AktualitetPolitikëTë fundit

“Kemi marrë përsipër fatet e Shqipërisë”; Basha: Më 25 prill ra demokracia

Kryetari në detyrë i PD, Lulzim Basha zhvilloi sot takime me demokratët e degëve 1, 2 dhe 3 në Tiranë.

“Ne ndodhemi këtu, afro pesë javë pas një krimi final të regjimit të Edi Ramës. Pas përmbysjes dhe kapjes së çdo institucioni, me 25 prill është asgjësuar i vetmi mekanizëm që siguron demokracinë, respekti për vullnetin e shumicës së qytetarëve. Më 25 prill një pakicë harbutësh të korruptuar ka vendosur të asgjësojë këtë vullnet, ta tjetërsojë këtë vullnet, t’i mbivendoset këtij vullneti. Se si, ju e dini fare mirë”, tha Basha.

“Kudo ku kam shkuar, kudo ku kam takuar bashkëluftëtarët tanë demokratet dhe demokratët kam parë se si gjendja shpirtërore e tyre dhe e shqiptarëve ka evoluar nga ajo e shokut dhe tronditjes, e dëshpërimit dhe zhgënjimit, në një gjendje zemërate dhe tashmë vendosmërie”, u shpreh ai.

“Ajo që kemi marrë përsipër shkon përtej nesh, shkon përtej Partisë Demokratike, janë fatet e Shqipërisë, janë fatet e shqiptarëve që kemi marrë mbi supe në betejën e 25 prillit. Dhe ato rëndojnë akoma më shumë mbi supet tona. Kush tjetër përveç se Partisë Demokratike të Shqipërisë, si e vetmja forcë politike që posedon jo vetëm përvojën dhe meritën, por edhe teknologjinë e rrëzimit të regjimeve? Ndaj, dua t’ju them fare hapur se ndodhemi para një momenti të veçantë. Një momenti të veçantë për Shqipërinë mbi të gjitha”, tha Basha.

“Për këtë çështje dua të jem i qartë, i prerë, i shkurtër. E para, 25 prilli është një masakër zgjedhore dhe unë si kryetar i Partisë Demokratike me përgjegjësi të plotë kam deklaruar se nuk i njoh dhe nuk e pranoj masakrën zgjedhore të 25 prillit. Nuk i njoh rezultatet e tjetërsuara dhe vullnetin e tjetërsuar të 25 prillit. Dhe së dyti, se përgjigjja e prerë ndaj ofertës për bashkëpunim pa vija të kuqe dhe fletëve të bardha e të zeza të Edi Ramës është një ‘Jo’ e prerë dhe finale”, theksoi Basha.

“Më 25 prill në Shqipëri nuk është kryer thjesht një masakër zgjedhore, por ka rënë demokracia. Sepse demokraci do të thotë që shumica vendos dhe nuk do të thotë që pakica merr peng shumicën. Rënia e demokracisë më 25 prill, na ka gjetur jo më të vegjël, por më të mëdhenj seç hymë në këtë betejë dhe kjo falë dy faktorëve kryesorë që kanë karakterizuar Partinë Demokratike që prej ditës së parë që është themeluar”, shtoi Basha.

 

Fraksion.com