AktualitetPolitikëTë fundit

Prioritetet e Shqipërisë në OKB; Rama ndan opinionet e të rinjve që përfaqësojnë vendin në Këshillin e Sigurimit për çështjet e rinisë

Kryeministri Edi Rama u ndal sot te disa nga prioritetet e Shqipërisë për misionin historik të saj në OKB.

Rama publikoi një video nga të rinjtë që përfaqësojnë vendin tonë në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Mirëmëngjes dhe me prioritetet e Shqipërisë për misionin historik të saj në OKB, të rrëfyera nga të rinjtë që përfaqësojnë vendin tonë në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për çështjet e rinisë, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Sipas Fiona Dinollarit, Shqipëria beson fort se mënyra më e mirë për të arritur paqen dhe sigurinë e qëndrueshme është përmes vëmendjes së vazhdueshme në përforcimin e zbatimit të axhendës së Gruas, Paqes dhe Sigurisë. “Ne do të luftojmë për axhendën e Gruas, Paqes dhe Sigurisë në tërësinë e të gjithë spektrit të punës në Këshillin e Sigurimit”, tha ajo.

Kristi Çina u shpreh i bindur se respektimi i të drejtave të njeriut dhe lirive për të gjithë individët dhe grupet është një parakusht thelbësor për jetëgjatësinë e paqes, sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm. “Ne do të punojmë për të përmirësuar standardet e të drejtave të njeriut në të gjithë botën”, tha ai.

Stiven Shala tha se “si një vend i njohur për bashkëjetesën e saj paqësore fetare Shqipëria do të sjellë në punën e Këshillit të Sigurimit përvojën e gjatë dhe pozitive të harmonisë fetare dhe respektin për ndryshimet kulturore, si një praktikë e mirë që qëndron kundër rritjes së intolerancës dhe ekstremizmit të dhunshëm”.

Ilda Methasani tha se “ndryshimi i klimës i shkaktuar nga dora e njeriut është vetëm një fenomen mjedisor, por edhe një nga kërcënimet kryesore të sigurisë në shekullin e 21-të”. “Lidhja midis klimës dhe sigurisë duhet të mbetet në vëmendjen e axhendës së Këshillit të Sigurimit, në mënyrë që të adresojë pasojat e ndryshimit të klimës dhe lidhjen e tij me sigurinë”, tha ajo.

Henri Fero tha se “besojmë fort se aktorët rajonalë dhe lokalë, luajnë një rol madhor në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për çështjet. Përfshirja e një game të gjerë aktorësh me interes të drejtpërdrejtë në këtë çështje, mund të krijojë kushtet e nevojshme afatgjata për parandalimin e konfliktit, ndërtimin e paqes dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, tha ai.

Ndërsa Klajdi Kaziu tha se “Shqipëria është e përkushtuar dhe do të punojë ngushtësisht me vendet me të cilat ndan të njëjtat interesa për të rritur efikasitetin, llogaridhënien dhe transparencën në Këshillin e Sigurimit”.

 

Fraksion.com