AktualitetEkonomiTë fundit

Numërohen 65 mijë ndërmarrje nga rreth 17 mijë në 2013-n

Në vitin 2020 struktura e ndërmarrjeve aktive e prodhuesve të të mirave shënoi rritje me 2% duke arritur 39,1% nga 37% që ishin në vitin 2019. Por kjo rritje llogaritet të jetë rritur me gati 3 herë krahasuar me vitin 2013.

Konkretisht në fund të vitit 2020 numëroheshin mbi 65 mijë ndërmarrje që operonin në prodhimin e të mirave, në bujqësi, industri, ndërtim nga afërsisht 17 mijë që ishin në 2013-n.

Rritja e numrit të kompanive që operojnë në prodhimin e të mirave tregon se ekonomia shqiptare po bëhet më prodhuese, duke u shkëputur nga një model i mbështetur në masën dërrmuese te tregtia dhe konsumi i mallrave të importuara.

Bilanci i jashtëm i ekonomisë ka shenja përmirësimi në dekadën e fundit dhe ngushtimi i kontributit negativ të eksporteve neto në PBB-në e vendit e dëshmon një fakt të tillë.

Në periudhën janar-prill 2021 eksportet u rritën me 35 % me bazë vjetore, duke arritur në 109 miliardë lekë. Edhe në raport me 4-mujorin 2019, eksportet shënuan rritje me 10 %.

Rritjen më të madhe të eksporteve përgjatë kësaj periudhe e patën materialet e ndërtimit dhe metale me 12,6 %, mineralet, lëndët djegëse dhe energji elektrike 9,8 % dhe tekstilet dhe këpucët me 6,6 %.

Rritje shënuan edhe eksportet e produkteve bujqësore.

Në Strategjinë e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve (SZHBI) për periudhën 2021-2027 të publikuar për konsultim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikohet që eksportet të rriten nga 31.5% e PBB-së që janë aktualisht në 36 % të PBB-së./atsh

 

Fraksion.com