AktualitetNATO/BETë fundit

“Balanca globale e fuqisë po zhvendoset”; Shefi i NATO-s takon Presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg u takua me Presidentin e SHBA Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë në Uashington D.C të hënën (7 qershor 2021), për të diskutuar përgatitjet për Samitin e ardhshëm të NATO-s në 14 qershor.

Sekretari i Përgjithshëm falënderoi Presidentin Biden për lidershipin e tij dhe “angazhimin e fuqishëm” të Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s, duke thënë se ai mirëpriti “mesazhin e fortë të Presidentit për rëndësinë e aleancave”. Z. Stoltenberg tha se ata ranë dakord mbi rëndësinë e forcimit të NATO-s në një botë më konkurruese dhe se vendimet ambicioze që do të merren nën iniciativën NATO 2030 do të përgatisin Aleancën për të ardhmen.

Sekretari i Përgjithshëm tha se agjenda ambicioze e NATO-s 2030 përfshin përforcimin e mbrojtjes kolektive, forcimin e rezistencës, mprehjen e avantazhit teknologjik të Aleancës, trajtimin e ndikimit të sigurisë së ndryshimit të klimës dhe rritjen e bashkëpunimit me partnerët që ndajnë vlerat e NATO-s. Z. Stoltenberg theksoi se kjo punë do të kërkojë investime të vazhdueshme në mbrojtje dhe se aleatët janë në rrugën e duhur, me shtatë vjet rresht të rritjes së investimeve në të gjithë aleatët evropianë dhe në Kanada. Nga viti 2014 deri në fund të vitit 2021, ata do të kenë shtuar një total prej 260 miliardë dollarë amerikanë në buxhetet e tyre të mbrojtjes, tha ai, duke e quajtur këtë një përforcim të rëndësishëm të sigurisë së përbashkët dhe një mesazh të qartë të vendosmërisë.

Më herët të hënën, Sekretari i Përgjithshëm u takua me Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin në Pentagon. “Balanca globale e fuqisë po zhvendoset,” tha Z. Stoltenberg. “Ne përballemi me shumë sfida të cilat nuk mund t’i përballojmë vetëm, por duhet t’i përballojmë së bashku në NATO.” Ai kujtoi se axhenda e NATO-s 2030 përfshin investime të vazhdueshme në mbrojtje dhe forcimin e mëtejshëm të parandalimit dhe mbrojtjes, “por gjithashtu për të zgjeruar axhendën tonë të sigurisë, për të bërë më shumë kur bëhet fjalë për qëndrueshmëri, teknologji dhe gjithashtu duke punuar me partnerët tanë”. Ai më tej theksoi se ndërsa NATO përfundon praninë e saj ushtarake në Afganistan, Aleanca do të vazhdojë të sigurojë mbështetje për forcat dhe popullin Afgan.

Gjithashtu të hënën, Sekretari i Përgjithshëm u takua me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan. Të martën, Z. Stoltenberg do të takohet me anëtarët e Kongresit Amerikan, përfshirë Gerry Connolly, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

 

Fraksion.com