Tronditet Tirana; Babai vret ish-dhëndrin dhe plagos avokatin e tij para seancës gjyqësore: Kapet pak minuta pas krimit.
Tronditet Tirana! Një i vrarë dhe një i plagosur është bilanci i një ngjarje të rëndë që ndodhi sot në një bar të njohur pranë Gjykatës së Tiranës.
Shtetasi Mexhit Picari ka vrarë ish-dhëndrin Kudret Saliaj me të cilin e bija ishte në proces divorci prej muajsh. Ndërkohë i plagosur ka mbetur dhe ish-prokurori i “21 janarit” Adriatik Cama, i cili ishte avokat i viktimës. Ky i fundit ishte ulur bashkë në lokal kur ka ndodhur krimi.
Viktima mësohet se është qëlluar 5 herë me armë zjarri dhe ka gjetur vdekjen në vend. Fill pas ngjarjes, autori i krimit, shtetasi Mexhit Picari është larguar nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar pak minuta më vonë.
Vajza e autorit, Dhurata Picari ishte prej muajsh në konflikt të vazhdueshëm me burrin dhe familjen e tij. Palët akuzonin njëra-tjetrën për dhunë dhe tradhti dhe nuk kishin gjetur ende zgjidhje, teksa sot ishte caktuar seanca e gjashtë në Gjykatë ku po diskutohej dhe kujdestaria e tre fëmijëve të çiftit.
Fraksion.com