanësinë dhe të garantojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, duke refuzuar farsën për shkarkimin e Presidentit”, thekson deklarata e Partisë Demokratike.
Gjykata Kushtetuese, është ajo që do të thotë fjalën e fundit duke i dhënë të drejtë ose jo parlamentit.
Fraksion.com