Rama në Bullgari: Kemi plotësuar kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare, respektojmë në këtë moment të dy miqtë e vendet mike
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Sofja, Bullgari se aktualisht është e qartë se i kemi përmbushur të gjitha kushtet dhe nuk ka asgjë që na ndan nga konferenca e parë ndërqeveritare me BE.
Në një konferencë për shtyp pas takimit me Kryeministrin e Bullgarisë, Stefan Yanev, kryeministri Rama tha se “është absolutisht e rëndësishme për ne që ta shikojmë këtë çështje të zgjidhur”.
“Jemi të vetëdijshëm se është një çështje mjaft e ndjeshme këtu e po kështu edhe në vendin vëlla të Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë jemi të përfshirë në këtë gjë në mënyrë të pavullnetshme sepse si të gjithë e dini Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po presin vendimin e Këshillit Europian për çeljen formalisht të bisedimeve për anëtarësim përmes konferencës së parë ndërqeveritare”, – tha Rama.
Por, vijoi Rama, “siç janë gjërat besoj fort se mes dy vendeve ka mundësi të mjaftueshme për të intensifikuar komunikimin, dialogun, për ta zgjidhur së bashku”.
“Ka kaq shumë gjëra që i bëjnë të dy vendet e të dy popujt në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut kaq popuj të afërt, vende të afërta për një të ardhme të përbashkët. Pavarësisht se sa të vështira mund të jenë të tilla çështje kur ekziston dëshira ka zgjidhje dhe me një vullnet të mirë mendoj se mund të tejkalohet”, shtoi Rama.
Kreu i qeverisë tha se “nga ana tjetër dua të theksoj Shqipëria është duke e respektuar këtë”.
“Aktualisht do të vazhdojmë të ecim së bashku me Maqedoninë e Veriut, por gjithmonë shtrohet pyetja: Sa kohë do të kërkojë kjo e sa gjatë mund të presim? Aktualisht jemi në rregull edhe pse është e qartë se i kemi përmbushur të gjitha kushtet dhe nuk ka asgjë që na ndan nga konferenca e parë ndërqeveritare”.
“Do të respektojmë në këtë moment të dy miqtë e vendet mike që duhet ta zgjidhin këtë. Sigurisht besojmë fort dhe unë besoj fort që kjo është diçka që duhet zgjidhur mes dy vendeve, midis popujve e udhëheqësve të dy vendeve. Të gjithë të tjerët mund të ndihmojnë, por nuk besoj se te tjerët mund të bëjnë apo zëvendësojnë atë që çka të dyja palët mund të bëjnë e duhet të bëjnë dhe shpresoj që kjo të ndodhë shpejt”, nënvizoi Rama.
Më tej kryeministri Rama u shpreh se “e di që në Bullgari ka një qeveri kujdestare me një kuadër mjaft të qartë veprimtarie. Keni zgjedhje të reja këto janë tema që ndonjëherë kanë prirjen të shkojnë nga mendja në stomak edhe ndonjëherë bëhen edhe më të vështira. Por mendoj se Bullgaria si shtete anëtare e BE-së është e pjekur dhe ka gjithçka i nevojitet për të kujtuar nga njëra anë veten kur gjendej për arsye të ndryshme në të njëjtën pozitë dhe nga ana tjetër të nxitë së bashku me Maqedoninë e Veriut për të dalë nga kjo situatë. Kjo është qasja ime për këtë”.
Duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve Rama tha se “faleminderit për nënvizimin e faktit që Shqipëria është një vend model për trajtimin e pakicave”.
“Ne ndjehemi shumë mirë që pas një nisme të marrë nga vetë ne vite më parë legjislacioni ynë për pakicat u ngrit në një nivel që mund ta them me plot gojën është niveli i ekselencës në përputhje me parimet dhe standardet e Këshillit të Europës dhe BE-së”, vijoi ai.
“Në këtë kontekst, më vjen shumë mirë që sa herë kam mundësinë takohem me miq nga Bullgaria, përfaqësues nga qeveria apo të partive të ndryshme këtu apo në Bruksel të gjithë e nënvizojnë faktin, e vënë në dukje edhe nga ju pak më parë, por edhe në bashkëbisedimin tonë se pakica bullgare në Shqipëri gëzon të drejta të plota, është plotësisht e integruar dhe ndihet në lirinë e vet për të kultivuar atë pjesë trashëgimie që i duhet shkuar nga brezi në brez”, – theksoi Rama.
Ky, tha Kryeministri, është një fakt domethënës sesi një pakicë edhe pse e vogël në numër bëhet një urë lidhëse mes dy vendeve dhe dy popujve.
Janev: Pozita e Bullgarisë përsa i takon Maqedonisë së Veriut është në një farë shkalle pengesë që Shqipëria të ecë më shpejt
Kryeministri në detyrë i Bullgarisë, Stefan Janev, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, tha se Bullgaria e vlerëson shumë Shqipërinë dhe rolin e tyre në integrimin e pakicave bullgare.
“Vlerësimi ynë i përbashkët është që marrëdhëniet po zhvillohen në mënyrë të mirë. Kjo mund të shërbejë si shembull se si mund të zhvillohen marrëdhëniet e fqinjësisë. Nuk kemi çështjeje të hapura, që kanë nevojë për diskutime serioze dhe kërkim të zgjidhjeve praktike. Ne po punojmë, zgjidhjet janë të qëndrueshme dhe marrëdhëniet tona janë mjaft të mira. Marrëdhëniet tona janë në kontekstin më të mirë në interes të popujve të dy vendeve. Me kryeministrin Rama tërhoqëm vëmendjen mbi pakicën kombëtare bullgare në Shqipëri që gëzon prani të shkëlqyeshme dhe mund të shërbejnë si urë lidhëse mes dy kombeve”- tha Janev.
“Bashkëatdhetarët tanë në Shqipëri janë të integruar shumë mirë me shoqërinë si në planin ekonomik dhe social. Shteti shqiptar dhe shteti bullgar po zhvillojnë projekte të përbashkëta që demostrojnë mundësinë për marrëdhënie më të mira midis dy shteteve”, vijoi ai.
“Ne diskutuam për perspektivën europiane të Shqipërisë. Duke folur për këtë, duhet të përmendim edhe faktin që pozita e Bullgarisë përsa i takon Maqedonisë së Veriut është në një farë shkalle pengesë për perspektivën e Shqipërinë që të eci më shpejtë. Ne duam që Bullgaria, të mos krijojë efektin që shoqëritë të mendojnë që po pengojmë, përkundrazi”, theksoi Janev.
“Pozita jonë është treguar te demonstrimi i deklaratave tona. Rrugën europiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut e mbështesim, por shpresojmë që çështjet tona që kemi për të zgjidhur me Maqedoninë e Veriut, mund të zgjidhen vetëm me bazë dypalëshe. Nevoja me ndërhyrje nga jashtë dhe këshilla nuk është ide e mirë sepse diskutimi është midis dy vendeve dhe secili prej nesh duhet të gjejë rrugën e dialogut. Ajo që është deklaruar për perspektivën evropiane të konfirmohet me vepra reale”, theksoi Janev.
“Kjo pozitë duhet t’i shpjegohet mirë partnerëve tanë europianë dhe synimi ynë është që problemet e dyanshme të mos jenë një precedent për ngecjen e ecurisë së këtyre vendeve në BE”, tha Janev.
Fraksion.com